Investimet e huaja rriten 60% në tremujorin e tretë

13/12/2013 3:47 PM 0 komente

Investimet e Huaja Direkte shënuan rritje të lartë në tremujorin e tretë të këtij viti, duke arritur në 266 milionë euro, 61% më të larta në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat bëhen të ditura në bilancin e pagesave të tremujorit të tretë 2013, të publikuar nga Banka e Shqipërisë.

Në total, për 9-mujorin, investimet e huaja arritën në 712 milionë euro, duke u rritur me 27% në raport me janar-shtatorin e një viti më parë, një ecuri pozitive kjo, duke pasur parasysh situatën e vështirë ekonomike që po kalon vendi.

Megjithatë, ndikim në këtë zgjerim të lartë vlerësohet të ketë pasur privatizimi i tre HEC-eve në fillim të vitit, që u blenë nga kompania turke “Kurum”, me një vlerë prej rreth 111 milionë eurosh.

Për 9-mujorin, nëse seria e Investimeve të Huaja Direkte pastrohet prej privatizimeve, të vlerësuara në rreth 111 milionë euro, atëherë Investimet e Huaja Direkte hyrëse regjistrojnë një rritje prej rreth 7%.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of