Investimet publike, si të ngrihet infrastruktura e duhur

05/03/2021 10:00 PM 0 komente

Çdo vend dëshiron të ndërtojë më shumë ura, rrugë dhe rrjete me energji të rinovueshme. Nuk do të jetë e lehtë

 

Në vitin 1916, Cincinnati vendosi të ndërtojë një sistem të ri e të madh metroje. Pas dekadash me konflikte, ajo u braktis në vitin 1948 dhe sot ekzistojnë dy milje gjatësi tunele nën qytet, që nuk janë përdorur kurrë. Ky event paralajmërues është ende i rëndësishëm. Politikanët ngado po bëjnë thirrje për më shumë shpenzime në infrastrukturë.

Megjithatë, ajo mbetet një nga industritë me arritjet më të pakta të realizimit në kohë dhe në buxhet. Nëse bumi fillestar do të prodhojë rezultate më të mira, qeveritë dhe firmat duhet të mësojnë të miratojnë praktikat më të mira nga e gjithë bota.

Shumica e vendeve kanë miratuar plane stimuluese afatshkurtra për t’u përballur me pandeminë. Më 27 dhjetor, presidenti Donald Trump nënshkroi një projektligj shpenzimesh prej 900 miliardë dollarësh. Por ekziston edhe dëshira për t’u fokusuar mbi infrastrukturën. Joe Biden dëshiron të shpenzojë 2 miliardë dollarë në rrugë, rrjete elektrike dhe hekurudha dhe shpreson të fitojë mbështetje dypartiake për planet e tij. Bashkimi Europian sapo ka miratuar një buxhet prej 1.8 trn € (2.2 trn $), një pjesë e mirë e të cilit është për investime dixhitale dhe të energjisë.

Dashuria e re për infrastrukturën është e kuptueshme. Investimet publike dhe private kanë ngecur në 3-4% të PBB-së në të gjithë botën. Kjo është shumë pak për të ruajtur asetet e vjetruara në vendet e zhvilluara – një e treta e urave amerikane janë tejet të vjetra – ose për të siguruar mjaftueshëm ujë të pastër dhe energji elektrike në botën në zhvillim.

Normat e ulëta të interesit nënkuptojnë se financimi është i lirë dhe shumë ekonomistë mendojnë se shpërblimi nga infrastruktura është tërheqës. Ndërkohë, ndryshimi i klimës dhe dixhitalizimi i ekonomisë po krijojnë kërkesa të mëdha për sisteme të energjisë së rinovueshme dhe lidhje, duke përfshirë rrjetet 5G.

Megjithatë, në praktikë, të dhënat e infrastrukturës janë po aq të mangëta sa një autostradë në Mumbai. Kostot shpesh kalojnë nivelin 25%. Dy të tretat e rasteve të ryshfetit të huaj përfshijnë marrëveshje infrastrukture. Kina shpenzon më tepër se cilido tjetër, por ndoshta gjysma e investimeve të saj kanë shkatërruar vlerën ekonomike. India përjetoi një bum në vitet 2000, që përfundoi në një nivel masiv borxhi.

Edhe Gjermania po lufton për ta manovruar mirë infrastrukturën. E gjithë kjo reflekton disa probleme të thella. Shumica e projekteve kanë një horizont kohor përtej atij të politikanëve dhe votuesve. Dhe përfitimet e plota ekonomike të krijuara nga një rrugë, le të themi, nuk merren nga organizata që paguan për të.

Megjithatë, përvoja e hidhur sugjeron të paktën dy mësime universale. Së pari, qeveritë duhet të zgjedhin projektet në mënyrë sistematike duke krijuar një listë të vetme dhe duke zgjedhur ata me shpërblimin më të lartë. Ky vlerësim duhet të faktorizojë edhe eksternalitetet, përfshirë ndikimin në emetimet e karbonit dhe vonesat, të cilat janë një burim i madh i tejkalimeve të kostove.

Dhe duhet të kryhet nga organe që janë të pavarura nga ato që ndërtojnë dhe drejtojnë asetet. Shpesh projektet e zgjedhura nuk do të jenë tempujt e lavdishëm mbi të cilët politikanët parapëlqejnë të vënë emrat e tyre, por thjesht riparime dhe mirëmbajtje modeste.

Mësimi i dytë është shfrytëzimi i sektorit privat. Jo vetëm që është një burim kapitali – fondet globale të infrastrukturës kanë mbi 200 miliardë dollarë – por projektet me investitorë privatë gjithashtu priren të menaxhohen më mirë. Kjo nënkupton zhvillimin e kontratave të standardizuara dhe rregullatorëve të pavarur që mbrojnë tatimpaguesit por gjithashtu u japin investitorëve siguri të arsyeshme për një shpërblim të mjaftueshëm.

Të dyja mësimet mund të duken të qarta. Disa vende, si Kili dhe Norvegjia, e kuptojnë infrastrukturën siç duhet. Por mbi gjysma e vendeve të vëzhguara nga FMN-ja nuk kanë arritje të mëdha në këtë drejtim. Dhe në shumicën e rasteve, lista e projekteve është jashtëzakonisht e çrregullt. Amerika po shpenzon jashtë mase në 5G, por ka aeroporte të dobëta dhe shumë pak energji të rinovueshme.

Europa, nga ana tjetër, ka aeroporte luksoze dhe ferma me energji me erë, por është në epokën e gurit me teknologjinë 5G. Infrastruktura është një nga industritë e fundit lokale të mbetura, ku fitimet e lehta ende duhet të arrihen duke kopjuar të tjerët në të gjithë botën. Nëse krahasoni investimet publike në mbi 100 vende, miratimi i praktikës më të mirë mund ta bëjë shpenzimin 33% më efikas. Çmimi është i madh. Thjesht mos prisni një metro në Cincinnati.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of