Interesi real i letrave me vlerë të qeverisë, bonot e thesarit me maturim 12-mujor, instrumenti më i preferuar për investime, ka kaluar në nivele negative dy muajt e fundit, teksa inflacioni është përshpejtuar në 2%.
Në ankandin e datës 20 shtator, interesi i bonove 12-mujore, shënoi 1.62%. Ndonëse me rritje të lehtë, ky interes i indeksuar me inflacionin që ishte 2% për muajin gusht, bie në -0.3%.
Teksa shihet se edhe interesi real i investimit edhe në obligacionet dyvjeçare është afër zeros.
Obligacionet dyvjeçare u shiten këtë javë kundrejt një interesi 2.03%, gati në një nivel me inflacionin. Interesat e ulëta të letrave me vlerë të qeverisë po vijnë për dy arsye, – shpjegojnë ekspertët. E para lidhet me politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka ulur në minimumet historike normën bazë të interesit, e cila momentalisht 1.25%, duke shërbyer si një referencë për ulje të të gjitha interesave në tregun e brendshëm.
Arsyeja e dytë lidhet me ofertën e bollshme të bankave për të investuar likuiditet në letrat me vlerë të qeverisë, duke qenë se kredia për ekonominë është drejt stopimit për shkak të nivelit të lartë të kredive me probleme dhe mungesës së kërkesës për kredi nga ana e biznesit.
Ministria e Financave ka shpjeguar se gjatë këtij viti, investitorët kryesorë (sistemi bankar) për shkak të orientimit të bankave mëma, si dhe në kuadër të kufizimeve lidhur me raportet e likuiditetit, barrës së kapitalit dhe ekspozimit ndaj borxhit sovran janë orientuar drejt bonove të thesarit. Gjithsesi, orientimi i sistemit bankar drejt titujve afatshkurtër është kompensuar nga rritja e kërkesës së individëve dhe orientimi i tyre më së shumti drejt titujve afatgjatë.
Referuar skenarit bazë për administrimin e borxhit, financimi i brendshëm për periudhën 2016-2018 do të jetë në nivelin e 90%-92% të totalit të financimit, ndërkohë që financimi nëpërmjet titujve afatgjatë do të synojë të rritet deri në 30%-32% në vitin 2018, nga 17% që vlerësohet në vitin 2015.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.