Rritja më e madhe e penetrimit të internetit nëpërmjet telefonave të zgjuar dhe tabletave
Shërbimi i internetit përbën tregun me rritjen më të fortë në sektorin e komunikimeve elektronike. Të dhënat e publikuara në kuadër të projektit të BE-së për monitorimin e vendeve në procesin e zgjerimit në Bashkimin Europian nëpërmjet raportit Cullen International 2014 tregojnë se ky sektor ka gjeneruar rritjen më të fortë mbi baza vjetore.
Numri i personave me akses në internet fiks (në shtëpi) është rritur në të gjitha vendet nën monitorim, në mënyrë të veçantë në Kroaci dhe Maqedoni. Në Islandë, Maqedoni, Serbi dhe Shqipëri, pjesa e tregut e operatorit kryesor të telefonisë fikse, matur nga numri i lidhjeve të internetit është pak a shumë e krahasueshme me mesataren e vendeve të BE-së, rreth 42.3%.
Në termat e teknologjisë, xDSL vazhdon të ketë një rol lider duke u llogaritur në 79% të lidhjeve fikse të internetit në vendet në procesin e zgjerimit, ndërkohë që lidhjet kabllore të internetit janë rreth 12%. Në Shqipëri, lidhjet FTTx janë rritur më shumë se dy herë, duke ndjekur një rritje të fortë të lidhjeve të Albtelekom në vitin 2012 nëpërmjet lidhjeve xDSL nëpërmjet MSANs.
Ndarja e linjave të internetit sipas shpejtësisë tregon një trend drejt paketave të internetit me shpejtësi të lartë në të gjitha vendet dhe me rritje në mënyrë të veçantë për kategoritë 2-4 Mbps dhe 4-8 Mbps.
Interneti nëpërmjet celularëve
Interneti nëpërmjet celularëve është segmenti më dinamik dhe me rritjen më të shpejtë të tregut të komunikimeve elektronike. Rritja në shkallën e penetrimit nëpërmjet teknologjisë 3G është ngadalësuar në vitin 2012, por gjithsesi është ofruar si mundësi dhe është rritur aksesi nëpërmjet telefonave të zgjuar dhe tabletave si një alternativë. Në Serbi dhe Kroaci, shkalla e penetrimit të internetit e matur për gjithë aparatet, përfshirë smartfones e kalon 50%, duke qenë afër mesatares së BE-së prej 54%.
J.B
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.