BSH ul për herë të pestë interesin bazë brenda një harku kohor prej 11 muajsh. Pas katër “dështimeve” të para, a pritet që të reflektohet në treg ky lehtësim i politikës monetare
Pasi kishte paralajmëruar në mbledhjet e fundit se do të ndërhynte në treg, nëse ekonomia do të ngadalësohej, Banka e Shqipërisë nuk ka vonuar të veprojë, teksa inflacioni vijon të mbetet i ulët dhe INSTAT njoftoi për një rënie ekonomike në tremujorin e parë. Guvernatori i bankës, z. Ardian Fullani, ka njoftuar javën e kaluar për uljen e normës bazë me 0.25 pikë përqindjeje, duke e çuar në 4%, niveli më i ulët historik ky.
“Ky lehtësim nxit stimulin monetar”, tha Fullani në konferencën për shtyp. Sipas tij, ulja e prodhimit të energjisë dhe tkurrja e ndërtimit ndikoi negativisht në ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto për tremujorin e parë. Ai e vuri theksin në faktin se ka mungesa të stimulit fiskal. “Të ardhurat buxhetore kanë qenë të ulëta, por qeveria ka ulur shpenzimet dhe deficiti është ngushtuar në 2% të PBB-së”, tha Fullani. Investimet private janë të ulëta, ndërsa individët po kursejnë më shumë. Ai shtoi se ka rënë kërkesa për banesa, ndërkohë që biznesi shqiptar nuk ka hapësirë për të investuar. Situata me eksportet paraqitet e përkeqësuar, për shkak të tërheqjes së partnerëve të huaj.
Që nga gushti i vitit të kaluar, deri në mars, BSH kishte ulur katër herë normën bazë të interesit. Por kjo ulje nuk është reflektuar shumë në koston e parasë, teksa interesat e kredive në lekë kanë mbetur të larta. Guvernatori Fullani ka bërë fajtor për mospërçimin e politikës lehtësuese monetare bankat me kapital perëndimor, të cilat janë tërhequr nga blerjet e borxhit të qeverisë, çka ka mbajtur të lartë yield-in e bonove të thesarit, i cili përdoret nga bankat si referencë për përcaktimin e çmimit të kredisë.
Degët e bankave perëndimore, në vijim të politikave të mëmave për të arritur raportin e kapitalit bazë ndaj aktiveve të ponderuara me rrezik në 9% deri në fund të qershorit do të ishin të prirura që të ulnin aktivet e tyre, si përmes uljes së huadhënies ashtu dhe pjesëmarrjes në ankandet qeveritare, teksa të dy këto elementë konsideroheshin me rrezik, duke sjellë dhe këtë situatë në treg dhe duke detyruar guvernatorin e BSH-së që të dalë hapur së fundmi, duke kundërshtuar politikën e bankave me kapital perëndimor. “Në fakt, si rezultat i interpretimit të rregullores së Autoritetit Bankar Europian (EBA), një nga bankat e huaja që operon në Shqipëri e uli ekspozimin ndaj borxhit të qeverisë shqiptare me 3 pikë përqindjeje të PBB-së brenda rreth një periudhe tremujore. Këto veprime shkaktuan zhbalancime në nivelin e likuiditetit në tregun ndërbankar, të cilat nuk mund të zgjidheshin në një kohë të shpejtë, për shkak të problemeve strukturore. Këto zhbalancime u shoqëruan me rritje të normës së interesit për letrat me vlerë të borxhit të qeverisë, duke kufizuar mekanizmin e transmetimit të politikës monetare”, ka pohuar së fundmi guvernatori Fullani, në një takim në Vjenë.
Interesat e kredisë kanë mbetur të larta
Pavarësisht politikës lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, interesat e kredive në lekë nuk kanë shënuar ulje, madje që nga dhjetori, tendenca e tyre ka qenë në rritje, përveç një tkurrjeje të lehtë në prill. Normalisht duhen gjashtë muaj që të ndihen efektet e një vendimi të politikës monetare, por kur ka kaluar pothuajse një vit, kosto e lekut nuk po ulet. Statistikat e muajit maj të Bankës Qendrore tregojnë se interesat mesatare mujore të kredive të reja në lekë shënuan një rritje të lehtë, në 11.28%, nga 11.12% që ishte ky tregues në muajin prill dhe 10.82, që rezultoi në dhjetor 2011.
Rritja e yield-it të interesave të bonove të thesarit (të cilat shërbejnë si referencë për caktimin e çmimit të kredisë në lekë) vlerësohet si arsyeja kryesore e mospërçimit të politikës monetare të BSH-së. Në ankandin e fundit, yield-i i bonove ishte rreth 7.34%, nga nën 7% që rezultoi në fund të vitit të kaluar.
A do të reflektohet ulja në reduktimin e interesave të kredisë në lekë
Tashmë, afati për bankat që të përmbushin objektivin e Autoritetit Bankar Europian për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit 9%, ka kaluar, dhe bankat e Europës Qendrore duket se ia hodhën përsëri. Tërheqja masive e kapitalit, së cilës i trembeshin gjashtë muaj më parë, nuk ndodhi. Ndaj dhe presioni i bankave perëndimore dhe në Shqipëri pritet të jetë më i ulët, duke krijuar hapësira që të fillojë të përçohet politika monetare lehtësuese e BSH-së, çka do të çonte në një ulje të interesave të kredive në lekë, duke i dhënë më shumë frymëmarrje ekonomisë.
Tendenca e yield-it të bonove të thesarit në muajin e fundit ka qenë në rënie, duke dhënë një indikacion se tregu është lehtësuar. Yield-i mesatar i ponderuar i bonove të thesarit me afat maturimi 12-mujor zbriti në 7.34% në ankandin e fundit, nga niveli rekord i këtij viti prej 7.38% që ishte në mes të qershorit. Nëse kjo rënie do të vijojë të jetë e qëndrueshme, atëherë më në fund duket se politika lehtësuese monetare e Bankës Qendrore do të fillojë të japë efekt.
Një tjetër element, që pritet të ndikojë pozitivisht është sjellja më e kujdesshme fiskale e qeverisë. Sipas Bankës së Shqipërisë, “zhvillimet fiskale në tremujorin e dytë të vitit kanë ndjekur linjat e vërejtura në tremujorin e parë të tij, të karakterizuara nga sjellje konsoliduese e politikës fiskale dhe nga orientimi i saj drejt ruajtjes së objektivave për deficitin buxhetor e borxhin publik. Kjo sjellje është shprehur në tkurrjen e shpenzimeve buxhetore me 2.5% në gjashtë muajt e parë të vitit. Ndërkohë, të ardhurat fiskale janë rritur me 3.7% gjatë kësaj periudhe, duke vijuar të shfaqin dinamikë të ngadaltë të komponentit tatimor të tyre. Ecuria e shpenzimeve dhe e të ardhurave publike në gjysmën e parë të vitit është materializuar në ngushtimin e ndjeshëm të deficitit buxhetor në terma vjetorë, në masën 37.7%.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.