Investimet e hidro-energjisë; Trinomi 1 miliard euro

02/11/2019 10:10 PM 0 komente
Hidrocentrali i Banjës

Teksa Shqipëria ka sot aktive 251 kontrata koncesionare, vetëm tre prej tyre mbajnë 412 MW fuqi të instaluar (55% e totalit), me vlerë investimi mbi 1 miliard euro dhe projekte të çuara deri në fund që tashmë kanë nisur prodhimin. Bëhet fjalë për norvegjezët e Statkraft, me projektin mbi Devoll, turqit e Ayen me projektin mbi Fan dhe austriakët e Verbund dhe EVN mbi lumin Drin. Por si e shohin sot këta investitorë Shqipërinë? A ju ka ecur gjithçka sipas planeve të biznesit? A do të investonin sërish në vendin tonë? Çfarë duhet të bëjmë më mirë që të tërheqim investime të reja?

 

Nga Nertila Maho

Drini, Fani dhe Devolli nuk janë vetëm tre lumenj në Shqipëri. Janë mbajtësit e tre investimeve më të mëdha në sektorin hidroenergjetik, pasi në rrjedhën e tyre, tre kompani të huaja kanë zbatuar projekte me vlerë totale që kalon 1 miliard euro. Shqipëria ka sot aktive 251 kontrata koncesionare hidrocentralesh, por një pjesë tyre mbeten ende të zvarritura në dokumente, të lëna përgjysmë ose me një kapacitet të instaluar minimal sikurse ishte vrulli i hidrocentraleve 2 MW që qeveria mori tre vitet e fundit.

Por nuk ka ndodhur kështu me projektet e mëdha. Ato janë tashmë të përfunduar dhe pothuajse të gjithë në prodhim, me përjashtim të hidrocentralit të Moglicës mbi Lumin Devoll, që pritet të nisë operimin në gjysmën e parë të vitit 2020.

Futja në prodhim e Moglicës që është hidrocentrali më i madh privat në vend dhe i dyti pas atyre të ndërtuar mbi kaskadën e Drinit për nga kapaciteti i instaluar pritet që të rrisë dukshëm prodhimin në vend (së bashku me Banjën me të paktën 13%). Rritja e rolit të privatëve në prodhimin e energjisë u pa qartë sidomos këtë vit.

Të dhënat zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave për Bilancin e Energjisë në tremujorin e dytë të vitit treguan se për herë të parë, prodhimi i energjisë nga privatët dominoi krahasuar me hidrocentralet publikë. Referuar tremujorit të dytë të këtij viti, prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë ka rënë me rreth 2,1 herë, duke arritur vlerën 1.280 GWh nga 2.707 GWh energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2018.

Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 37,8%, nga hidrocentralet private dhe koncesionare në masën 61,7% dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0,5% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike. Por cilët janë tre investitorët më të mëdhenj të energjisë?

 

Burimi: Enti Rregullator i Energjisë

 

HEC-et mbi Devoll, investimi 590 milionë euro i Statkraft, Moglica drejt mbushjes

Projekti për hidrocentralet mbi lumin Devoll është projekti më i madh hidroenergjetik i 30 viteve të fundit i zbatuar në vend. Ai përfshin ndërtimin e dy hidrocentraleve tashmë të përfunduar, Banjës që është në prodhim dhe Moglicës në fazë testimi dhe komisionimi. Kostoja e projektit llogaritet nga kompania 590 milionë euro.

Të dy hidrocentralet së bashku kanë kapacitet të instaluar prej rreth 256 MW dhe prodhim të parashikuar rreth 700 GWh/vit. Skema e projektit është zhvilluar bazuar në një koncept të paraqitur pranë Qeverisë së Shqipërisë nga kompania austriake EVN AG, e cila ka qenë partner zhvillues i Statkraft deri më 2013, momenti në të cilin Statkraft ka blerë aksionet e EVN dhe është pronar i vetëm i Devoll Hydropower Sh.A..

Viti 2020 pritet të jetë një vit i rëndësishëm për kompaninë, e cila parashikon që hidrocentrali i Moglicës të fillojë aktivitetin e vet tregtar, duke bërë diferencë edhe në prodhimin e energjisë në vend nga privatët. Tom Kristian Larsen, Drejtori Menaxherial i Devoll Hydropower, pjesë e Statkraft, shprehet se mbushja e rezervuarit nisi në qershor 2019 dhe sipas rrjedhës së lumit që derdhet në rezervuar pritet të mbushet para fundit të vitit.

 

Ayen investoi 275 milionë euro për HEC-et mbi Fan, planet vazhdojnë me Kalivaçin

Në statistikat që publikohen rregullisht nga Enti Rregullator i Energjisë mund të shquaje fare mirë kërcimin që bëri prodhimi i energjisë nga privatët në vitin 2017.

Teksa je duke kërkuar arsyet, syri të kap një hidrocentral nën emërtimin Fangu, me kapacitet të instaluar mbi 74 MW. Bëhet fjalë për një nga tre hidrocentralet e ndërtuar nga kompania turke Ayen Enerji mbi lumin Fan.

