Investime supersticioze

01/12/2012 1:16 PM 0 komente

Nuk jam supersticioz. Nuk besoj tek astrologjia dhe nuk do të investoja kurrë duke u bazuar tek yjet, të paktën jo tani që Dielli është në zonën që ndikon mbi Dashin.

Ka nga ata që të paktën një nga këto fraza i ka kaluar nëpër mend. Por, a është e vërtetë se yjet kanë ndikim në zhvillimin e ngjarjeve të ndryshme, me karakter politik apo ekonomik. Ekspertët japin shembuj të ngjarjeve konkrete që i referohen krizës së fortë të vitit 2007, pasojat e së cilës ndihen edhe sot.

Në një diagram, i ndërtuar nga “International Sunspot Count” (SIDC, Bruksel), tregohet se si ngjarjet politike dhe ato ekonomike janë ndikuar nga “valët” e energjisë diellore. Bëhet fjalë për dy cikle që e udhëhoqën botën drejt transformimit të madh në vitet 1988-1992, që u paraprinë nga “kërcitja” e madhe e vitit 1987, kohë në të cilën u goditën fort tregjet financiare. Më pas u vijua me atë që njihet si “recesioni” Bush në vitin 1991. Në vitin 2000 gjithashtu shpërtheu një “flluskë”. Në atë kohë, ekspertët thanë se çdo gjë mbaroi në fund të vitit 2001, por edhe tani po shohim se asgjë nuk ka mbaruar në të vërtetë.

Këto janë përcaktime të dala nga një libër shumë i diskutuar, i botuar në vitin 2003 “Si u përballua rënia ekonomike 2006-2007” me autor Michael Mandeville. Në të përcaktohen lidhjet mes rritjeve ekonomike dhe gjurmëve të valëve të energjisë diellore. Në të përshkruhet se si u parashikua kriza e qershorit 2007 nga lëvizjet e shumta të normave të interesit dhe lëndëve të para, në bazë të veprimeve meteorologjike.

Ditën e shtunë në datë 19 mars të vitit 2007 u verifikua fenomeni i “super Hënës” që gjithmonë është shoqëruar me katastrofa si tërmetet, luftërat dhe shkatërrimet. Natyrisht mungon çdo vërtetim shkencor, por fakti që ky fenomen shoqëroi edhe emergjencën bërthamore japoneze, por edhe krizën e Libisë, bëjnë që vërtetësia e tij të mos përjashtohet.

Tregje financiare, yje, bursa, shenja diellore janë argumente që çdonjërin prej nesh mund ta shtyjnë (në mos e kanë shtyrë) që të nisin kërkimet në “Google” dhe ku natyrisht mund të zbulohen gjëra që mund t’ju habisin.

Ekspertët thonë se nga kërkimet mund të arrihet të kuptohet se sa shumë njerëz ka në botë që hetojnë tregjet financiare në mënyra nga më të ndryshmet, përfshi edhe ato me baza astrologjie, në një kohë kur në Wall Street thuhen të njëjtat gjëra, që në fund rezultojnë të jenë të gabuara. Vetëm duke kërkuar mbi tregtinë bazuar tek astrologjia mund të gjenden shumë njerëz që kërkojnë parashikime ekonomike edhe me pagesë.

Madje këto bindje konfirmohen kur dëgjon se një astrolog është këshilltar i Obamës ose i një politikani tjetër apo menaxheri. Ndoshta ju nuk mund ta besoni, por ka aq shumë njerëz që shpenzojnë para pa fund për të blerë gjeneratorë që përzgjedhin numra rastësorë.

Nuk ka asgjë të keqe, thonë ekspertët, që të konsultohen numrat rastësorë, pasi një gjë të tillë ndodh që ta bëjmë të gjithë ne. Tek e fundit, këto numra duhet të respektohen, pasi janë “motori” i botës, shpirti i tregtisë. Ashtu sikundër është edhe vjedhja (njëherë e një kohë një ngjarje rastësore) sporti i tregtisë.

Ka edhe ekspertë të tjerë që mendojnë se investimi duke marrë për bazë numrat rastësorë nuk bën gjë tjetër veçse dëmton portofolin e investitorit, por i bën “nder” tregut (më shumë likuiditet dhe më pak paqëndrueshmëri në krahasim me një skenar, sipas të cilit investohet gjithçka mbi bazën e hamendësimeve të njëjta, diversiteti i opinioneve kontribuon në eficiencën e tregjeve).

