Fondacioni i Kosovës për shoqëri të hapur “KFOS” dhe Instituti për Hulumtime Zhvillimore “Riinvest”, kanë organizuar të martën panelin e radhës të Forumit 2015, me temën “Trajtoje me kujdes! Është pronë e qytetarëve – Transparenca dhe investimet kapitale në Kosovë”, gjatë së cilës u vlerësua se investimet kapitale dhe transformimet e pronave publike në vend kanë të përbashkët jotransparencën, kostot e transaksioneve, mungesën e studimeve dhe anashkalim nga Kuvendi, mungesë të monitorimit dhe papërgjegjësi korporative.
Kjo tryezë kishte për qëllim përmirësimin dhe informimin e politikëbërësve, si dhe aktorëve të tjerë, si dhe publikoi edhe katër raporte “PTK-nga agimi deri në muzg”, “Koncensionimi i aeroportit”, “Privatizimi në sektorin e energjisë” dhe “Rruga 6: Autostrada Prishtinë-Shkup”.
Ky projekt synon që të nxisë përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies duke promovuar kështu qeverisje të hapur dhe politikëbërje transparente, është i fokusuar në investimet më të mëdha kapitale në Kosovë dhe është implementuar nga Instituti Riinvest dhe organizata “Çohu”, shkruan Telegrafi.
Kryetari i Komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, infrastrukturë, tregti dhe industri, Muhamet Mustafa, duke folur në veçanti për kontratën e punës, tha se Kuvendi i Kosovës duhet të monitorojë zbatimin e kësaj kontrate, pasi që sipas tij, deri më tani kontrata është neglizhuar shumë nga institucionet.
Kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, e cila foli për tërheqjen e investitorëve të huaj nga Kosova, tha se vendit i mungon një shoqëri kredibile dhe e përgjegjshme në mënyrë të tërheq investitore, shkruan Telegrafi.
Visar Ymeri, zëvendëskryetar i Komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, infrastrukturë, tregti dhe industri, tha se nëse interesi publik është cenuar që në zanafillë të një projekti, atëherë vështirë se mund të rikthehet.
Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin Riinvest, vlerësoi se Kosova ka humbur raste të shumta për investime nga jashtë që, siç tha ai, do ta ndryshonin jetën e qytetarëve dhe do të lehtësonin zhvillimin e vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.