Investimi total i kompanisë për zbatimin e projektit kap vlerën 275 milionë euro. Në total janë tre hidrocentrale Fangu, Peshqesh dhe Ura e Fanit, me kapacitet të instaluar respektivisht 74.6 MW, 27.34 MW dhe 1.1 MW. Por teksa ky projekt ka përfunduar, kompania ka qenë aktive në pjesëmarrjen në gara të reja, duke u bërë pjesë e një projekti tjetër të madh energjetik shumë të debatuar. Bëhet fjalë për hidrocentralin e Kalivaçit.

Ayen parashikon që, së bashku me kompaninë shqiptare me të cilën ka fituar garën, të investojë edhe 125 milionë euro të tjera. “Jemi në fazën e ndjekjes në dy drejtime të procedurës. E para është bërja e studimit të vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe social si detyrim për çdo institucion financiar, që ta pranojë aplikimin tonë për financim, duke pasur parasysh këto standarde ndërkombëtare të mjedisit që duhet të ruhen patjetër, të cilat ne jemi dakord t’i ruajmë duke zhvilluar projektin. E dyta jemi në pritje të financimeve pas aplikimeve që kemi bërë në institucionet financiare, gjë që nuk është mbyllur ende”, – shprehet Yigit Arman, përfaqësues i Ayen Enerji në Shqipëri.

 

Ashta, austriakët 200 milionë euro për HEC-in e parë privat që nisi punë në 2013

Kur austriakët e Verbund dhe EVN vendosën të investonin në Shqipëri në një projekt hidroenergjetik, theksi u vu te teknologjia. Për herë të parë në atë kohë do të flitej për përdorimin e turbinave HydroMatrix dukë nënvizuar se prodhimi i energjisë bëhej pa dëmtuar mjedisin. Me një kapacitet të instaluar 53 MW nga kombinimi i dy hidrocentraleve, vlera e projektit kapi shifrën 200 milionë euro dhe Ashta do të ishte projekti i parë koncesionar privat që niste punën, duke hyrë në prodhim në vitin 2013.

Që nga ajo kohë, kompania nuk ka zhvilluar plane të tjera zgjerimi, duke u ndalur vetëm tek prodhimi i energjisë. Dietmar Reiner, drejtor ekzekutiv i Energji Ashta shprehet se futja në prodhim e Ashtës ka dhënë ndikimin e saj në tregun shqiptar, duke ulur importet dhe duke qenë një burim i rëndësishëm në prodhim.

 

Burimi: Enti Rregullator i Energjisë

 

Investitorët: Shqipëria ka potencial, duhet stabilitet dhe qëndrueshmëri në politika

Tri kompanitë më të mëdha investitore në vend në sektorin e energjisë vlerësojnë se Shqipëria mbetet një vend atraktiv për investime. Ata nënvizojnë se këto mundësi janë pasuruar së fundmi edhe me vëmendjen që po merr gjithmonë e më shumë energjia diellore, por tërheqja e investitorëve të mëdhenj kërkon qëndrueshmëri, çka u garanton kompanive parashikueshmëri më të lartë në të ardhura.

“Investimet në njësi të prodhimit të lartë të energjisë kanë nevojë për një probabilitet të lartë të të ardhurave të stabilizuara dhe parashikueshmëri të qëndrueshme afatgjatë të kushteve të tregut.

Meqenëse tregu i energjisë elektrike është ende dhe ndoshta edhe për disa kohë do të jetë në një periudhë tranzitore, mund të jetë i arsyeshëm krijimi i një mekanizmi mbështetës në bashkëpunim me institucione si FMN etj., për të tërhequr investime të mëdha në Shqipëri” – nënvizon Reiner nga Energji Ashta.

Edhe për drejtorin menaxherial të Devoll Hydropower është stabiliteti ai që luan rol të rëndësishëm. “Investitorët zakonisht tërhiqen në një vend nga stabiliteti, progresi i qëndrueshëm i reformave, disponueshmëria e mundësive për investime fizibël dhe mundësia për të marrë pjesë në treg. Duke e parë në një perspektivë afatgjatë, ne konsiderojmë të rëndësishëm hapat për të arritur një progres të mirë drejt liberalizimit të tregut të energjisë dhe rritjen e kapaciteteve gjeneruese, përmes konkurrencës së ndershme dhe proceseve transparente” – shprehet Larsen.

Përfaqësuesi i Ayen, Yigit Arman, shprehet se ndoshta është momenti që të shihen mundësitë për mbështetje me politika të caktuara për prodhimin e energjisë nga era dhe dielli. “Në Shqipëri ka mundësi për investime. Është vend atraktiv por me rregullime të kornizës ligjore. Për shembull, në fushën e prodhimit të energjisë elektrike nga era. Ka një potencial të jashtëzakonshëm në Shqipëri, por kuptohet era nuk parashikohet, ujin e mbledh, erën jo dhe për këtë duhet të ketë incentiva nga ana e shtetit për feed in tariff. Shqipëria nuk e ka ende këtë lloj procedure siç e kanë vendet e tjera, e ka madje dhe Kosova, që ta bëjë më atraktive investimin në këtë fushë. Po kështu, edhe në energjinë diellore” – shprehet Arman.

