Intervistë me Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Intesa Sanpaolo në Shqipëri
Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Intesa Sanpaolo, thotë për revistën “Monitor” se sektori bankar ishte kontribuuesi më i madh në mbështetjen e sektorit privat në periudhën e krizës, fillimisht nëpërmjet shtyrjes së kësteve dhe më tej, falë vazhdimit të kreditimit. Ai shprehet se viti 2020, për sektorin bankar, ishte shumë më i mirë se pritshmëritë e zymta që u krijuan pas shpërthimit të pandemisë.
Sipas tij, deri tani, efektet e krizës janë ndier më shumë te klientët e vegjël të sektorit bankar, ndërsa për bizneset, ky efekt do të jetë më i dukshëm në muajt në vazhdim. Megjithatë, Intesa Sanapaolo nuk pret një përkeqësim shumë të rëndësishëm të raportit të kredive me probleme. Në një skenar negativ, raporti pritet të rritet deri në 2 pikë përqindje.
Si do ta vlerësonit ecurinë e bankës suaj në vitin 2020? Cilat do të veçonit si arritjet më domethënëse dhe sfidat kryesore në aktivitetin tuaj?
Pas tërmetit në fund të vitit 2019 dhe shpërthimit të pandemisë, 2020 paraqitej si një vit shumë i vështirë, si për shëndetin e njerëzve, ashtu edhe për ecurinë e ekonomisë. Ishte një vit potencialisht shumë i vështirë, ndoshta i paprecedentë në të shkuarën. Në këndvështrimin njerëzor, në radhë të parë, ishte një vit i trishtueshëm për shumë njerëz dhe duhet respektuar dhimbja e tyre.
Por, edhe në këndvështrimin ekonomik, ishte vit i vështirë për shumë familje dhe biznese, duke vënë në rrezik ekzistencën e tyre. Disa biznese u mbyllën, disa të tjera u riorientuan, ndërsa të tjera bënë të pamundurën për të mbijetuar dhe po përballen me pasojat edhe sot. Banka është e lidhur ngushtë me ekonominë, ndaj kur ekonomia kalon një moment të vështirë, vështirësitë natyrisht do të prekin edhe bankat.
Megjithatë, kam kënaqësinë të them se, përballë një situate që i ngjante një uragani, e gjithë Shqipëria reagoi shumë mirë, në disa këndvështrime më mirë se shumë vende të Europës dhe të rajonit. Kjo është një arritje për të cilën duhet vlerësuar e gjithë shoqëria, përfshi këtu edhe bankat. Përgjithësisht, bankat regjistruan rezultate të mira për vitin 2020. Ne si Intesa Sanpaolo arritëm të gjithë objektivat sasiorë dhe cilësorë që kishim vendosur para pandemisë. Nuk e kam fjalën vetëm për fitimet, sepse viti i kaluar nuk duhet vlerësuar, duke u nisur nga fitimi që bankat arritën. Por, bëmë edhe më shumë.
Në momentin më të vështirë, bankat injektuan likuiditet në ekonomi, qoftë nëpërmjet shtyrjes së kredive, ashtu edhe nëpërmjet kredive me linjat e garancisë. Ndoshta kjo nuk është theksuar mjaftueshëm, por kontributi i bankave ka qenë më i madhi në mbështetjen e ekonomisë në periudhën e pandemisë. Dhe mendoj se bëmë shumë mirë. Ndryshe nga sa mendohet, se bankat “të japin çadër vetëm kur koha është me diell”, vitin e kaluar bankat i ofruan ekonomisë një “çadër” edhe në “rrebesh”. Ishte detyrim moral, social, por edhe në interesin tonë, sepse jemi të gjithë të lidhur me njëri-tjetrin.
Vitin e kaluar, Intesa Sanpaolo ishte ndër bankat me rritjen më të lartë të portofolit të kredisë, ndryshe nga sa kishte ndodhur në vitet e mëparshme. Pse ndodhi kjo?
Është e vërtetë. Në 2020-n patëm rritje dyshifrore të portofolit të kredisë, ndër më të lartat në sistem. Megjithatë, ne kemi kredituar gjithmonë, edhe në vitet e mëparshme. Ndoshta rritja ka qenë më e vogël, sepse ne aplikonim pastrime të kredive të këqija, çka ndikonte në portofolin total të kredisë. Dua të them se portofoli është rritur kënaqshëm në pjesën e vet të shëndetshme.
Ky është gjithashtu një nga sukseset e mëdha të vitit 2020. Me gjithë këtë situatë, ne e mbyllëm vitin 2020 me një raport të kredive me probleme pothuajse sa gjysma e mesatares së sistemit, në nivelin 4.5%. Madje, në dy muajt e parë të 2021, rënia ka vazhduar dhe në fund të muajit shkurt, ishim në nivelin 3.8%. Në këtë periudhë janë parë më shumë rezultatet e një pune që vazhdonte prej vitesh.
Megjithatë, mbajtja nën kontroll e kredive me probleme u ndihmua edhe nga masat e përkohshme rregullatore të Bankës së Shqipërisë. Mendoni se me shfuqizimin e këtyre masave do të kemi një rritje të treguesit të kredive me probleme?
Ne, tani, mund të gjykojmë mbështetur në shifrat e ecurisë së ekonomisë. Shqipëria pati një rezultat më të mirë krahasuar me shumë vende të tjera, por sidoqoftë pësoi një tkurrje të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Është e pashmangshme që kjo do të sjellë pasoja negative, por ne shpresojmë t’i kalojmë sa më shpejt të jetë e mundur. Pati sektorë që nuk vuajtën nga pandemia, por pati edhe sektorë me pasoja të rënda. Është logjike të pritet që të ketë ndërmarrje të cilat mund të hyjnë në krizë likuiditeti, sidomos në ata sektorë që u goditën më shumë, si për shembull turizmi, fasoneria dhe transportet.
