Investimet e huaja direkte që hynë në ekonominë shqiptare për 9 mujorin arritën në 760 milionë euro, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Për 9 mujorin, investimet e huaja u shtuan me 82 milionë milionë euro, me një rritje 12 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Investimet në energji mbajnë peshën kryesore të fluksit të investimeve që hyjnë në vend, me rreth 60%.
Investimet e mëdha drejt fundit
Për rreth katër vite, investimet e huaja direkte kanë qëndruar në nivele të larta për shkak të dy projekteve të mëdha në energjetikë, punimet për hidrocentralin në lumin Devoll nga Statkraft dhe gazsjellësi TAP. Së bashku, të dy investimet llogariten në rreth 2 miliardë euro, nga të cilat 1.5 miliardë euro janë për gazsjellësin TAP, sipas burimeve zyrtare.
Edhe kompania Statkraft që po ndërton hidrocentralet mbi Devoll ka përfunduar hidrocentralin e Bënjës dhe po ndërton HEC-in tjetër të Moglicës, një investim prej rreth 300 milionë euro, që pritet të përfundojë brenda dy vitesh. Një tjetër investim i madh në energji është HEC Ashta nga austriakët e Verbund.
Statistikat e mëparshme të Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i investimeve në energji u rrit me shpejtësi, nga vetëm 13 milionë euro në fillim të 2014-s, në gati 1.9 miliardë euro në qershor 2018, duke zënë 26% të stokut direkt të investimeve dhe duke kaluar në vend të parë, si pasojë e stanjacionit të telekomunikacioneve dhe bankave.
Sipas burimeve zyrtare nga TAP, punimet për gazsjellësin TAP janë drejt fundit. Sot, rreth 90% e punimeve totale për ndërtimin e segmentit tokësor të TAP në Shqipëri është i përfunduar. Tashmë ndërtimi po fokusohet te segmenti më i vështirë i të gjithë gazsjellësit, në malin e Ostrovicës, në rreth 2100 metra mbi nivelin e detit dhe në pjesën detare. Projekti do përfundojë në 2019-n.
Institucionet ndërkombëtare kanë tërhequr shpesh vëmendjen për nevojën e zëvendësimit të këtyre projekteve me investime me vlerë të shtuar të lartë dhe të orientuara drejt teknologjisë.
Për shkak të përfundimit të projekteve të mëdha, FMN ndërkombëtare në raportin e fundit të tetorit uli parashikimin për rritjen e vendit në 2019-n, nga 3.8% në 3.7%, ndërkohë që për 2018n zgjerimi ekonomik pritet në 4%.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.