 

251 kontrata koncesionare HEC-esh

Për herë të parë, Plani i Konsoliduar Kombëtar i Veprimit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë, 2019–2020, zbardhi numrin e saktë të kontratave koncesionare për hidrocentralet pas procesit të skanimit dhe prishjes së njëanshme në disa raste, nisur nga qeveria. “Nga një vështrim paraprak i progresit që kanë pësuar BRE-të gjatë 2018 duket qartë se, pas miratimit të ligjit 7/2017, u krijua baza ligjore për mbështetjen financiare fikse të HEC-eve të Vegjël (HECV) deri në 2 MW.

Kështu, përveç 171 kontratave koncesionare për 2,105 MW, në MIE gjatë 2017-2018, janë nënshkruar edhe 71 kontrata për 78 HECV, me fuqi totale 98 MW. Kjo solli një stok të konsiderueshëm të HECV-eve dhe në total janë dhënë 2,203 MW kapacitete gjeneruese të kontraktuara. Kështu, numri i HECV është 527 me një numër total të 251 kontratave koncesionare” thuhet në Plan.

 

“Moglica nis operimin në gjysmën e parë të 2020”

 

Tom Kristian Larsen, Drejtori Menaxherial i Devoll Hydropower

 

Viti 2020 pritet të ketë zhvillime të rëndësishme në sektorin e energjisë. Hidrocentrali më i madh në vend, i ndërtuar nga privatët, parashikohet që të nisë operimin e vet tregtar. Bëhet fjalë për Moglicën, pjesë e investimeve të norvegjezëve të Statkraft mbi lumin Devoll.

Në një intervistë për “Monitor”, Tom Kristian Larsen, Drejtori Menaxherial i Devoll Hydropower, pjesë e Statkraft, thotë se kapaciteti gjenerues në vend do të rritet me nisjen e operimit të hidrocentralit që ka si kapacitet të instaluar afërsisht 184 MW. Larsen thekson se një Bursë operacionale në vend do të ishte një nxitje e mirë për tregun, pasi rrit transparencën dhe eficencën. Lidhur me potencialet që paraqet sot Shqipëria, ai vlerëson se investimet në energjinë diellore mund të jenë një opsion i mirë.

Ju njoftuat pak kohë më parë përfundimin e hidrocentralit të Moglicës dhe nisjen e disa fazave testuese, por edhe mbushjen e rezervuarit. Ku ndodhemi sot? A do të nisë Moglica prodhimin këtë vit? Çfarë diference do të bëjë ky HEC, duke qenë më i madhi HEC privat në vend?

Punimet kryesore në infrastrukturën e hidrocentralit të Moglicës janë përfunduar. Aktualisht, projekti është në fazën e testimit dhe komisionimit. Mbushja e rezervuarit nisi në qershor 2019 dhe sipas rrjedhës së lumit që derdhet në rezervuar, pritet që të mbushet para fundit të vitit. Aktualisht është në zbatim kompletimi i disa punëve të vogla në infrastrukturë për hidrocentralin e Moglicës dhe fillimi i operimit tregtar është planifikuar në gjysmën e parë të vitit 2020. Hidrocentrali i Moglicës me kapacitetin e vet të instaluar afërsisht 184 MW do të rrisë kapacitetin gjenerues në vend dhe për ne do të shënojë kompletimin me sukses të projektit të dytë pas hidrocentralit të Banjës.

Si ka qenë ecuria e prodhimit të hidrocentralit të Banjës vitet e fundit? A po ecën gjithçka siç e keni parashikuar në planin tuaj të biznesit?

Operimi dhe prodhimi i energjisë nga hidrocentrali i Banjës deri më sot ka qenë i kënaqshëm. Duke pasur parasysh që lumi i Devollit çdo vit ka një regjim me luhatje sa u përket prurjeve, deri më tani prodhimi ka qenë sipas pritshmërive.

Sa është totali i investimeve (vlera) të bëra nga Statkraft në Shqipëri, përfshi këtu edhe ambicien për t’u përfshirë tek fotovoltaikët, edhe pse fillimisht me një projekt të vogël mbi liqenin e HEC-i të Banjës? Si po ecën ky projekt që ka marrë edhe miratimet paraprake nga autoritetet?

Deri më tani, ne kemi një kumulative prej 590 milionë eurosh për Projektin e Hidrocentraleve mbi Devoll. Për centralin fotovoltiak lundrues mbi hidrocentralin e Banjës kemi marrë lejet e nevojshme dhe po presim përmbylljen për feed-in tariff( mekanizëm që është pjesë e politikave që synojnë nxitjen e investimeve tek burimet e rinovueshme të energjisë.).

Duke pasur parasysh kohën kur Statkraft vendosi të investonte në Shqipëri, shumë vite më parë dhe situatën aktuale, a mendoni se Shqipëria mbetet ende një destinacion atraktiv për të investuar në sektorin e energjisë?

