Investimet e huaja direkte mbetën të larta në 9 muajt e këtij viti, teksa dy projekteve të mëdha, gazsjellësit TAP dhe hidrocentraleve mbi lumin Devoll po u vjen fundi.
Sipas statistikave të publikuara në bilancin e pagesave të Bankës së Shqipërisë, për 9 mujorin, investimet e huaja direkte arritën në 810 milionë euro, duke u rritur me 7.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave historike të Bankës së Shqipërisë, ky është niveli më i lartë i investimeve të huaja, të paktën që nga viti 2008, kur raportohen të dhënat.
Banka e Shqipërisë bëri të ditur se në tremujorin e tretë, investimet ishin të përqendruara kryesisht në sektorin e energjetikes (në masën 23%), të hidrokarbureve (në masën 21%) dhe ndërmjetësimit financiar (në masën 13%).
Investimet e huaja direkte kanë qenë në nivele të larta vitet e fundit, për shkak të dy projekteve të mëdha, gazsjellësit TAP dhe hidrocentraleve që po ngrihen mbi lumin Devoll.
TAP
Rreth 1,5 miliardë euro është investimi për ndërtimin e seksionit tokësor të tubacionit në Shqipëri, përfshirë këtu koston e tubave, kompresorëve dhe pajisjeve dhe makinerive të tjera të nevojshme për ndërtimin e tubacionit. Përqendrimi më i madh i punimeve ishte në periudhën 2017-2018.
Menaxheri i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri, ka pohuar për “Monitor” se për sa i përket ecurisë së punimeve në Shqipëri, thuajse i gjithë tubacioni është futur nën tokë. Rreth 95% e punimeve për pjesën tokësore në Shqipëri kanë përfunduar, përfshirë tubacionin në vetvete, stacionet e valvulave të bllokimit, stacionin matës dhe atë të kompresorëve, rikthimin në gjendje fillestare, daljen nga toka, etj., Këtu përfshihet edhe pjesa e punimeve për seksionin detar në ujërat shqiptare.
Devolli
Investimi tjetër i madh është ai i hidrocentraleve që po ndërtohen mbi lumin Devoll nga kompania Statkraft. Edhe ky investim është drejt fundit. HEC-i i Banjës tashmë është funksional dhe prodhon energji, ndërsa HEC-i i Moglicës ka përfunduar dhe është në fazë testimi. Burime zyrtare nga Statkraft thanë se në vitin 2018, investimet ishin rreth 86 milionë euro dhe në 2019-n, ato priten në rreth 73 milionë euro, ndërsa përfundon dhe HEC-i i dytë. Investimi total i Devollit është 590 milionë euro, sipas burimeve zyrtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.