Ndërkohë, kompania kryesore e prodhimit të naftës në vend dhe një prej investitoreve më të mëdha të huaja, ka raportuar ulje të investimeve prej 47% në tremujorin e dytë…
Investimet e huaja direkte kanë vijuar tendencën e tyre pozitive edhe në tremujorin e dytë të këtij viti, sipas të dhënave nga bilanci i pagesave të Bankës së Shqipërisë, ku peshën kryesore e zënë investimet në hidrokarbure, me gati gjysmën e totalit. Për periudhën prill-qershor 2015, kompanitë e huaja investuan në Shqipëri 189 milionë euro, rreth 40% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Për 6 mujorin e parë 2015, investimet e huaja arritën në 467 milionë euro, duke u zgjeruar me 34.6% me bazë vjetore, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë.
Sipas analizës së bankës, në një shpërndarje sektoriale, prurjet më të mëdha në formën e investimeve direkte në Shqipëri vijnë nga sektori i hidrokarbureve me rreth 47%, të ndjekur nga sektori bankar dhe i telekomunikacionit që përfaqësojnë përkatësisht 10% dhe 3% të flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte.
Kompanitë e naftës raportojnë ulje të investimeve
Ndërkohë, kompania kryesore e prodhimit të naftës në vend dhe një prej investitoreve më të mëdha të huaja, ka raportuar ulje të investimeve në tremujorin e dytë me 47% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Çmimet e ulëta të naftës në tregjet ndërkombëtare nuk e kanë inkurajuar Bankers të shtojë investimet.
Sipas të dhënave zyrtare nga Bankers Petroleum, shpenzimet kapitale gjatë tremujorit të dytë ishin 38 milione dollare. Kompania shpoi 12 puse gjatë këtij tremujori në vendburimin e Patos-Marinzës, nga të cilët 10 puse horizontale prodhimi, një pus për depozitimin e ujit dhe një pus te ndalur. Shpenzimet kapitale ishin 50 milione dollare gjatë tremujorit të mëparshëm dhe 72 milione dollare gjatë tremujorit të dytë të 2014.
E njëjta situatë ishte dhe në tremujorin e parë, ku ndërsa banka raportonte se rritja e investimeve erdhi në pjesën më të madhe nga sektori i hidrokarbureve, këto të fundit raportuan ulje, teksa nuk i vunë të gjitha puset në punë, për shkak të çmimeve të pafavorshme të naftës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.