Bazuar në trendin europian dhe global për të rritur investimet në burimet e rinovueshme të energjisë, Shqipëria ende ka potencial për rritje, sidomos për energjinë nga dielli. Jam me idenë se me kuadrin e duhur ligjor dhe hapjen për konkurrencë të lirë dhe të ndershme, energjia nga dielli mund të rritet dukshëm.

Ka pasur shumë ndryshime ligjore që përfshijnë sektorin vitet e fundit, disa prej të cilave nuk janë mirëpritur nga komuniteti i investitorëve të huaj e disa të tjera, të cilësuara si pozitive. Flasim këtu për ndryshimin e çmimit me të cilin u blihet energjia prodhuesve me përparësi, duke pasur si referencë Bursën Hungareze, apo shtyrjen e afatit të pagesës së faturave nga ana e OSHEE (kjo e përkohshme), ndryshime në modelin e tregut, liberalizimi apo Bursa që ende nuk është ngritur? Si e shihni dinamikën e ndryshimeve ligjore, aspektet pozitive dhe a keni rezerva për ndonjë pjesë të tyre?

Ne i shohim këto ndryshime si masa që synojnë forcimin, rritjen dhe hapjen e tregut të energjisë së Shqipërisë. Ajo që na shqetëson është ritmi që këto reforma kanë nevojë të ndjekin dhe të zbatohen. Për shembull, të pasurit e një burse operacionale do ta bënte tregun shqiptar më tërheqës për investitorët, duke e përshtatur atë në të njëjtën kohë edhe me praktikat më të mira ndërkombëtare të transparencës dhe hapjes. Aktualisht, shumica e energjisë që ne prodhojmë në Shqipëri tregtohet në Bursën Hungareze të Energjisë. Ngritja e Bursës Shqiptare të Energjisë do të jetë një hap i rëndësishëm për transparencën dhe eficencën në tregun shqiptar.

Ka një tendencë duke shkuar te projektet e vogla 2 MW të HEC-eve, ku vetëm për vitin 2018 kanë qenë mbi 70 miratime. Në dijeninë tuaj, a janë fizibël këto lloj projektesh?

Është e vështirë të shohësh përfitime tregtare dhe mjedisore në hidrocentrale kaq të vegjël, në një perspektivë më të gjerë. Është në dorën e autoriteteve shqiptare që të vendosin nëse këta faktorë janë të balancuar dhe nëse këto projekte janë të qëndrueshme.

Çfarë mendoni se duhet të bëjmë më mirë për të tërhequr investitorë të rëndësishëm?

Investitorët zakonisht tërhiqen në një vend nga stabiliteti, progresi i qëndrueshëm i reformave, disponueshmëria e mundësive për investime fizibël dhe mundësia për të marrë pjesë në treg. Duke e parë në një perspektivë afatgjatë, ne vlerësojmë të rëndësishëm hapat për të arritur një progres të mirë drejt liberalizimit të tregut të energjisë dhe rritjen e kapaciteteve gjeneruese, përmes konkurrencës së ndershme dhe proceseve transparente.

 

Të ardhurat në rritje të fortë

Fillimi i prodhimit nga tre kompanitë e mëdha private të energjisë i ka renditur operatorët ndër sipërmarrjet më të mëdha në vend, sipas të ardhurave. Në varësi të prodhimit, edhe normat e fitimit rezultojnë të larta. “Ayen as Energy” raportoi të ardhura 2.3 miliardë lekë në 2019, me një trefishim në raport me vitin e mëparshëm. Fitimet ishin 140 milionë lekë, me një normë fitimi prej 6%.

“Energjia Ashta”, ka rritur të ardhurat me 60% në 2.3 miliardë lekë në 208-n, pas rënies së fortë vitin e mëparshëm. Operatori raportoi fitime të larta prej 1.5 miliardë lekësh, pas humbjes së vitit të kaluar. Norma e fitimit ishte 65%. “Devoll Hydropower” raportoi të ardhura prej 2.2 miliardë lekësh, me një zgjerim prej 22.4%, ndërsa është ende me humbje.

 

 

“Duam të jemi pjesë e Bursës, ja në çfarë faze jemi me Kalivaçin”

 

Yigit Arman, përfaqësues i Ayen Enerji në Shqipëri

 

Ayen Enerji, kompania e dytë më e madhe investitore në sektorin e energjisë në vend, me hidrocentralet mbi lumin Fan, pritet të zgjerojë praninë e saj në Shqipëri.

Yigit Arman, përfaqësuesi ligjor i kompanisë në Shqipëri shprehet për “Monitor” se kompania po sheh me vëmendje projektin për Bursën e Energjisë, duke synuar që ndoshta të bëhet pjesë e saj, ashtu sikurse do të vijohet me projektin për Kalivaçin.

Ai nënvizon se deri më tani, kompania ka investuar në Shqipëri 275 milionë euro në ndërtimin e hidrocentraleve dhe planet e saj të biznesit kanë rezultuar më të shtrenjta sesa në fillim kur erdhi në Shqipëri, “joshur” fillimisht nga plani për linjën nënujore me Italinë që në fakt mbeti në letër.

Sa ka arritur deri më tani investimi i Ayen në Shqipëri?