Kam besim se për turizmin, sezoni i këtij viti do të jetë më i mirë se vitin e kaluar. Kjo do të ndihmojë rimëkëmbjen e shumë bizneseve të këtij sektori dhe ata do të mund të rezistojnë në treg. Por, do të ketë edhe të tjerë që do të vuajnë më shumë dhe do të ketë edhe ndërmarrje që nuk do t’ia dalin të mbijetojnë. Në muajt e fundit të 2020-s, ne kemi vërejtur një rritje të kredive me probleme, sidomos në segmentin e kredive konsumatore të individëve. E prisnim që do të ndodhte, përderisa pati shumë njerëz të cilët humbën punën apo pësuan ulje të pagës.
Për momentin, nuk kemi parë pasoja shumë të rënda në segmentin e biznesit, por mendojmë se deri në shtator, mund të kemi pasoja negative edhe në këtë segment. Sidoqoftë, dua të theksoj se këto pasoja do të jenë shumë më të kufizuara nga sa prisnim një vit më parë, ose 6 muaj më parë. Kjo është pozitive. Pati një rritje të interesit për të blerë pasuri të paluajtshme dhe kjo mbështeti rritjen e kërkesës për kredi hipotekore. Pati edhe sektorë që e kaluan krizën pa pasoja, si për shembull tregtia e mallrave të konsumit, disa segmente të shërbimeve, sidomos ato të lidhura me teknologjinë, etj.
Keni ndonjë projeksion pikësor për rritjen e pritshme të raportit të kredive me probleme?
Ne çdo vit punojmë me skenarë të ndryshëm, edhe për efekt të stress-testeve që bëjmë rregullisht. Sipas skenarit tonë bazë të stress-testeve të fundit, raporti i kredive me probleme nuk presim të arrijë më shumë se 5%, nga 3.8% aktualisht. Këto sigurisht mbështeten në skenarë që jo domosdoshmërisht do të realizohen, por kam besim se raporti i kredive me probleme nuk do të rritet më shumë se 1% deri në 2%.
Në këndvështrimin tuaj, cilat ishin ndryshimet më të rëndësishme që solli pandemia, në mënyrën e të operuarit ose në modelin e biznesit të bankave tregtare?
Duhet të kemi parasysh se COVID nuk është larguar dhe ndoshta do të jetë i pranishëm për vite. Pandemia nxiti disa ndryshime strukturore, nga të cilat nuk do të kthemi më mbrapsht. Për shembull, punonjësit janë mësuar të punojnë nga shtëpia. Duhet të zhvillojmë kanale dhe teknologji që t’iu shërbejmë klientëve edhe në këtë mënyrë.
Kjo është një nga arritjet tona të mëdha të kësaj periudhe. Megjithëse punojmë me rreth 70% të stafit nga shtëpia, shërbimi për klientët është edhe më i mirë se më parë dhe me kosto më të ulëta. Po zhvillojmë shumë teknologjinë, sistemet e mobile banking, po investojmë shumë para, për ta dixhitalizuar sa më shumë që të jetë e mundur raportin me klientët. Kur them dixhital, dua të them edhe më transparent. Gjërat nuk janë ende të përkryera, por po punojmë. Ishte e qartë se revolucioni dixhital kishte filluar, por kriza solli përshpejtim të konsiderueshëm.
Veç kësaj, do të shtoja edhe një fenomen më social. Bankat kuptuan se në kushtet e krizës duhet të vlerësonin burimet e tyre njerëzore, edhe më shumë se zakonisht, duke iu mundësuar të punonin në mënyrë të sigurt. Sot jemi para një sfide të rëndësishme. Duhet të gjejmë ekuilibrin e duhur mes eficiencës në punë dhe një stili jetese të kënaqshëm dhe të balancuar të punonjësve tanë. Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm.
Gjithashtu, dixhitalizimi ndihmon shpejtësinë dhe transparencën. Kur klientët të mund të nënshkruajnë kontratat në rrugë dixhitale, do të kenë mundësi t’i lexojnë më me kujdes dhe të krahasojnë kushtet që ofrojnë banka të ndryshme. Këtu gjej rastin të theksoj që ne si bankë mbështesim plotësisht projektin e Bankës së Shqipërisë për të vendosur një normë tavan të interesit për kreditë konsumatore.
Cilat janë pritshmëritë dhe objektivat tuaja kryesore për ecurinë e biznesit në vitin 2021?
Ne presim një rikuperim pothuajse të plotë të asaj që ekonomia humbi në 2020, madje në një skenar optimist, edhe një tejkalim. Tremujori i parë u mbyll dhe rezultatet janë të mira, si
në këndvështrimin sasior, ashtu edhe në atë të përfitueshmërisë. Duket se “retë” po largohen. Shpresoj që të ketë vijueshmëri në këtë vend. E kam fjalën për reformat, për projektet e rëndësishme infrastrukturore. Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, shpresoj të ketë vijueshmëri. Vendi ka nevojë për qetësi dhe vijueshmëri të rrugës së mirë që ka nisur.
Të mos harrojmë se sot Shqipëria është një vend më i mirë se tre, pesë, dhjetë vite më parë. Sigurisht, mund të bëhet më mirë, por duhet të vazhdojë këtë rrugë rritjeje. Mendoj se Shqipëria do të dalë nga kriza më e fortë, edhe krahasuar me shumë vende fqinje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.