Habit fakti se ka shumë njerëz që janë të gatshëm ta ndërmarrin këtë hap duke i përballuar vetë shpenzimet. Në mungesë të ideve, a nuk do të ishte më mirë të përdoreshin treguesit e provuar, mendimet e ekonomistëve, komitetet e investimeve, idetë e marra nga blogjet e ndryshme, kopertinat e revistave apo gazetave ekonomike?

Kushtet ideale në të cilat lulëzon supersticioni është pasiguria e madhe te rezultatet dhe mungesa e informacionit. Pikërisht për këtë nuk habit fakti se gjen shumë paragjykime mes futbollistëve, motoçiklistëve apo edhe njerëzve që merren me tregjet financiare.

Në këtë rast do të ishte me vend të citohej Dostojevski në librin e tij “Lojtari” i cili shkruan: “Jam shumë i shkolluar për të qenë supersticioz, por nuk jam edhe aq inteligjent sa t’i besoj aq shumë”.

Ekspertët sjellin në vëmendje edhe dy libra shumë të bukur mbi supersticionin, por që mund të jenë shkatërrues për mendjen njerëzore, si: “Shtatë gjëra që nuk duhet të bëni përpara se sa të hani mëngjes”, i Wolpert dhe “Të lindur për të besuar” nga Girotto, Pievani, Vallortigara. Investimet supersticioze ose më saktë besëtytnia në zgjedhjet financiare bën pjesë në ato fenomene të sjelljeve të magjisë (te subjektet më të sëmurë) ose tek ata pothuajse të tillë (që mund të shërohen).

Ja se cilat janë përkufizimet për ata që dëshirojnë të gjejnë veten te një nga këto kategori. “Mund të përkufizohet magjike, sjellja e bazuar në besimin se mund të arrihen rezultate në botën financiare nëpërmjet veprimeve simbolike, pra që nuk janë të lidhura rastësisht me vetë efektet. Për shembull: lojtarët profesionistë përdorin shpesh veprime magjike, ata i hedhin fortë zaret kur duan të marrin një rezultat të fortë dhe lehtë kur duan të marrin pikë të ulëta. Nuk mungojnë edhe rastet kur njerëzit sillen si të kishin besime magjike.

Pra, ka raste që kur njerëzit dëshirojnë të marrin rezultatet e duhura sillen në mënyrë gati të magjepsur. Në besimin magjik janë veprimet ato që nuk justifikohen në mënyrë racionale, ndërsa te besimet pothuajse-magjike nuk janë aksionet.

Duke iu referuar serisë: “Nuk besoj, por kujdesem”, të qenët supersticioz është injorant, të mos qenët sjell ters.

Sjelljet pothuajse-magjike janë gjetur edhe te kushtet e kontrolluara që prodhojnë paradoksin kalvinist: për një kalvinist të vërtetë, ndryshe nga një katolik, shpëtimi i përjetshëm nuk varet nga veprat, d.m.th nga ato të realizuara në jetën tokësore, por nga vullneti hyjnor, i cili që në fillimin e kohërave e ka vendosur se cilët do të jenë ata që do të mbrohen dhe ata që do të dënohen.

Por, nëse gjithçka është e vendosur nëse ajo që realizohet në tokë nuk vlen për shpëtimin e përjetshëm, përse vallë duhet të jetohet një jetë e virtytshme? Kalvinisti nuk e di nëse do të bëjë pjesë tek ata që do të mbrohen, por di që vullneti mbinatyror ka treguar shenja se mund të përfitojnë ata që kanë bërë një jetë të virtytshme në tokë. Si rrjedhojë, edhe pse nuk beson se do të jenë veprat ato që do ta shpëtojnë, do të jetojë në mënyrë të virtytshme, me shpresën për të parë ndonjë shenjë nga fuqia hyjnore, duke ngatërruar shkaqet dhe shenjat.

Duke “peshkuar” në ujërat e sjelljes financiare, mund të sintetizohen disa origjina supersticionesh nga jeta dhe bota e investimeve: tendenca për të shpjeguar ndodhitë e pasigurta me humbjet mendore (ajo që psikologët e quajnë ‘euristika’) dhe për të shpjeguar fenomenet në bazë të kriterit të ngjashmërisë; prirja për të ndjekur korrelacione që nuk ekzistojnë; tendenca për t’i trajtuar korrelacionet si fenomene rastësore.

Tani po e mbyllim këtu, pasi janë shkruar 1,000 fjalë, më shumë sjell ters.

 

Fenomeni

Kushtet ideale në të cilat lulëzon supersticioni është pasiguria e madhe te rezultatet dhe mungesa e informacionit

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of