Sipas një raporti të fundit, lidhur me Programin Interreg Ballkan-Mediterranean, është përfunduar procesi i lidhjes së Kontratave të financimit për projektet e përzgjedhura për financim (30 Projekte) dhe ka filluar zbatimi i tyre.
Në këto projekte ka një numër të madh partnerësh shqiptarë (36 institucione dhe OJF) krahasuar me vendin tjetër IPA pjesëmarrës në Program (Maqedoninë), citon raporti.
Në JMC (Komiteti i Përbashkët i Monitorimit) e zhvilluar në datat 11-12 Korrik 2018 në Tiranë,u vendos që dhe 7 projekte të tjera që ishin në listën rezervë të financohen nga ky program,duke qenë se ky program nuk do të ketë më thirrje. Aktualisht projektet janë në fazën e implementimit. Ndërkohë, një nga objektivat e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme ka qenë fuqizimi i kapaciteteve të institucioneve (qendrore, rajonale dhe lokale) në përthithjen e sa më shumë fondeve nga instrumentet e bashkëpunimit territorial.
Në këtë kuadër, janë organizuar Seminare mbi zbatimin e Projekteve të financuara nga Programet Mali i Zi-Shqipëri, Greqi-Shqipëri dhe ndërkohë brenda gjashtë-mujorit të parë të vitit të 2019 do të zhvillohen të tillë dhe për Programet e tjera të cilat presin të shpallin thirrje për projekt propozime. MEPJ ka vendosur theks të veçantë në fuqizimin e rolit të pushtetit lokal në zbatimin e projekteve të financuara nga BE duke asistuar në ngritjen e rrjetit të koordinatorëve lokalë në të 61 bashkitë e vendit.
Gjatë këtij viti, një seri aktivitetesh dhe masash konkrete do ndërmerren nga MEPJ me qëllim lehtësimin e procedurave të zbatimit të këtyre projekteve, masa që kryesisht lidhen me lehtësimin e rregullave të prokurimit, përjashtimi nga vlefta e TVSH për blerjet në kuadër të projekteve të tilla apo mbulimi i pjesshëm/plotë nga buxheti i shtetit të vlerës së bashkëfinancimit.
Për këtë qëllim, vendosja e një dialogu të qëndrueshëm dhe konstant mes MEPJ si koordinator Kombëtar i fondeve të BE, dhe aktorëve lokalë (institucione, organizata) dotë jetë prioritet i aksionit të Ministrisë në vitin e ardhshëm.
Programet e Bashkëpunimit Territorial konsiderohen si një “akademi” në përgatitjen e vendeve kandidate për të përthithur fondet ERDF (fondet e zhvillimit rajonal evropian) të cilat bëhen të aksesueshme pas anëtarësimit dhe kanë vlera shumë të mëdha. Pra, forcimi i kapaciteteve të administratës dhe organizatave shqiptare në zbatimin e këtyre Programeve dhe projekteve është vlerë e shtuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.