Intervistë me Genti Beqiri, ekonomist, ish-drejtor ekzekutiv i AIDA
Rritja e Investimeve të Huaja Direkte nuk po përkthehet në kontribut për rritjen ekonomike dhe punësimin në vend.
Genti Beqiri, pedagog i makroekonomisë dhe ish-drejtor ekzekutiv i AIDA, mendon se në shumicën e rasteve, investimet e huaja përfaqësojnë thjesht ndryshim të kontrollit mbi kompanitë ekzistuese, ndërsa ato pak projekte të reja po sjellin pak vlerë të shtuar për ekonominë.
Pavarësisht pritshmërive pesimiste pas përfundimit të veprave madhore në energjetikë, Investimet e Huaja Direkte po vazhdojnë të rriten. Ku po mbështetet kjo rritje?
Mendoj se rritja e investimeve është e mirë si vlerë statistikore, por domethënia e tyre për ekonominë është e pakët. Ndikimi i mirëfilltë i IHD-ve do të ishte përcjellja në ekonomi nëpërmjet punësimit dhe blerjes së mallrave dhe shërbimeve.
Por, projektet kryesore të investimeve në vitet e fundit më duket se kanë ndikim modest në këtë drejtim. Nëse i referohemi projektit fotovoltaik të Karavastasë, impakti i vetëm janë pagat e krahut të punës jo të kualifikuar.
Pjesa tjetër, që nga panelet, lëndët e para, njohuritë, vijnë të gjitha nga jashtë dhe ndikimi në ekonomi nuk është i qenësishëm. E njëjta gjë mund të thuhet për ndryshimin e pronësisë mbi kompanitë e telekomunikacioneve. Kompanitë thjesht kanë kaluar nga një dorë te tjetra. Pra, vlerat mund të jenë të mëdha, por ndikimi në ekonominë reale është i ulët.
Megjithatë, edhe këto investime do të sjellin vlerë të output të pritshëm në të ardhmen.
Sigurisht, por deri këtu po i referohem ndikimit direkt të investimit në ekonomi. Më tej, edhe për vlerën në të ardhmen, kam rezervat e mia.
Për shembull, nga tre kompani celulare, do të kemi vetëm dy, pra, në një treg më pak konkurrues. Kjo po reflektohet në një tendencë në rritje të çmimeve për konsumatorët.
Për sa u takon projekteve fotovoltaike, sigurisht ato do të prodhojnë energji, por sërish kam dyshimet e mia nëse jemi duke bërë gjënë e duhur. Për shembull, investimin në Karavasta mund ta bënte shumë mirë KESH.
Me potencialet që ka, KESH mund të marrë përsipër diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë. Ata po bëjnë një impiant të vogël lundrues në Vaun e Dejës, por nevoja do të vazhdojë të rritet përherë.
Shumë mirë investimin në Karavasta mund ta kryente KESH, duke aplikuar për një kredi të butë nga bankat e zhvillimit, apo institucionet e tjera financiare, që kanë në fokus nxitjen e energjisë së gjelbër.
Në fund të fundit, nëse do ta prodhonim energjinë vetë, nëpërmjet një kompanie publike, kostoja e energjisë për ne do të ishte më e ulët. Përtej kësaj, mendoj se ne kemi ende diversifikim të dobët të investimeve sipas sektorëve.
Në dy vitet e fundit, ka rritje të madhe të investimeve të huaja në sektorin e pasurive të paluajtshme. Si e shpjegoni këtë tendencë?
Kjo është pjesë e strategjisë për të nxitur ekonominë nëpërmjet sektorit të pasurive të paluajtshme, ku pastrohen shumë para dhe thithen shumë kapitale me origjinë të dyshimtë. Shohim në këtë sektor shumë kompani, shumica pa përvojë apo ekspertizë të madhe.
Këtu informaliteti është i lartë dhe niveli ku kanë arritur çmimet është dëshmi e qartë, sepse ato nuk reflektojnë mundësitë reale të tregut.
Kjo është në vazhdën e një modeli ekonomik të bazuar te ndërtimi dhe përfitimet afatshkurtra, që janë tipike për 25 vitet e fundit, por nuk krijon bazat për të ndërtuar një ekonomi të shëndoshë.
Përqendrimi i tepërt i ndërtimeve po e bën Tiranën të mbingarkuar dhe të pabanueshme, ndërsa nga ana tjetër nuk prodhojmë pothuajse asgjë. Prodhimi bujqësor dhe sidomos ai blegtoral është në rënie.
Ky model zhvillimi po rrit hendekun mes të pasurve dhe të varfërve dhe po nxit gjithnjë e më shumë emigrimin e shtresës së mesme.
Në cilët sektorë besoni se mund të bëjmë më shumë për thithjen e investimeve të huaja?
Mendoj se kemi nevojë që të stimulojmë edhe më shumë transportin dhe sidomos atë hekurudhor. Kemi gjithashtu nevojë për të nxitur më shumë bujqësinë dhe agropërpunimin, për t’i dhënë zhvillim më të gjerë dhe më të balancuar ekonomisë.
Ne duam të zhvillojmë turizmin, por turizmi nuk zhvillohet me produkte importi. Kjo ndikon direkt në konkurrueshmërinë e sektorit.
Besoni se amnistia e paralajmëruar fiskale do të ketë ndikim në rritjen e investimeve nga jashtë, qoftë edhe prej shqiptarëve të diasporës?
Nuk është e para herë që shtrohet ky diskutim. Mendoj se ky është një vendim politik, i lidhur me zgjedhjet e ardhshme lokale. Mendoj se amnistitë fiskale, sidomos kur bëhen shpesh apo krijohen pritshmëri të shpeshta për to, krijojnë pabarazi dhe nxisin shkeljen e ligjit.
Nëse bën një amnisti, duhet të garantosh zbatimin e plotë të ligjit. Por, nuk shohim shenja që kjo të ndodhë. Këtu të gjithë ata që bëjnë biznes të pastër duhet të vazhdojnë të vuajnë pasojat e informalitetit dhe konkurrencës së pandershme dhe amnistitë fiskale.
LEXONI EDHE:
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.