Invest Macedonia në Shqipëri, treg të përbashkët për investimet, tregtinë dhe turizmin

17/10/2017 12:18 PM 0 komente

Në datat 17-18 tetor 2017 në Tiranë do të mbërrijnë për një vizitë zyrtare Z. Igor Trajanovski, Zëvendësdrejtor Ekzekutiv i Invest Macedonia dhe bashkëpunëtorët e tij. Gjatë qëndrimit të tyre dy ditor ku do të shoqërohen nga Drejtuesi i Zyrës Ndërkombëtare ”FM Consulting”, Z. Fatos Mustafa, zyrtarët e Invest Macedonia do të priten në takime nga përfaqësues të qeverisë, por edhe drejtues të institucioneve në mbështetje të sipërmarrjes, si dhe biznesmenë të suksesshëm shqiptarë.

Delegacioni nga Maqedonia do të ketë mundësi që të pritet në takime nga Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë, Sh.S. Znj. Senida Mesi, nga Ministrja për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Znj. Sonila Qato, nga Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Z. Blendi Klosi, nga Zëvendësministri i Europës dhe Punëve të Jashtme, Z. Etjen Xhafaj, nga Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Ilir Halilaj, nga Drejtori i Kabinetit pranë Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Z. Ervin Mete dhe Znj. Albana Shkurta, Zëvendësministre e Financave dhe Ekonomisë, nga Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s, Znj. Brisida Shehaj, por edhe nga Drejtori Ekonomik i Bashkisë Tiranë, Z. Enkelejd Musabelliu. Për Drejtuesin e Zyrës Ndërkombëtare ”FM Consulting” Z. Fatos Mustafa i cili shoqëron edhe delegacionin e zyrtarëve të Invest Macedonia, kjo është një vizitë tejet e rëndësishme. ”Maqedonia dhe Shqipëria, si fqinjë të afërt kanë nevojë për lidhje të ndërsjella që janë në interes për të dy vendet.

Një ndër mënyrat se si mundemi ta rrisim këtë bashkëpunim është ndërmjet organizimit të vazhdueshëm të vizitave të ndërsjellëta, si me qeveritarët, ashtu edhe me komunitetin e biznesit për të njohur nga afër potencialet. Maqedonia zbaton një model të suksesshëm për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, si dhe ofron subvencione e përjashtime nga taksat për investimet e reja. Shqipëria ofron dalje në det dhe porte të rëndësishme për nga ana strategjike, siç është ai i Durrësit, Vlorës, Sarandës, Shëngjinit etj.”, tha Z. Mustafa. Për Zyrën Ndërkombëtare ”FM Consulting” Maqedonia dhe Shqipëria duhet të punojnë për të krijuar një treg të përbashkët për investimet, tregtinë dhe turizmin.

Mes delegacionit të Invest Macedonia dhe palës shqiptare gjatë dy ditëve do të ndahen përvojat pozitive edhe në lidhje me diplomacinë ekonomike, e cila gjithmonë e më shumë po ndihmon në rritjen e investimeve direkte. Janë parashikuar të zhvillohen takime edhe me Nënkryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Z. Arben Shkodra dhe anëtarë të rëndësishëm të Dhomës, por edhe me sipërmarrës të suksesshëm, si Presidenti i Fu Farma, Z. Isuf Berberi, Presidenti i Mare Adriatik, Z. Mark Babani etj.

 

Për Zyrën Ndërkombëtare ”FM Consulting” këto takime mes përfaqësuesve të dy qeverive, por edhe të biznesit janë shembulli më i mirë sesi Maqedonia dhe Shqipëria duhet të rrisin më tej bashkëpunimin për të forcuar pozitat e tyre, si dhe për të garantuar më shumë konkurrueshmëri dhe një klimë sa më të favorshme për sipërmarrjen në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of