Deri më tani, investimi i Ayen në Shqipëri në projektin e hidrocentraleve mbi lumin Fan, duke përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, është 275 milionë euro. Në këtë shumë, përfshihen të gjitha pajisjet elektro-hidro-mekanike, ndërtimi, shpronësimet, rrugët që kemi bërë, qoftë ato të aksesit, edhe ato për komunitetin si përgjegjësi sociale, pyllëzimi dhe rehabilitimi. Investimi ka përfunduar rreth 80-85 milionë euro më shumë sesa e kishim planifikuar, për shkak se pjesa e tuneleve, pjesë shumë të rëndësishme të investimit, ka pasur një kosto domethënëse. Janë rreth 23 kilometra tunele për dy hidrocentralet e mëdhenj mbi lumin Fan.

Hidrocentrali i parë është Peshqeshi, që është i tipit me rrjedhje të lirë dhe i dyti, HEC Fang, që është me rezervuar pra me digë apo ujëmbledhës. Të dy kanë pasur një kosto të lartë në ndërtim. Në pjesën e tuneleve kanë qenë të paparashikuara formacionet gjeologjike të tyre, të cilat kanë kërkuar një specifikë ndërtimi shumë të veçantë për t’u mbajtur. Si problematikë në fillimet e investimit tonë dhe në një periudhë edhe më të zgjatur, jemi ndeshur edhe me përballje me njerëzit. Tre herë është qëlluar drejt kantierit, pra kanë qenë veprime kriminale që gjithsesi i kemi kaluar. Rreth 7-9 muaj është ndërprerë dhe puna në kantier, për shkak të këtyre problematikave që na ka rritur kostot.

Ju keni dy hidrocentrale në prodhim, aktualisht Fangu me fuqi 74.6 MW dhe Peshqesh me fuqi 27.34 MW. Mund të kemi disa të dhëna për ecurinë e prodhimit vitin e shkuar dhe këtë vit nga këto HEC-e?

Hidrocentrali i Fangut është futur në prodhim në dhjetor të 2017-s dhe Peshqeshi në maj të 2015-s. Për prodhimin që kemi pasur në vitin 2018 mund t’ju them se është prodhuar 98 365.82 Mwh nga Fangu është prodhuar 238 544.8. Mwh. Kemi dhe një hidrocentral të vogël 1.1 MW, si fuqi, nga ku në 2018-n është prodhuar 5391 Mwh. Ndërsa për këtë vit, deri në 18 shtator 2018, nga hidrocentrali i Fangut është prodhuar 141 929 MWH, Hec Peshqesh ka prodhuar 66 680 MwH, ndërsa HEC-i i tretë sipas të dhënave deri më 31 gusht, ka prodhuar 3439 MwH. Ne kemi njësitë tona të matjes së prurjeve të ujit që nga viti 2011, të instaluara mbi lumin Fan dhe masim në mënyrë periodike sasinë e ujit që vjen. Që nga viti 2011, që jemi futur, por dhe më herët, 2019-a ka qenë viti më i thatë. Edhe nga të dhënat që kemi nga institucionet shtetërore për 18-20 vitet e fundit, ky është viti më i thatë në aspektin e reshjeve.

Si i konsideroni deri më tani investimet që keni bërë në Shqipëri? A janë ato të suksesshme dhe a po ecën gjithçka sipas planit të biznesit?

Sigurisht që sipas planit tonë të biznesit nuk kanë shkuar pjesa e investimit dhe pritshmërisë, por Shqipëria është një vend i mirë për ata që duan të bëjnë investime në fushën e energjisë, sepse ka mundësi. Rreth 99% e konsumit të energjisë në Shqipëri vjen nga prodhimi i energjisë hidro, pra hidrocentralet dhe kjo është baza. Investimi që kemi bërë ne për hidrocentralet mbi lumin Fan është një investim i kushtueshëm dhe i shtrenjtë, sepse pritshëmritë tona kanë qenë për më pak. Nëse për një përllogaritje të përgjithshme, po themi për një investim për 1 MW duhen 1.6-1.7 milionë euro, ne na ka takuar që për 1 MW të kemi vlerën 2.35 milionë euro.

Për sa mendoni se e shlyen veten ky investim, sepse koncesionet janë me afat?

Nëse në fillim gjatë hartimit të planit të biznesit, ne mendonim që kthimi i investimit do të ishte më i shpejtë, diku te 8 vjet, pasi diskutohej për ndërtimin e një linje transmetimi energjie nënujore në det me Italinë, çka ishte edhe baza e asaj pse ne vendosëm të investonim, do të ishte shumë e mirë për ne për ta transmetuar apo për ta shitur energjinë në Itali. Tani mendojmë që minimumi na duhen 14 vite.

Ayen ka fituar të drejtën edhe për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit në partneritet me një kompani shqiptare për 125 milionë euro. Si po ecën ky projekt, në çfarë faze ndodhet aktualisht?

