Flet Fundim Gjepali, “Agroturizëm Gjepali”
Agroturizmi nuk u ka shpëtuar kostove të rritura që po përjetojnë shumica e sektorëve gjatë këtij viti. Fundim Gjepali, nga Agroturizëm Gjepali, e cilëson këtë vit pozitiv për nga ecuria.
Megjithatë ai thekson se ka pasur shtrenjtim të kostove, ku vetëm mishi është rritur me 30%, ndërkohë edhe qumështi është shtrenjtuar.
Zgjerimi i agroturizmit vlerësohet pozitiv por sipas Gjepalit duhet të ketë kontroll të standardeve dhe kritereve, në mënyrë që të ruhet cilësia e shërbimit dhe raportet e drejta me ata që i respektojnë ato.
Viti 2021 nisi me vështirësim për shkak të pandemisë. Kishte kufizim oraresh që detyronin mbylljen e bareve-restoranteve e të gjithë bizneseve në orën 20:00 dhe kjo zgjati për disa muaj.
Ishte një goditje edhe për ne si sektor, madje më e fortë sesa e para, pasi kufizonte ndjeshëm qarkullimin e njerëzve.
Nga prilli që u hoq ora policore e në vazhdim pati vetëm rritje, duke kulmuar me korrik-tetor që ishte shumë mirë për shkak të turizmit. Tani ka rënë sërish në një lloj qetësie, për shkak të kufizimeve pra nuk ka lëvizje turistësh drejt Shqipërisë.
Nuk presim të ketë ndonjë ndryshim të madh me fundvitin, pasi shqiptarët mbeten popull tradicional që festat i feston në një pjesë të mirë në familje. Mendoj se do ndikohemi pak në këtë drejtim dhe flas për ndikim pozitiv kuptohet.
Cilët kanë qenë në përgjithësi turistët që ju kanë vizituar gjatë këtij viti në agroturizmin tuaj, si kanë qenë rezervimet?
Ka pasur interes të lartë për të qëndruar në strukturën akomoduese të agroturizmit, duke e parë si një përvojë të veçantë. Rezervime kemi pasur përveç familjeve shqiptare, edhe nga të huajt. Këta të fundit mendoj se ndikohen kryesisht nga rrjetet sociale dhe reputacioni i krijuar online.
Fuqia e internetit është e jashtëzakonshme. Një dokumentar i realizuar për shembull nga një blogere ruse, me 15 mijë ndjekës që përfshiu Vlorën, Sarandën dhe agroturizmin tonë, ndikoi pozitivisht, duke rritur frekuentimin nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Kishte turistë nga Bjellorusia, Ukraina, Rusia.
Kemi konstatuar rritje të disa produkteve në sektorë të ndryshëm që kanë zanafillën nga rritja e kërkesës post-pandemisë. Po tek ju, a ka pasur ndryshime?
Produktet janë një problem shumë serioz për të gjithë. Ka pasur rritje në disa drejtime që na kanë ndikuar, por ne nuk e kemi reflektuar këtë me rritjen e çmimeve tona. Mishi, për shembull, është rritur mes 30-40% dhe është një produkt kryesor nëpër agroturizme.
Edhe qumështi është rritur. Ne përdorim qumështin e zonës nga fshatarët që kemi këtu, për të prodhuar disa produkte tona. Rritja ka ardhur, sepse dhe fermerëve të zonës u është rritur kostoja për fermat e tyre dhe është përcjellë zinxhir.
Ne kemi bërë një sakrificë dhe kemi mbajtur vetë peshën e këtij shtrenjtimi sepse mendojmë që nuk është momenti për të rritur çmimet. Pandemia ka shtrenjtuar shumë produkte dhe familjeve ju është rritur barra ndaj është momenti që të bëhen disa sakrifica për të ecur para të gjithë. E kemi balancuar shtrenjtimin disi me faktin që perimet kryesore sezonale i kemi pasur vetë dhe kjo na ka dhënë një dorë.
Si e gjykoni vëmendjen e treguar ndaj sektorit të agroturizmit nga qeveria në një kohë të vështirë si kjo e pandemisë?
Mendoj se vëmendja për agroturizmin ka qenë e madhe me lehtësimet që janë dhënë më herët dhe kjo ka sjellë edhe rritje. Por ajo që mendoj se ka nevojë të shihet me kujdes është kontrolli që duhet të bëhet, që të respektohen kriteret, duke ruajtur edhe një lloj standardi për këtë kategori. Po flasim për ato rregulla që janë në fuqi dhe lidhen me produktet e zonës, me nxitjen e produkteve shqiptare.
Gatimet tona janë të gjitha nga produktet e zonës. Të paktën 95% e verës që qarkullon është shqiptare. Ky është një parim që duhet ta kenë agroturizmet që janë të certifikuar. Duhet të respektohen disa parime në mënyrë që të mos abuzohet për të ruajtur edhe emrin e mirë të një sektori në rritje.
Po sa i takon infrastrukturës, apo energjisë, a keni pasur shqetësime?
Energjia elektrike ka qenë një problem i madh i cili na detyroi të bëjmë një shpenzim të konsiderueshëm për blerjen e një gjeneratori. Falë lehtësimit që kishim nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural arritëm ta zgjidhnim disi këtë.
Me aplikimin në skemën kombëtare u shpallëm fitues dhe përfituam. Çështja e energjisë duhet të shihet me përparësi gjithsesi sepse një shpenzim 18 mijë euro për një gjenerator është një kosto e madhe për një biznes si ne që bëjmë investime të vazhdueshme.
Si e parashikoni vitin 2022, duke pasur parasysh ecurinë e këtij viti por edhe zhvillimet me pandeminë?
Unë jam shumë optimist për vitin 2022 dhe të gjithë energjitë e mira janë në këtë vit pasi e shoh se do të kemi një kthim të investimeve që kemi bërë ndër vite. Kjo do jetë prova finale mendoj, pasi jemi në vitin e tretë dhe hyjmë në të katërtin që kemi hapur dyert.
E them këtë, pasi vit pas viti kemi plotësuar të gjithë elementet e një agoturizmi, kemi bërë fermën dhe kemi organizuar më së miri produktet. Cilësia është e mirë, kemi trajnuar banorët e zonës për cilësinë që duam dhe është një punë kolosale që ka marrë tani drejtim.
Ne mundohemi jo të mendojmë të ardhmen, por të jemi e ardhmja, duke ecur me parimet që gjithçka të jetë sa më miqësore me mjedisin, të jetë “green” (gjelbër, të eliminojmë plastikën tërësisht dhe të promovojmë produktet shqiptare duke eliminuar ato të huaja.
Orientimi drejt agroturizmit nuk është diçka rastësore për mua, pasi vij nga një histori familjare që ka qenë e lidhur me bujqësinë dhe blegtorinë dhe mendoj që të zhvillohet me standarde siç janë fermat bujqësore duke rilindur historinë që ka pasur në vitet 1900. Agroturizmi është i lidhur ngushtë me vendin ku zhvillohet. Ne kemi 12 punonjës në strukturë dhe shumë familje të lidhura për hallkat e tjera të nevojshme.
Mendoj se kjo është forca më e madhe e agroturizmit që bashkon të gjithë në një me një sinergji të jashtëzakonshme me fshatin ku është edhe prodhimi. Është humbje energjie të prodhosh vetë, ndaj sinergjia me fshatarin të mundëson që ti të fokusohesh te shërbimi, duke sjellë bashkë një produkt unik. Kjo është arsyeja pse 2022 e shoh me shumë optimizëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.