Interesat e kredive rriten në nëntor, sa paguhet për huanë për shtëpi; Kujdes overdraftin!

30/12/2019 10:00 AM 0 komente

Normat mesatare të interesit të kredive në lekë për të gjitha afatet e maturimit kanë shënuar rritje në muajin nëntor, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, duke arritur në nivelin më të lartë që prej muajve të verës.

Në nëntor, interesi mesatar i kredive ishte 6.38%, nga 5.9% që ishte muajin e mëparshëm, duke shënuar një rritje me rreth 0.4 pikë përqindje.

Ky shtrenjtim i normave të huasë ka ardhur kryesisht nga kredia afatshkurtër deri në 6 muaj dhe nga ajo me maturim 1 deri në 3 vjet, që janë rreth 1 pikë përqindje më të larta sesa në muajt e mëparshëm.

Megjithatë, gjatë katër viteve të fundit tendenca e interesave ka qenë në rënie, me rreth 2 pikë përqindje, në linjë me politikën monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, që ka ulur normën bazë të interesit në nivele minimale historike prej 1%, me synim për të bërë paranë më të lirë, çka do të nxiste investimet e bizneseve dhe shpenzimet e konsumatorëve.

Në tendencë të kundërt nga leku, ka qenë kredia në euro, interesi mesatar i të cilës për të gjitha afatet e maturimit ishte 4.1%, nga 4.33% në muajin e mëparshëm.

 

Sa kushton kredia për shtëpi, kujdes overdraftin!

Interesi mesatar i kredive për individë në lekë, me qëllim blerjen e një banese, në muajin nëntor ishte 3.45%, me një rënie te lehtë në raport me tetorin dhe duke qenë afër minimales historike.

Ndërsa në euro, kredia për banesa për individë kishte një interes prej  3.07% po në muajin nëntor. Diferenca mes normave të huave për shtëpi në lekë dhe në euro është ngushtuar ndjeshëm vitet e fundit, duke qenë një stimul për kredimarrësit që të përdorin monedhën vendase, ndryshe nga disa vite më parë kur euro ishte shumë më e lirë se leku. Edhe bankat i orientojnë individët që të marrin huanë në monedhën që kanë të ardhurat, në mënyrë që të mos përballen me rrezikun e kursit të këmbimit (një zhvlerësim i monedhës vendase do i bënte këstet në valutë mëtë shtrenjta).

Ndryshe nga huaja për shtëpi, tendenca e overdraftit për individët ka qenë në rritje. Në nëntor interesi mesatar për overdraftit, që në përgjithësi e marrin individët që marrin rrogat në banka, kur u duhen para shtesë, ishte 11.8%, nga 11.3% muajin e mëparshëm dhe duke arritur në nivelin më të lartë në një vit. Ndaj kujdes kur e përdorni atë, pasi do të paguani më shtrenjtë!

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of