Për ne është një projekt shumë i ndjeshëm me ndjesi shumë të lartë, sepse i dimë pak a shumë ndjesitë e publikut, për lumin. Përballja me këtë projekt është shumë e bukur, projekti është shumë i mirë por edhe me ndjeshmëri të lartë. Kompania jonë mëmë Ayen në Turqi është renditet në bursë, në Istambul Stock Exchange, me 15% aksione që janë të publikut. Në këtë kuptim, duam që gjithçka edhe në projektin e Kalivaçit, të ecë sipas rregullave në përputhje me ndjeshmërinë në një situatë krejt normale. Kjo është edhe arsyeja që ne, projekt-studimin mjedisor po e bëjmë sipas standardeve të IFC-së, duke ligjëruar këtë lloj kërkese nga ana jonë tashmë dhe në kontratën konceisonare.

Nuk është detyrim shtetëror, por ne e kemi futur si detyrim tonin që ta bëjmë në këtë mënyrë. Duke pasur parasysh që ky projekt është një projekt jo i kërkuar nga kompanitë private, është një projekt i hapur, i kërkuar nga shteti. Është shteti që e ka nxjerrë në tender, ne jemi kompani private që marrim pjesë për të fituar një garë për të funksionuar kompania. Qëllimi i shtetit, pse e ka nxjerrë në tender dhe sigurisht më pas edhe bisedimet tona dhe detyrimet që kemi kundrejt shtetit është që është menduar gjithçka, është menduar edhe mënyra sesi do të mbushet shtati i lumit më vonë, si do të bëhet regjimi, si të mos ketë përmbytje, pra gjithçka është menduar nga ana e shtetit për këtë investim.

Duke pasur parasysh këto kritere, ne jemi futur me vetëdije në garë që e fituam për t’i plotësuar sa më mirë, kuptohet duke pasur parasysh edhe pjesën e fitimit të një kompanie. Se në çfarë faze jemi mund t’ju them se jemi në fazën e ndjekjes në dy drejtime të procedurës. E para është bërja e studimit të vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe social, si detyrim për çdo institucion financiar që ta pranojë aplikimin tonë për financim, duke pasur parasysh këto standarde ndërkombëtare të mjedisit, që duhet të ruhen patjetër, dhe ne jemi dakord t’i ruajmë duke zhvilluar projektin. E dyta jemi në pritje të financimeve pas aplikimeve që kemi bërë në institucionet financiare, gjë e cila nuk është mbyllur ende.

Ka pasur shumë ndryshime ligjore që përfshijnë sektorin vitet e fundit, disa prej të cilave nuk janë mirëpritur nga komuniteti i investitorëve të huaj e disa të tjera, të cilësuara si pozitive. Flasim këtu për ndryshimin e çmimit me të cilin u blihet energjia prodhuesve me përparësi, duke pasur si referencë Bursën Hungareze, apo shtyrjen e afatit të pagesës së faturave nga ana e OSHEE (kjo e përkohshme)? Si e shihni dinamikën e ndryshimeve ligjore, aspektet pozitive dhe a keni rezerva për ndonjë pjesë të tyre?

OSHEE, këtë vit ka bërë ndryshimin që pagesën e bën për 180 ditë. Sigurisht që nuk është ndonjë gjë pozitive në aspektin e një kompanie që t’i ketë pagesat e mallit, që shet pas një kohe të tillë të gjatë. Kalimi nga 90 ditë në 180, kuptohet që ka ndikuar jo fort mirë për kompanitë që nuk janë shumë të fuqishme financiarisht, domethënë cash flow nuk e kanë fort të mirë. Sigurisht dhe kompanitë që janë në investim cash flow-n nuk e kanë të mirë, kjo është normale ndaj influenca është pak e madhe.

Lidhur me çmimet referencë nga bursa hungareze, në gjykimin tonë kjo është diçka e mirë, pasi çmimet sipas Bursës Hungareze janë më stabël, në këtë fushë dhe të paktën të motivojnë për një konkurrencë të ndershme. Kuptohet OST për pjesën e disbalanceve merr si referencë çmimin e HUPEX dhe OSHEE në tenderët e blerjes së energjisë, merr si referencë çmime afër çmimeve të HUPEX. Ngaqë është një treg që do të ketë çmime referuese, edhe Kosova për çmimet e disbalancave ka pikërisht HUPEX.

Po lidhur me modelin e tregut, bursën dhe liberalizimin, a mund të bëjmë një koment?

Për ne do ishte një gjë shumë e mirë pjesa e liberalizimit të tregut, sepse siç mund ta dini, në shumicën e vendeve të Europës, deri në klientin fundor, pra një familje është e lirë të zgjedhë me cilën kompani do të ketë shërbimin. Liberalizimi do të thotë konkurrencë dhe ulje çmimi. Sipas afateve që këta kanë premtuar në ligjin e 2015, ky proces tashmë duhet të kishte përfunduar. Kjo është zgjatur, ka vonesa.

Tashmë OSHEE deri në shpërndarjen e energjisë për ata në tension 35 kilovolt është liberalizuar dhe po punon për ata që janë të lidhur në 20 kilovolt. Kjo duhet të kishte përfunduar dhe për furnizimin e klientit familjar. Çmimet e furnizimit me energji të klientëve fundorë janë shumë të shtrenjta. Kjo sigurisht vjen ngaqë OSHEE është e vetmja kompani që ofron këtë shërbim, pra është monopol.

