Intervistë me Arton Lena, administrator i shoqërisë administruese WVP Fund Management Tirana
Mosinvestimi i parave është mënyra më e sigurt për të humbur në kohëra të inflacionit të lartë.
Arton Lena, drejtor i përgjithshëm i shoqërisë administruese WVP Fund Management Tirana, thotë se kjo periudhë është një shans për investitorët, për t’u angazhuar në investime periodike dhe afatgjata.
Sipas tij, krijimi dhe akumulimi i pasurisë nuk arrihet shpejt, është proces i ngadaltë, që kërkon disiplinë, durim dhe investim të zgjuar.
Si e vlerësoni ecurinë e fondeve të investimeve në vitin 2021? Cilët ishin faktorët kryesorë që përcaktuan ecurinë e këtyre tregjeve vitin e kaluar?
Ecuria e fondeve në vitin 2021 për ne si WVP Fund Management Tirana ishte sfiduese, por nga ana tjetër, edhe shumë pozitive. Aktiviteti i fondeve të WVP Fund Management në Shqipëri filloi në vitin 2018, dhe pas dy vitesh, në vitin 2020, na kapi pandemia, ku tregjet botërore patën rënie të konsiderueshme.
Për ne ishte një test për të parë nëse politika investuese e fondeve tona, që investojnë në aksione të kompanive globale, ishte e përshtatshme për investitorët shqiptarë dhe nëse ishin të gatshëm të pranojnë një rënie prej rreth 25% të investimeve të tyre.
Ky test rezultoi i suksesshëm, ku jo vetëm që nuk patëm tërheqje të mëdha nga paniku të investitorëve, por ndodhi e kundërta, patëm investime të reja dhe më të mëdha, të cilat vazhduan edhe në vitin 2021.
Po në janar të vitit 2021, filluam edhe me fondin e ri në monedhën Euro, me politikën investuese në aksione të kompanive globale dhe në vitin 2021 arritëm të akumulojmë rreth 900 mijë euro investime nga investitorë individë, si dhe persona juridikë dhe institucione financiare.
Për ne si WVP Fund, faktori kryesor për ecurinë e tregut ishte politika investuese e qëlluar, për të investuar në aksione të kompanive që tregtohen në tregjet globale, ku në vitin 2021 pati rritje të konsiderueshme.
Fondin WVP Top Invest, në monedhën Lek, në vitin 2021 e mbyllëm me një fitim prej 20,85%, kurse fondin WVP Global në monedhën Euro, në vitin 2021, e mbyllëm me 22,75%. Kjo ishte një rritje e konsiderueshme që na dha edhe më shumë vullnet për të vijuar aktivitetin tonë në Shqipëri, me politikën tonë investuese.
Faktor tjetër i rëndësishëm për zhvillimin e tregut në Shqipëri besoj se është edhe rritja e shoqërive dhe fondeve të reja që janë licencuar, si dhe fakti që gjatë kohëve të krizave, individët kursejnë më shumë.
Prej fundit të vitit të kaluar, ka nisur një tendencë e rritjes së normave të interesit/yield-eve për Euron, ndërsa muajt e fundit, një tendencë e tillë po vërehet edhe për instrumentet në Lek. Çfarë ndikimi ka pasur deri tani kjo rritje për fondet e investimit në Shqipëri?
Në praktikën financiare e dimë që kur interesat rriten, çmimet e obligacioneve bien. Në afat të shkurtër, kjo ka një efekt negativ te fondet me politikë investuese në obligacione, sidomos për investitorët që kanë filluar investimet 1-2 vite më parë.
Por, në afat të mesëm dhe të gjatë, rritja e interesave i bën investimet në obligacione më atraktive dhe, nëse investitorët e kanë tolerancën kohore më të gjatë, do të kenë kthime të konsiderueshme.
Sa u përket fondeve me politikë investuese në aksione, siç janë fondet tona, rritja e interesave tregon që ekonomia dhe inflacioni janë në rritje dhe një mënyrë më e mirë për t’u mbrojtur është të jesh i investuar në biznese, pra në aksione të bizneseve, të cilat do të gjenerojnë të ardhura dhe do të jenë fitimprurëse edhe në kohë të tkurrjes së ekonomisë, inflacionit të lartë ose edhe një recesioni ekonomik, i cili duam apo jo ne, herët ose vonë, është i pashmangshëm.
Një nga rreziqet e inflacionit të lartë është ulja e kthimeve reale nga investimet afatgjata. Si mund të amortizohet ky efekt, me alternativat e investimit që ofron tregu financiar në Shqipëri?
Për t’u amortizuar efekti i uljeve të kthimeve afatgjata nga inflacioni, investitorët, qofshin ata individë ose persona juridikë, duhet të qëndrojnë të investuar, duke krijuar një portofol në bazë të qëllimeve të tyre (afatgjatë, afatmesëm) dhe tolerancës të riskut.
