Interneti nga rrjetet celulare, trafik rekord në tremujorin e tretë

15/12/2020 10:00 AM 0 komente

Interneti u konfirmua si shërbimi dominues në biznesin e komunikimeve të lëvizshme edhe në tremujorin e tretë të vitit. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, interneti është i vetmi shërbim që shënoi rritje krahasuar me një vit më parë.

Trafiku i të dhënave nga rrjetet e lëvizshme arriti në 23.3 milionë GB (gigabyte), në rritje me 23.8% krahasuar me tremujorin e dytë dhe 15.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shifra e tremujorit të tretë përfaqëson njëherësh një rekord historik për sa i takon trafikut të të dhënave nga rrjetet celulare gjatë një tremujori. Mesatarisht, çdo përdorues i telefonisë celulare shpenzon 3.97 GB internet në muaj, 16.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, shërbimet e tjera bazike të operatorëve të rrjeteve të lëvizshme, trafiku i thirrjeve zanore pësoi rënie me 3.9%, ndërsa mesazhet e shkruara u tkurrën me 29.5%.

Megjithatë, në krahasimin mes tremujorit të dytë dhe të tretë, efekti i sezonit turistik në treguesit e telefonisë celulare ishte i dukshëm. Totali i thirrjeve dhe i SMS-ve u rrit krahasuar me tremujorin e dytë, përkatësisht me 8.2% dhe 20.9%. Edhe numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare u rrit me 7.9% krahasuar me tremujorin e dytë. Pavarësisht se sezoni turistik ishte më i zbehtë, i ndikuar nga pandemia e Covid-19, efektet e tij ishin të prekshme në tregun e shërbimeve celulare.

Por, përtej efekteve sezonale, erdhe tremujori III 2020 konfirmoi tendencat afatgjata të tregut. Numri i përdoruesve active (i kuptuar si numër kartash SIM aktive), nga viti në vit po bie, sepse gjithnjë e më pak individë e kanë të nevojshme të përdorin disa numra celularë. Kjo tendencë nisi në momentin kur AKEP ndaloi diferencimin e tarifave për shërbimet brenda rrjetit me ato jashtë rrjetit. Gjithashtu, interneti po bëhet gjithnjë e më shumë biznesi bazë i operatorëve të sektorit.

Aparati celular është tashmë instrumenti kryesor për t’u informuar, për t’u argëtuar dhe për të ndërvepruar në epokën e internetit. Aplikacionet e mbështetura tek interneti po zëvendësojnë gjithnjë e më shumë mesazhet e shkruara, por edhe thirrjet zanore. Me rritjen e trafikut të të dhënave, konkurrenca mes operatorëve, veç çmimeve, po zhvendoset edhe te cilësia e internetit. Edhe marketingu i operatorëve celularë tani dukshëm po e vendos gjithnjë e më shumë theksin te cilësia e rrjetit.

Nga ana tjetër, kjo kërkon më shumë investime për zhvillim rrjeti dhe kapacitete të reja transmetuese. Shumë tregje janë hedhur tashmë në gjeneratën e re të komunikimeve të lëvizshme, atë 5G. Shqipëria ende nuk ka hapur garën për dhënien në përdorim të këtyre frekuencave, por kjo pritet të ndodhë vitin e ardhshëm për të mos ngelur mbrapa tregjeve të tjera dhe për të mos humbur hapin e zhvillimit, në një kohë interneti është një faktor kyç për zhvillimin social dhe ekonomik. /E.Shehu

Burimi: AKEP

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of