Ne klientët që përdorin 20 kilovoltëshin me liberalizimin e tregut të energjisë, do të shihni që do të ketë 15-20% ulje të çmimit të energjisë te këta klientë. Lidhur me Bursën e Energjisë, ne e shohim me shumë interes. Ky do të jetë një rregullator shumë i mirë për vendin. Ne jemi të interesuar në Bursën e Energjisë. Kemi bashkëpunim me institucionet shtetërore, kryesisht me OST-në, e cila merret me sistemimin dhe rregullimin e kësaj, bashkë me ministritë e linjës dhe institucionet e tjera.

Mesa kemi dëgjuar, kërkojnë të hapin modelin e bursës greke, por ky model është ndryshe nga modelet e bursave të vendeve të tjera. Po të bëjmë një krahasim me modelin e Bursës së Hungarisë, për ne bursa e Hungarisë dhe ajo që aplikon kompania jonë mëmë në Turqi janë shumë të hapura dhe fleksibël në marrëdhënien e tregtimit të energjisë elektrike. Nëse ti e prodhon energji elektrike në Bursën e Hungarisë, mund të futesh ta shesësh përmes bursës, mund ta shesësh direkt jashtë atij vendi, pa qenë i detyruar të futesh në bursë, ose mund ta shesësh direkt me marrëdhënie dypalëshe me kompani që merren me tregtim dhe shitblerje të energjisë elektrike.

Ndërsa Bursa e Greqisë, që merret si model të detyron që ti nuk mund ta çosh në dy alternativat e tjera, por do ta fusësh në bursë dhe do e nxjerrësh po prapë nga bursa, pra nuk të lejon ta çosh direkt nga kompania jote te një tjetër. Një aspekt tjetër që ne jemi të interesuar që ndodh në shumë vende është që të jemi dhe ortakë në strukturën e këtij institucioni që do të ngrihet.

Do të krijohet një entitet, ne kemi qëllime serioze, që të jemi ortakë si prodhuesit dhe tregtuesit ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri. Siç jemi ortakë të Bursës në Turqi, por edhe Bursa e Hungarisë ka 5-10% që e lë të hapur, për subjektet e interesuara për të marrë pjesë. Kështu qëllimin e kemi për të qenë aktivë, pjesëmarrës dhe mbështetës të kësaj burse në Shqipëri. Sigurisht këto janë ato që ne kemi dëshirë, por nuk është përfunduar. Ne madje themi që gjithë prodhuesit duhet të jenë pjesëmarrës në Bursën e Energjisë.

Çfarë mendoni se duhet të bëjmë më mirë për të tërhequr investitorë të rëndësishëm?

Në Shqipëri ka mundësi për investime. Është vend atraktiv, por me rregullime të kornizës ligjore. Për shembull, në fushën e prodhimit të energjisë elektrike nga era. Ka një potencial të jashtëzakonshëm në Shqipëri, por kuptohet era nuk parashikohet, ujin e mbledh, erën jo dhe për këtë, duhet të ketë incentiva nga ana e shtetit për feed in tariff. Shqipëria nuk e ka ende këtë lloj procedure, siç e kanë vendet e tjera, e ka madje edhe Kosova, që ta bëjë më atraktive investimin në këtë fushë. Po kështu edhe në energjinë diellore. Për sektorin e prodhimit të energjisë nga dielli kemi dëgjuar që është dhënë një kapacitet 40-50 MW me feed in tarif.

Nuk kemi shumë informacion, por mendojmë se për të pasur investime në këto fusha ku jemi ne, pra prodhimi i energjisë duhen incentiva dhe rregullime. Ne kemi një fuqi të instaluar të energjisë nga era 230 MW në Turqi dhe në gjithë këto investime, shteti të garanton blerjen e energjisë elektrike me feed in tarrif 12-15 vite. Pra, gjithçka është e shitur.

Të mbështesësh këta sektorë me këto incentiva do të thotë që të bëhesh i pavarur nga furnizimi nga jashtë me energji për vendin tënd, sepse e prodhon dhe e shet po në vend, duke ditur që OSHEE prapë e blen nga jashtë. Shqipëria ka 100% hidro prodhimin e energjisë s’ka vend të ngjashëm. Duke i shoqëruar këtë dhe me burimet nga era dhe dielli absolutisht që bëhet një vend me potencial shumë më të lartë sesa është tani. Solari dhe era duhet të mbështeten me feed in tarif, sepse nuk i ke në dorë t’i grumbullosh. Me feed in tariff këtë e çon në fuqizimin e sektorit, në krijimin më të saktë të bursës së energjisë, kuptohet dhe potenciale të tjera.

 

“Investitorët e mëdhenj kërkojnë kushte të qëndrueshme tregu”

 

Dietmar Reiner, Drejtor Ekzekutiv i Energji Ashta

 

Në dhjetor 2008, dy kompanitë më të mëdha austriake në sektorin e energjisë Verbund-AG dhe EVN-AG themeluan Energji Ashtën, kompaninë që do të çonte para një projekt koncesionar, me vlerë investimi 200 milionë euro.