Fondet që WVP administron, investojnë kryesisht në aksione të bizneseve më të mëdha në botë si Microsoft, Pfizer, Shell, Nestle, Allianz, Bayer, Roche, UBS Bank etj., dhe në këtë mënyrë, investitorët shqiptarë, duke investuar në fondet tona në një llogari bankare depozitare në Shqipëri, kanë mundësinë të përfitojnë nga rritja dhe zhvillimi i bizneseve, nga industri të ndryshme, me qendër në shtetet më të zhvilluara të botës dhe operojnë bizneset e tyre në gjithë botën.
Kuptohet që inflacioni do të marrë një pjesë të kthimeve reale, por të mos harrojmë që biznesi, për të qenë i suksesshëm dhe të mbijetojë, duhet të rrisë çmimet dhe të përshtatet me inflacionin, ndërkohë e dimë që çmimin e inflacionit, në fund e paguan konsumatori. Prandaj, duke qëndruar i investuar, ju jeni në anën e biznesit dhe nuk jeni konsumatori.
Nga ana tjetër, rritja e interesave do të bëjë atraktive, sidomos për investitorët me horizont më të shkurtër kohor, edhe alternativën në investimet në instrumentet e borxhit, siç janë obligacionet, ose fondet investuese që investojnë kryesisht në obligacione.
Një gjë është e sigurt: ata që kursejnë dhe i mbajnë paratë në llogari bankare, depozita apo edhe më keq cash në shtëpi, do të humbasin, sepse inflacioni do t’ua zhvlerësojë vlerën e parasë që kanë.
Së fundmi, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka publikuar një projekt-rregullore që do të bëjë të zbatueshme shitjen në Shqipëri të kuotave të fondeve të investimit të licencuar në BE. Si e vlerësoni një hap të tillë dhe çfarë ndikimesh mund të japë në tregun shqiptar?
Projekt-rregulloren e kemi studiuar dhe në kuadër të shoqatës sonë – Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve – kemi dërguar komentet tona në shkresën ndaj AMF-së.
Ne gjykojmë që një rregullore e tillë, që do të tolerojë shitjen e SIK nga BE, pa hapur përfaqësi në Republikën e Shqipërisë dhe vetëm me anë të një agjenti, është një hap shumë i përshpejtuar për tregun tonë.
Industria e fondeve investuese në Shqipëri sapo ka filluar të zhvillohet, janë hapur disa shoqëri me kapital vendas, por edhe të huaj, është investuar në krijimin e kuadrit profesionist, në software dhe pajisje IT dhe shumë kohë në trajnimin e burimeve njerëzore.
Nëse lejohet që SIK të licencuara, të cilat operojnë në BE, me zero investime, pa hapur asnjë zyrë, pa investuar kapitalin e duhur, vetëm me një agjent, të fillojnë të shesin fonde në Shqipëri, mendoj se është konkurrencë e pabarabartë dhe industria në Shqipëri do të humbasë dinamikën e zhvillimit.
Por, edhe AMF, edhe shteti shqiptar, humbasin të ardhurat nga buxheti, sepse shoqëritë që administrojnë këto fonde janë me seli në BE dhe atje do të paguajnë të gjitha tarifat dhe tatimet.
Në rrugëtimin tonë drejt BE-së, do vijë koha që kjo të jetë e mundur dhe gjithmonë jam i mendimit se konkurrenca është e mirë për zhvillimin e industrisë, por duhet të jetë konkurrencë e barabartë. Nëse edhe SIK nga Shqipëria u lejohet, me një agjent në një shtet në BE-së të mund të shesin fondet e tyre, atëherë do të ishte OK.
Cilat janë pritshmëritë tuaja kryesore për vitin 2022? Si prisni të ndikojë në tregun e fondeve të investimit inflacioni i lartë dhe rritja e mëtejshme e normave të interesit?
Viti 2022 do të jetë sfidues, sidomos për tregjet ndërkombëtare. Pasojat nga lehtësimet financiare dhe printimi masiv i parave nga bankat qendrore po ndihen me rritjen e inflacionit dhe kriza e luftës Ukrainë – Rusi shtoi më shumë problemet me rritjen e çmimeve të naftës dhe bujqësisë.
Botën e pret një periudhë pak më e vështirë dhe tregje financiare të luhatshme, por e gjithë kjo është një shans për investitorin shqiptar, që në këtë periudhë të investojë.
Ne si shoqëri rekomandojmë investime periodike ose të njëhershme, në një afat më të gjatë, mbi 7 vjet. Sepse jemi të bindur që krijimi dhe akumulimi i pasurisë nuk arrihet shpejt, nuk është një sprint, por një maratonë që kërkon disiplinë, durim dhe investim të zgjuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.