“Investimet pritet të rrisin kërkesën për mjete pune”

19/09/2017 10:28 AM 0 komente

Flet Ida Shehu, Drejtore e Përgjithshme e Raiffeisen Leasing Sh.a.

 

Kompanitë që operojnë në tregun e qirasë financiare duhet që të konsolidojnë politikat për t’i përshtatur ato me segmentet e caktuara.

Për Drejtoren e Përgjithshme të Raiffeisen Leasing, Ida Shehu, kjo duhet të vijë natyrshëm tanimë që konsumatori po merr çdo ditë dhe më shumë informacion. Pritshmëritë janë që 2017 të jetë një vit pozitiv për të gjithë tregun dhe në këtë aspekt pritet të ndikojë si rritja e besimit konsumator ashtu edhe investimet e parashikuara në rritje.

Tregu i leasing është shoqëruar vit pas viti me zhvillime. Si ka qenë ecuria e këtij tregu gjatë vitit 2017 nga të dhënat që keni paraprakisht?

Kemi vërejtur me kënaqësi që në 2017-n, kërkesa e klientëve në drejtim të financimit të mjeteve të reja ka pasur një rritje të mirë, sidomos për sa i përket tregut të dhënies së makinave me qira.

Cilat janë sfidat që has ky treg në lidhje me konkurrencën, edukimin financiar të qytetarëve për ta kuptuar, lehtësive që mund të ofrohen?

Konkurrenca ka pasur vetëm ndikim pozitiv mbi tregun. Edukimi i klientelës dhe vlerësimi i tyre ndaj produkteve ka ardhur në rritje. Nëse në fillim na duhej të prezantonim se çfarë ishte “qiraja financiare” dhe në shumë raste përballeshim me hezitim, tani mund të theksoj se niveli i njohjes nga tregu është pothuaj i tërësishëm dhe ne mund të ndërtojmë politikat si t’i përshtatemi sa më mirë kërkesës së segmenteve të caktuara të tregut.

Në vitin 2016, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ka pasur një rënie të zërit “mjete pune” brenda qirasë financiare. Si e vlerësoni këtë?

Është një fenomen i njohur për leasing që kërkesat më të mëdha për mjete pune vijnë kur projekte të mëdha iniciohen nga qeveria apo operatorë të mëdhenj privatë. Ne presim që në fund të 2017-s të shohim një rritje të këtij zëri, pikërisht për shkak të një dinamike më pozitive në sektorin e investimeve publike dhe private.

A kemi një situatë më të mirë konsumatore në kushtet kur kemi një rritje te blerja e mjeteve të reja?

Investimi i familjeve dhe bizneseve në makina të reja tregon vetëm rritje të besimit në performancën e tregut nga ana e popullatës. Tendenca, gjithsesi, është pozitive dhe besojmë se e tillë do të ngelet edhe në periudhën në vijim.

Si është raporti i kreditorëve të këqij kur flasim për qiranë financiare?

Tregu i qirasë financiare është përballur me të njëjtën sfidë si i gjithë tregu bankar, por duhet të theksoj që kemi një përmirësim të ndjeshëm të situatës dhe kemi besimin e plotë që do të vazhdojë të përmirësohet edhe më shumë deri në fund të vitit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of