Hidrocentrali i Ashtës do të hynte në prodhim në vitin 2013. Dietmar Reiner, Drejtor Ekzekutiv i Energji Ashta, e konsideron ecurinë e projektit me kontribut pozitiv në sektorin energjetik shqiptar dhe thekson se tërheqja e investitorëve të mëdhenj në këtë fushë kërkon parashikueshmëri më të lartë të të ardhurave që gjenerohen dhe kushte të qëndrueshme tregu.

Ju keni investuar në Shqipëri 200 milionë euro dhe keni sjellë një teknologji që u cilësua inovative. Si e konsideroni këtë investim të bërë në Shqipëri sipas ecurisë së deritanishme, duke qenë se prodhimi nisi në 2013-n?

Hidrocentrali i Ashtës është një risi botërore: HEC-i më i madh në botë që vë në punë teknologjinë Matrix, bazuar në turbina të vogla. Ky HEC kontribuon në mbrojtjen klimatike, pasi energjia elektrike prodhohet pa dëmtuar mjedisin, duke kursyer rreth 114.000 tonë CO2. Hidrocentrali i Ashtës përmirëson sigurimin e furnizimit me energji, duke ndihmuar në reduktimin e importeve për Shqipërinë. Është një projekt koncesionar, i cili pas 35 vitesh, do t’i kthehet Republikës së Shqipërisë dhe ne kemi krijuar një partneritet shumë të mirë me partnerët shqiptarë.

A mund të kemi disa shifra për kompaninë lidhur me prodhimin e vitit të shkuar dhe vitit aktual? A po shkon gjithçka sipas planit tuaj të biznesit?

Prodhimi i energjisë për vitin 2018 ka qenë 298,106 GWh dhe për vitin 2019 deri tani është 122,138 GWh, çka fatkeqësisht është nën mesataren statistikore të prodhimit vjetor. Prodhimi varet nga prurjet hidrike të rajonit, nëse moti është me reshje, ose i thatë, prodhimi është ose i lartë ose i ulët në raport me planin e biznesit.

A e konsideroni Shqipërinë ende një vend atraktiv për investime? Sa potencial shihni tani? Çfarë projektesh do t’i rekomandonit një investitori që ka interes për Shqipërinë momentalisht?

Njësitë publike ndërkombëtare në sektorin e energjisë zakonisht kanë prirje të investojnë në vende me situatë të stabilizuar politiko-ekonomike. Përpjekjet për ta liberalizuar më tej tregun energjetik kanë nevojë të vazhdojnë më tej dhe të përfundojnë. Planet për të krijuar një treg energjetik do të ndikojnë pozitivisht në tërheqjen e investimeve të huaja në të ardhmen. HEC-et e mëdha mund të mos jenë fokusi kryesor për investitorët në Shqipëri, ka potenciale investimi për energji të gjeneruar nga era dhe dielli. Investimet në këto teknologji varen nga kuadri rregullator dhe mekanizmat mbështetëse.

Ka pasur një seri ndryshimesh në legjislacionin shqiptar lidhur me sektorin e energjisë. A mund të bëni një koment mbi këto ndryshime duke nisur nga modeli i tregut, te çmimi referencë i Bursës Hungareze apo afatet për pagesat e OSHEE-së?

Këto ndryshime në legjislacion nuk aplikohen në HEC-in e Ashtës, pasi ka një kuadër tjetër kontraktual.

Si e konsideroni procesin e liberalizimit dhe atë të krijimit të Bursës Shqiptare të Energjisë. Cili do të ketë ndikimi i tyre te kompanitë e prodhimit të energjisë?

Procesi i liberalizimit do të ndihmojë investitorët të bazojnë vendimet e investimeve në procedura me konkurruese dhe transparente, pasi do të mbështeten në shitjen e produktit të tyre – energjisë elektrike – në një model tregu më të drejtë dhe transparent. Shumë e rëndësishme do të ishte një numër i lartë pjesëmarrësish në treg, në një treg të ardhshëm të liberalizuar. Kjo do të rriste tërheqjen ndaj tregut energjetik shqiptar.

Çfarë mund të bëjmë më mirë ne si vend për të tërhequr investitorë të mëdhenj seriozë në sektor?

Investimet në njësi të prodhimit të lartë të energjisë kanë nevojë për një probabilitet të lartë të të ardhurave të stabilizuara dhe parashikueshmëri të qëndrueshme afatgjatë të kushteve të tregut. Meqenëse tregu i energjisë elektrike është ende dhe ndoshta edhe për disa kohë, do të jetë në një periudhë tranzitore, mund të jetë i arsyeshëm krijimi i një mekanizmi mbështetës në bashkëpunim me institucione si FMN etj., për të tërhequr investime të mëdha në Shqipëri. Edhe investime në njësi më të vogla të decentralizuara për prodhimin e energjisë si fotovoltaikët dhe eolikët mund të kenë nevojë për kohë të shtuar, për të realizuar projekte të tilla.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of