Intesa Sanpaolo Bank Albania njofton se ka ofruar ndërprerje të përkohshme të pagesave të kredive (moratorium), ristrukturim kredie dhe kredi të reja me një periudhë shtyrjeje pagimi 6-mujore (grace-period) për qytetarët e prekur nga pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit.
Pas ngjarjeve tragjike që tronditën vendin në 26 Nëntor 2019, Këshilli Drejtues i Intesa Sanpaolo Bank Albania në mbështetje të plotë të angazhimit të tij për lehtësimin e gjendjes së qytetarëve të prekur nga pasojat e tërmetit, ka vendosur të prezantojë dhe ofrojë skema financiare të hartuara posaçërisht për qytetarët dhe subjektet juridike, sipas një njoftimi zyrtar të bankës.
“Plani i Mbështetjes për të Prekurit nga Tërmeti” [1] synon të ndihmojë të gjithë qytetarët të cilët kanë humbur të afërmit, banesat, bizneset, vendet e punës si dhe subjektet që kanë nevojë për financim të ri për të riparuar dëmet, për të mbuluar kostot e zhvendosjes dhe për plotësimin e nevojave të tjera të menjëhershme.
“Plani i Mbështetjes për të Prekurit nga Tërmeti” do të ofrojë mundësinë e shtyrjes ose riskedulimit të ripagimit të kredisë (hipotekore, personale ose biznesi) dhe financime të reja për riparime ose qëllime të tjera që lidhen me objektivat e këtij plani.
Përkatësisht, “Plani i Mbështetjes për të Prekurit nga Tërmeti” është krijuar për të ofruar opsionet e mëposhtme financiare:
-Klientët ekzistues të Intesa Sanpaolo Bank Albania të cilët kanë një kredi hipotekore/ personale/ biznesi do të kenë mundësinë të aplikojnë për:
- Ndërprerjen e përkohshme të pagesave të kësteve të kredisë (moratorium) për një periudhë deri në 12 muaj. Pagesa e këtyre kësteve do të shtyhet në fund të periudhës së ripagimit.
- Ristrukturimin e një kredie ekzistuese me qëllim zvogëlimin e shumës së pagesave periodike dhe zgjatjen e maturimit të kredisë.
-Klientët e rinj të Intesa Sanpaolo Bank Albania: Të gjitha aplikimet për kredi afatshkurtër ose afatmesme do të gëzojnë një periudhë shtyrje pagimi (grace-period) prej 6 muajsh dhe një normë interesi preferenciale.
[1] Aplikimi i dorëzuar do të analizohet me një Proces Aprovim Kredie më të thjeshtë dhe më të shpejtë, bazuar në qasjen rast pas rasti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.