Investimet në energji, OSHEE dhe OST rreth 80 milionë euro në rrjet në 2019-ën

30/01/2020 12:32 PM 0 komente

Viti 2019 ishte një vit i vështirë për kompanitë publike të sektorit energjetik i përkufizuar nga një situatë hidrike jo e favorshme, importe të larta, probleme me pagesat dhe pezullim të investimeve në disa raste. Pezullimet në projekte u bënë vetëm për një pjesë të tyre ndërkohë që ato prioritare vazhduan të paktën për OSHEE e cila ishte e vetmja që njoftoi rishikim të planit në mes të vitit të shkuar dhe kërkoi autorizimin e Entit Rregullator të Energjisë. Vetëm OSHEE dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit për vitin 2019 kanë në planet e tyre të miratuara nga ERE rreth 80 milionë euro investime që duhet të ishin mbyllur në 31 dhjetor të vitit të shkuar.

Konkretisht sipas planit të investimeve 4 vjeçar të paraqitur në ERE, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë raportonte investime në vlerën 6.7 miliardë lekë apo rreth 55 milionë euro. Investimi më i madh është bërë në matje me një vlerë 1.3 miliardë lekë ndërkohë që janë bërë investime në nënstacione dhe pajisje në 1.1 miliardë lekë, rikonstruksion kabinash në vlerën 1.2 miliardë lekë apo kosto lokale për investimet e Bankës Botërore 1.2 miliardë lekë.

Pavarësisht miratimit të planit të Investimeve ERE ka kërkuar që OSHEE brenda tremujorit të parë të këtij viti të paraqesë të dhënat e reja mbi planin e zhvillimit të rrjetit.

“Operatori i Sistemit të Shpërndarjes të paraqesë në ERE përditësimin e periudhës së mbetur të planit të zhvillimit të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike për pjesën e mbetur të periudhës pesëvjeçare 2018–2022, si dhe të rishikojë këtë plan në funksion të ndarjes së shoqërisë OSHEE sh.a. sipas kritereve të përcaktuara në “Rregulloren e procedurave të paraqitjes dhe miratimit të planit të investimeve nga operatorët e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike”, miratuar me vendimin e Bordit të ERE-s nr. 135, datë 6.9.2017 dhe të raportojë në ERE për realizimin e investimeve të vitit 2019, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi” thuhet në vendim.

Nga ana tjetër OST ka raportuar një vlerë investimi për vitin 2019 prej 2.74 miliardë lekësh në një sërë projektesh. Ashtu sikurse OSHEE-së edhe këtij operatori i është kërkuar që të raportojë mbi situatën e mbylljes së 2019-ës brenda 3 muajve të parë të këtij viti.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of