Investimet e Bankers do varen nga vendimi i Arbitrazhit

23/09/2017 3:40 PM 0 komente

Flet Zv.presidenti i Operacioneve dhe Prodhimit të Bankers Petroleum, Guangqing Zhang

Ritmet e investimit dhe nivelet e prodhimit të Bankers Petroleum, eksportuesit më të madh në vend, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës, janë ndikuar nga çmimet e ulëta të naftës në tregjet botërore.

Zv.presidenti i Operacioneve dhe Prodhimit të Bankers Petroleum, Guangqing Zhang pohon se çmimet në tregjet botërore janë një faktor kyç për të mundësuar rritjen për Bankers, por është gjithashtu shumë e rëndësishme për ne që të kemi siguri për investimet në Shqipëri, rimbursim në kohë të TVSH-së dhe të taksave të tjera për të përmirësuar besimin e investimit të grupit të ri aksioner. Teksa Bankers është ende në konflikt me tatimet për një vlerësim detyrimi tatimor për mosnjohje shpenzimesh prej 300 milionë dollarësh, ai shton se çështja është në Arbitrazh Ndërkombëtar dhe vendimi i arbitrazhit do të ndikojë në planin e investimeve të kompanisë.

Si ka qenë ecuria e kompanisë në 2016 dhe gjatë 2017?

Bankers ka kaluar në një proces të shitjes së pronësisë në vitin 2016, ku aksionet publike kanadeze në Bursën e Torontos u blenë nga një grup kinez, Geo Jade Petroleum, që është e regjistruar në Bursën e Shangait. Ecuria e përgjithshme e aseteve të Bankers në Shqipëri, më së shumti fusha naftëmbajtëse e Patos-Marinzës, ka qenë e qëndrueshme, por ritmi i investimit tonë dhe nivelet e prodhimit janë ndikuar nga çmimet e ulëta të naftës në tregjet botërore. Ne i kemi reduktuar investimet tona kapitale për të ruajtur një program të balancuar brenda cash-flow (parave të lira) që kemi në dispozicion si rezultat i veprimtarisë në vendburim.

Viti 2016 ka qenë shumë i vështirë, sepse për një periudhë, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare ranë nën 30 dollarë/fuçi, ndërkohë që pjesën më të madhe të vitit kanë qenë nën 50 dollarë/fuçi, çka ka prekur të ardhurat tona. Viti 2017 ka qenë më i qëndrueshëm, rreth 50 dollarë/fuçi, por ende ky çmim është i ulët për të garantuar rritjen e prodhimit të naftës bruto shumë të rëndë siç është ajo e Patos-Marinzës.

Vitin e kaluar, ju keni qenë në një mosmarrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për një vlerësim detyrimi tatimor prej 300 milionë dollarësh. Mund të na informoni mbi të rejat e fundit mbi këtë çështje?

Në lidhje me këtë mosmarrëveshje, palët iu drejtuan vlerësimit të ekspertëve të pavarur, ashtu siç e parashikojnë edhe Marrëveshja Hidrokarbure dhe Licencë-Marrëveshja që administron veprimtarinë e Bankers në vendburimin e Patos-Marinzës. Raporti i ekspertëve që u krye nga PWC (Pricewaterhouse Coopers) ishte në favorin tonë, por pala shqiptare (AKBN) e apeloi këtë raport pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (ICC). Ne presim që ky proces të përfundojë para këtij fundviti. Nëse vendimi i kësaj Gjykate do të jetë në favorin e Bankers, atëherë me fitimin e Arbitrazhit, rimbursimi i taksave të vendosura në mosmarrëveshje nga Zyra e Tatimeve do të jetë shumë i rëndësishëm për Bankers për të rritur nivelet e investimit në Shqipëri. Ne jemi të fokusuar në gjetjen e një zgjidhjeje me qeverinë për të bërë efektiv rimbursimin e vlerës së këtyre taksave në të mirë të të gjitha palëve të interesit, duke përfshirë punonjësit vendas, komunitetet rreth operacioneve tona, ofruesit e shërbimeve lokale dhe rafineritë vendase.

Çfarë ka ndryshuar në Bankers pasi u ble nga Geo Jade? Cilat janë planet e investimit të kompanisë kineze në Shqipëri?

Mënyra sesi ne operojmë në biznesin tonë në Shqipëri nuk ka ndryshuar shumë si pasojë e transferimit të pronësisë. Ne kemi një ekip shumë konkurrues dhe me eficencë të lartë që do të përmirësohet me mbështetjen e grupit tonë të ri të pronarëve dhe do të na mundësojë rritjen e mëtejshme në Shqipëri. Planet tona të investimit në Shqipëri po zbatohen aktualisht dhe në thelb është një program i balancuar, ku pjesa më e madhe e cash flow e gjeneruar nga operacionet tona në Shqipëri, do të investohet po këtu. Çmimet në tregjet botërore janë një faktor kyç për të mundësuar rritjen për Bankers, por është gjithashtu shumë e rëndësishme për ne që të kemi siguri për investimet tona në Shqipëri, rimbursim në kohë të TVSH-së dhe të taksave të tjera për të përmirësuar besimin e investimit të grupit të ri aksioner dhe për të përmirësuar kthimin e investimit për asetin shqiptar krahasuar me asetet e tjera ndërkombëtare të Geo Jade.

Gjatë vitit të kaluar, çmimet e naftës kanë qenë të ulëta. Si ka ndikuar kjo tek kompania, planet e saj të investimit dhe të fitimit?

Çmimet e naftës kanë ndikim të madh në operacionet tona në një kohë kur ne kemi një plan të balancuar investimi që bazohet tek cash-flow ynë. Ne kishim një program të madh kapital në vitet 2013 dhe 2014 dhe kemi investuar mbi 2 miliardë dollarë përgjatë 2004-2017. Potenciali i Patos-Marinzës është i mirë, por nafta e rëndë e papërpunuar nuk ka kthim të madh të investimit kur çmimet janë të ulëta. Ne po testojmë teknologji të reja, të tilla si teknikat termale për të nxehur naftën e rëndë për të përmirësuar lëvizshmërinë e naftës. Ky mund të jetë niveli i ri i rritjes së prodhimit nga Patos-Marinza, por mund të realizohet vetëm me investime të rëndësishme që mundësohen nga bashkëpunimi me qeverinë dhe rritja e çmimeve të tregjeve ndërkombëtare. Potenciali i së ardhmes është i mirë, por ne na nevojiten disa gjëra para se të jemi të aftë të realizojmë këtë rritje.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of