Intervista me Liljana Shkodra, Drejtore e Divizionit Retail dhe Anëtare e Bordit Menaxhues, Banka OTP Albania
Pandemia nuk pati ndikim negativ në tregun e kredisë hipotekore dhe volumi i disbursimeve të reja për këtë produkt u rrit me rreth 30% krahasuar me një vit më parë, pohon në një intervistë për revistën “Monitor”, Liljana Shkodra, Drejtore e Divizionit Retail dhe Anëtare e Bordit Menaxhues në Bankën OTP Albania.
Normat e ulëta të interesit, sipas saj, janë faktor vendimtar në nxitjen e kërkesës për kredi për shtëpi. Gjithashtu, znj. Shkodra e vë theksin në rritjen e formalizimit të ekonomisë dhe të të ardhurave të familjeve, si një faktor tjetër që ka rritur aksesin e tyre në financimin me kredi hipotekore nga bankat.
Si paraqitet ecuria e portofolit të kredisë për blerje banesash në bankën tuaj? Sa u ndikua ky produkt prej krizës së pandemisë?
Në vitet e fundit, portofoli i kredive në bankën OTP ka pasur rritje të vazhdueshme, duke ndikuar pozitivisht në rritjen e peshës që banka zë në treg. Megjithëse 2020 ishte një vit i pazakontë, me sfidat e veta për të gjithë sistemin bankar, Banka OTP e rriti me 10.74% portofolin e kredive, duke u pozicionuar si banka e katërt në treg për sa i përket aktivitetit kreditues.
Pavarësisht pandemisë, në vitin 2020, volumi i disbursimeve të bankës në kredi për shtëpi dhe rikonstruksion ishte 30% më i lartë se vlerat e disbursuara në vitin 2019. Mund të themi me siguri që pandemia nuk pati ndikime të thella negative në investimin e individëve në banesa të financuara me kredi.
Si e vlerësoni aktualisht kërkesën për kredi bankare me qëllim blerjen e banesave?
Kërkesat për kredi për investime në banesa kanë qenë vazhdimisht në rritje, nëse u referohemi shifrave të kredive të disbursuara në tre vitet e fundit. Edhe aktualisht ka interes nga klientët.
Vitet e fundit, janë rritur ndjeshëm çmimet e banesave, sidomos në kryeqytet. Sa dhe në ç’mënyrë e ka ndikuar ky faktor kërkesën për kredi hipotekore?
Rritja e çmimeve të pasurive të patundshme duket që nuk e ka frenuar kërkesën për blerje. Rrjedhimisht, edhe kërkesa për kredi vazhdon të jetë në rritje. Këtë e tregojnë mjaft mirë shifrat në rritje të disbursimeve të kredive për shtëpi.
Ecuria e portofolit dhe vrojtimet e aktivitetit kreditues në vitet e fundit tregojnë rritje të fokusit të bankave në segmentin e individëve dhe sidomos të kredive hipotekore. Pse ka ndodhur kjo?
Kërkesa nga klientët individë për financime në banka ka qenë e lartë, por kredidhënia limitohej nga kufizimet e shtuara të bankave për financimin e këtij segmenti jo shumë të stabilizuar dhe kryesisht të paformalizuar. Në vitet e fundit, rritja e formalizimit të ekonomisë ka sjellë rritjen e numrit të klientëve që mundet të kenë akses në sistemin bankar.
Nga ana tjetër, lehtësimi nga ana e bankave i kërkesave të kreditimit për kategorinë e klientëve individë ka ndikuar në rritjen e fokusit dhe shërbimit të bankave në këtë segment. Struktura e portofolit të kredisë për individë dominohet nga kredia hipotekore, e cila lehtëson rritjen e qëndrueshme dhe jetëgjatë të portofolit të kredive.
Sa ka ndikuar cikli i normave të ulëta të interesit në zgjerimin e kredisë hipotekore?
Sigurisht që norma e interesit e cila paguhet për kreditë hipotekore është një nga faktorët vendimtarë për nxitjen e kërkesës për kredi. Banka OTP ofron një gamë të gjerë produktesh, në përshtatje me profilin e klientit, që kanë në thelb ofrimin e mundësive të financimit, në përputhje me nevojat e secilit klient, si për kohëzgjatjen, strukturën e normës së interesit, edhe monedhën.
Kjo ndihmohet edhe nga procesi i shpejtë dhe transparent që banka ka për financimin e klientëve individë për blerje shtëpie.
Keni kërkesa për kredi hipotekore nga shtetas të huaj ose jorezidentë në Shqipëri? A ofroni financim në këto raste dhe, nëse po, me çfarë kushtesh?
Banka OTP është në përmirësim të vazhdueshëm të gamës së produkteve që ofron, duke u përshtatur me zhvillimet e tregut. Së fundmi, banka po prezanton kredinë hipotekore për emigrantë dhe jorezidentë.
Kredia ofrohet për individë që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë, me të ardhura të formalizuara në vendin ku ata jetojnë dhe që duan të investojnë në blerje pasurish të patundshme në Shqipëri. Në përputhje edhe me kërkesat rregullatore, kushtet kryesore janë verifikimi i aftësisë paguese të klientit dhe mbulimi me kolateral, që mund të jetë një pasuri e paluajtshme në Shqipëri.
Disa firma ndërtimi ofrojnë shitjen e apartamenteve me kredi bankare që në fazën e ndërtimit. Si funksionon bashkëpunimi i bankave me firmat e ndërtimit, për të financuar blerjen e banesave ende në proces ndërtimi ose kontrata porosie?
Siç dihet, mbulimi me kolateral është një nga kriteret që ndikojnë në vendimmarrjen mbi financimin me kredi të klientit aplikues. Në rastin kur kredia financon blerjen e apartamenteve në fazë ndërtimi, mungesa e kolateralit mund të përbëjë një pengesë për financimin e klientëve.
Me qëllim lehtësimin e financimit të blerjes së apartamenteve në fazën e ndërtimit, Banka lidh një marrëveshje të dedikuar me kompanitë ndërtuese. Në marrëveshje përcaktohet skema e bashkëpunimit dhe tipi i garancisë që do të ofrohet për kreditimin e klientëve të cilët duan të blejnë apartamente pranë kompanisë së ndërtimit. Në këto marrëveshje, kompania e ndërtimit luan rolin e garantuesit provizor, deri në momentin e hipotekimit të apartamentit.
Për sa i përket lidhjes së marrëveshjes së bashkëpunimit, Banka kryen një analizë të plotë financiare të kompanisë ndërtuese, si edhe një studim fizibiliteti të projektit që po zhvillohet. Ndërkohë, për vendimmarrjen e financimit të individëve kredimarrës për blerje apartamenti brenda kësaj skeme, do të ndiqet procesi standard i kredidhënies, në përputhje me procedurën e Bankës. Pas regjistrimit dhe hipotekimit të apartamentit, kompania ndërtuese do të lirohet nga detyrimet kontraktuale për kreditë individuale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.