Operatori i Sistemit të Transmetimit parashikon që të investojë gjatë vitit 2019 të paktën 2.3 miliardë lekë. Në planin e investimeve dorëzuar pranë Entit Rregullator të Energjisë thuhet se të paktën 1.6 miliardë lekë investime janë pjesë e projekteve që vazhdojnë që nga viti 2018, ndërkohë që rreth 700 milionë lekë janë projekte të reja që janë hapur apo pritet të nisin gjatë këtij viti. Por cilët janë disa nga projektet e investimeve që OST do të zbatojë gjatë vitit 2019, përmes financimit me fondet e veta?
E para është Linja e re 220 kV Burrel – Peshkopi dhe N/Stacioni 220/110 kV Shumat. Ky rrjet unazor ka gjatësi 150 kilometra dhe ka të lidhura rreth 9 nënstacione, përfshi ato të Rrugës së Kombit, si dhe shtatë hidrocentrale.
OST vlerëson se kur ka prodhim maksimal nga centralet, shfaqen probleme mbingarkese çka përfundon edhe në ndërprerje. OST parashikon që me futjen në operim të centraleve të reja, që do të rrisin edhe më tej ngarkesën, është e nevojshme një ndërhyrje emergjente. “Ky projekt parashikon ndërtimin e një linje të re 220 kV Burrel – Peshkopi rreth 46 km, instalimin e një trakti 220 kV pranë N/Stacionit 220/110/10 kV Burrel dhe ndërtimin e N/Stacionit të ri 220/110 (Shumat) Peshkopi me fuqi të instaluar 120 MVA. Vlera e projektit është rreth 2 miliardë lekë e shtrirë në tre vite”, – thuhet në planin e OST paraqitur pranë ERE-s.
Një tjetër projekt i rëndësishëm që do të jetë pjesë e investimeve të këtij viti është furnizim-vendosje e shunt-reaktorit 400 kV (120 MvAr) dhe traktit 400 kV në N/Stacionin Zemblak. Sipas OST, impakti i këtij projekti është në rregullimin e nivelit të tensionit në rrjetin 400 kV në një nyje të rëndësishme të interkonjeksionit, duke marrë në konsideratë se kemi të bëjmë me një problematikë rajonale (nivel i lartë i tensionit në rajonin e Ballkanit në rrjetin e transmetimit). Në total, i gjithë plani i OST është i ndarë në 38 projekte të shtrira në gjithë vendin dhe të natyrave të ndryshme.
Kështu, një tjetër investim është ai për përmirësimin Hardware-Software të sistemit të kontrollit të nënstacionit 400/220/110kV Tirana 2. “Sistemi aktual është në versione shumë të vjetra të Windows-it, përkatësisht Windows XP SP2 (version i vitit 2001). Për këto sisteme Windows, kompania Microsoft ka mbyllur çdo lloj update dhe supporti, duke bërë që sistemet e këtij versioni të mos jenë më të përditësuara me patch-et e fundit, gjë e cila ul ndjeshëm sigurinë e sistemeve. Aktualisht nuk prodhohen më pjesë zëvendësuese për pajisjet integrale të këtyre sistemeve të Kontroll-Monitorimit siç janë (Serverat, Workstation, Karta LON për server, Karta Profibus për server)”, bën të ditur OST.
Operatori i Sistemit të Transmetimit ka parashikuar në planin e vet të investimeve edhe atë që njihet si projekti për eficencën e energjisë. Sipas detajeve të dhëna në dokument, ky projekt përfshin ndërtimin e Linjës 220 kV me dy qarqe Tirana 2 – Rrashbull dhe fuqizimin e N/st. 220/110 kV Rrashbull dhe Unaza 110 kV e Tiranës.
“Projekti është financuar nga një kredi e Qeverisë Gjermane, nëpërmjet Bankës KfW, me kredi me 40 milionë euro. Ky projekt do të bëjë të mundur rritjen e besueshmërisë së funksionimit të rrjetit 220 kV të rajonit të Durrësit dhe të Jugut të Shqipërisë, duke plotësuar kriteret teknike të sigurisë dhe cilësisë.
Ky projekt do të përmirësojë kushtet aktuale të furnizimit me energji elektrike të qytetit të Tiranës, duke konsideruar që një pjesë e rëndësishme e rrjetit unazor 110 kV që furnizon me energji elektrike nënstacionet e sistemit të kësaj zone është ndërtuar mbi 40 vjet më herët dhe përbëhet nga linja ajrore të amortizuara dhe kapacitete transmetimi të limituara”, – vlerësohet në dokumentin që i është paraqitur ERE-s.
Projekti është ende në fazën e tenderimit (sapo është paraqitur nga ofertuesit dokumentacioni për fazën teknike) për përzgjedhjen e kontraktorëve, që do të realizojnë kontratën e zbatimit të projektit, përkatësisht sipas loteve: Loti 1 – N/Stacionet dhe Loti 2- Linjat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.