Tregu i internetit me linja fikse numëroi pak më shumë se 533 mijë abonentë në mesin e këtij viti.
Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se numri i abonentëve u rrit krahasuar me tremujorin e parë, me rreth 10 mijë abonentëve më shumë.
Megjithatë, numri i përgjithshëm ngelet në nivele më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me 2.7%, ose rreth 15 mijë abonentë më pak.
Tregu në dekadën e fundit është bërë gjithnjë e më konkurrues, sidomos në qendrat e mëdha urbane, ku përqendrimi i popullsisë është më i lartë. Krahasuar me tregun celular, tregu i internetit fiks ka një shkallë më të ulët përqendrimi dhe duket më konkurrues në strukturën e ndarjes së tij sipas operatorëve.
Tremujori i dytë shënoi edhe një zhvillim simbolik në strukturën e tregut të shërbimit të internetit. Për herë të parë, Albtelecom nuk është më operatori më i madh i shërbimit të internetit në vend dhe e ka humbur vendin e parë ndaj Vodafone.
Vodafone Albania në mesin e këtij viti raportonte rreth 122 mijë abonentë të internetit nga linjat fikse, në rritje me 7.8% krahasuar me tremujorin e parë dhe 16.7% me bazë vjetore. Me këtë shifër, Vodafone zotëron rreth 22.9% të tregut të internetit broadband nga linjat fikse.
Vodafone Albania hyri në këtë treg në vitin 2020, kur finalizoi blerjen e operatorit të linjave fikse Abcom dhe qysh atëherë ka raportuar një rritje të shpejtë në këtë segment të tregut.
Ndërkohë, Albtelecom vijoi tendencën rënëse edhe gjatë tremujorit të dytë. Numri i përgjithshëm i abonentëve ra në më pak se 114 mijë, 0.7% më pak krahasuar me tremujorin e parë dhe 6.5% me bazë vjetore. Albtelecom zotëron tashmë 21.3% dhe e ka humbur kryesimin e tregut për herë të parë, të paktën që nga periudha kur AKEP publikon statistikat periodike për tregun. Këtë vit, Albtelecom u ble nga kompania hungareze 4iG, së bashku me operatorin celular ONE. Investitori ka nisur procesin e bashkimit të dy kompanive, që pritet të finalizohet në fillim të vitit 2023.
Kompanitë e tjera janë ende larg dy aktorëve mbizotërues në treg, por me një tendencë të vazhdueshme në rritje. E treta pozicionohet ASC (Tring), me 10.5% të tregut, e ndjekur nga Abissnet, me 8% dhe Digicom, me 4.8%.
Në këtë treg veprojnë edhe një numër i konsiderueshëm operatorësh më të vegjël rajonale dhe lokalë, që, të marrë së bashku zënë një pjesë domethënëse, prej rreth 24.6% të numrit të përgjithshëm të abonentëve./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.