Flet Arjola (Brahimi) Xhebro, “Bujtina Xhebro”
Natyra e paprekur dhe largësia nga zonat e populluara është bekim i disa agroturizmeve, por kjo shoqërohet me një kosto po aq të hidhur, siç është mungesa e infrastrukturës rrugore të përshtatshme dhe energjisë.
Arjola (Brahimi) Xhebro, nga “Bujtina Xhebro” në zonën e Nivicës, pohon se në vitin e dytë të aktivitetit, interesi ka qenë i mirë si nga turistët vendas, edhe ata të huaj.
Megjithatë nevoja për mbështetje në disa aspekte nga ana e shtetit është e madhe. Znj. Xhebro tregon se bujtina që tashmë ka marrë formën e një agroturizmi të mirëfilltë, lindi si zanafillë e baxhos të vjetër të familjes, mbi të cilën sot është ngritur baxhoja e re, restoranti e bujtina.
Ne jemi në vitin e dytë të aktivitetit. Bujtina ofron fjetje në pesë dhoma të saj, kurse në katin e parë ndodhet baxhoja e djathit që ka qenë fillesa e gjithçkaje dhe restoranti.
Është ndërtim i ri mbi një ndërtim të vjetër. Ideja e një agroturizmi erdhi natyrshëm që nga koha kur kishim baxhon dhe miq të prindërve të mi dhe të familjes së xhaxhait vinin e na vizitonin.
Aty shërbenim djathin e freskët e pak gjëra të zonës e mw tej lindi ideja e një restoranti.
Babai im, i cili tani nuk jeton më dhe xhaxhai vendosën më pas të ndërtonin atë që kemi sot. Pak me kursimet tona por edhe me një grant nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural, jemi këtu.
Si ka qenë interesi i vizitorëve në këto dy vite dhe a hasni probleme me infrastrukturën duke qenë se jeni në një zonë rurale?
Agroturizmi ndodhet 5 kilometra nga Nivica në Malin e Këndrevicës, në 1 mijë metra lartësi. Është një zonë e bukur, e cila ngjall interes, i cil është vetëm për një pjesë të vitit, kryesisht nga maji në shtator ose tetor.
Më vonë nuk ka lëvizje. Duke qenë larg fshatit kemi pak problem infrastrukturën. Rrugën e kemi ndërtuar vetë dhe makinat mund ta përshkojnë atë. Por për ata që nuk duan të vijnë me makinën e tyre, ne ofrojmë transportin nga fshati në bujtinë, kundrejt një pagese minimale, pasi çmimi i naftës është bërë i papërballueshëm.
As lidhje energjie nuk kemi dhe për ndriçim dhe ujin e ngrohtë kemi investuar në panele, për gatim e bëjmë me dru zjarri. Për rrugën, por edhe për lidhjen e energjisë, gjithsesi kemi marrë premtime nga institucionet se do të bëhen.
Cilët janë vizitorët që vijnë në bujtinën tuaj, a kanë interes të huajt?
Ne kemi pak kohë si aktivitet, por interes kemi pasur edhe nga të huaj. Sigurisht që vizitorët kanë qenë më shumë vendas, kryesisht nga Tirana dhe Vlora.
Sidomos nga Vlora kemi më shumë, sepse është bërë rruga e re që lidh Vlorën me Kuçin dhe është vetëm një orë larg për të ardhur tek ne, çka e lehtëson shumë. Zakonisht vijnë për një ditë, por edhe në fundjavë jemi plot në ato 5 dhoma, ndonjëherë detyrohemi të lëshojmë edhe dhomën e 6 që e kemi për përdorim tonin për shkak të fluksit.
Si funksionon agroturizmi juaj sa i takon lidhjes që ka me ekonominë lokale, banorët e zonës?
Po lidhja e parë është baxhoja, që ka qenë dhe më e hershme. E hapim tani dhe e mbajmë deri në fund të gushtit, sepse ka prodhime bulmeti të freskët.
Jemi të lidhur me barinjtë zonës dhe bënim më parë përpunimin e 1500 litrave qumësht në ditë. Tani kjo sasi ka rënë, pasi një pjesë e barinjve i kanë shitur tufat.
Ndërkohë që edhe mishin e marrim këtu në zonë. Lidhemi me banorët e Nivicës për nevojat që kemi edhe për produktet bujqësore, përveç atyre që prodhojmë vetë. Sigurisht që te familjet e zonës mbështetemi edhe për fuqinë punëtore që na duhet, përveç familjeve tona, që jemi të angazhuara. Në total jemi staf 10 veta.
Duan më shumë gatime të zonës, gjëra tipike si petanik, lakror të gatuar në saç. Për ata që duan të bëjnë shëtitje në natyrë ka alternativa të shumta.
Kryesisht këtë tendencë kanë të huajt gjermanë, grekë që vijnë në bujtinën tonë. Janë të dashuruar me malet dhe vijnë me biçikleta, motoçikleta. Duan qetësinë dhe jo shumë popullim.
A keni probleme për të gjetur punonjës kur ju duhet staf shtesë në kohë fluksi?
Kjo është një zonë shumë e mirë dhe në zhvillim, por është sfidë për të gjetur fuqi punëtore sepse banorët e zonës nuk janë shumë të interesuar të punojnë në shërbim.
Qoftë kur na duhet një kopshtar, mirëmbajtës, ndihmës në kuzhinë apo sanitare është vështirë të gjesh.
Mund të vijnë një ditë dhe ditën tjetër jo dhe pagesa nuk është e vogël, por thjesht nuk e shohin si alternativë.
LEXONI EDHE:
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.