Investimet, qeveria në kërkim të tokave të lira në bregdet, ngrihet Task Forca

10/04/2018 10:34 AM 0 komente

Një vendim qeverie i datës 28 shkurt 2018, sanksionon krijimin e një Task-Force që do të evidentojë të gjithë pasuritë e paluajtshme shtetërore përgjatë bregdetit shqiptar me qëllim investimin në turizmin bregdetar. Kjo Task Forcë do të regjistrojë në një regjistër të veçantë të gjitha pasuritë e paluajtshme shtetërore që ndodhen 1.5 kilometra nga vija bregdetare. I gjithë ky proces do të kryhet deri në 31 korrik 2019 dhe gjatë kësaj periudhe Task-Forca do të bëjë edhe koordinimin me institucionet e tjera të qeverisjes qendrore apo vendore. Për çdo pasuri të evidentuar do të bëhet verifikimi i situatës së saj duke nisur nga ndonjë situatë gjyqi, tek legalizimi apo marrja në pronësi e saj.” Task-Forca u kërkon informacion organeve shtetërore përkatëse, përfshirë, por pa u kufizuar në, Agjencinë e Trajtimit të Pronës, Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe prefekturat. Këto institucione detyrohen të japin informacion të qartë për pasurinë e paluajtshme brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës” thuhet në vendimin e qeverisë. Vetëm dy javë pas këtij vendimi do të vinte një tjetër plotësues që pezullonte përkohësisht procedurat e kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi në zonën me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike. Pezullimi është bërë për të paktën që bashki, që janë kryesisht bregdetare si bashkia Shkodër, Lezhë, Kurbin, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Fier, Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Konispol. “Njësitë e vetëqeverisjes vendore, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, territori administrativ i të cilave përfshihet në hartën e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të pezullojnë procedurat e kalimit në pronësi të tokës së ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe të regjistrimit të akteve të marrjes së tokës, në zonën me rëndësi për fondin e mbështetjes së investimeve strategjike, pavarësisht nga faza procedurale, menjëherë me hyrjen në fuqi të këtij vendimi” përcakton vendimi i dytë. Qeveria ka bërë të qartë që ky proces vjen në funksion të fondit të investimeve strategjike por ndërkohë ish-pronarët kanë shprehur shqetësimin se të gjitha këto iniciativa do të prekin edhe interesat e tyre. Përfaqësuesi i Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Myrshit Vorpsi tha në një intervistë për “Monitor” se janë të paktën 10 mijë dosje që ende s’janë shqyrtuar dhe që sipas gjasave humbasin plotësisht të drejtën ndërkohë që ata që e kanë fituar do shpronësohen sipas ligjit për interesin publik. Sipas tij të gjithë ligjet dhe vendimet po qartësojnë çdo ditë e më shumë synimin për të kaluar tek investitorët e fshatrave turistike tokën bregdetare. Pikërisht për këtë arsye sot shoqata ka një çështje të hapur në Kushtetuese ku ka çuar ligjin për turizmin. “ Qëllimi është i pastër: në një fashë 1.5 kilometra nga bregu, qeveria kërkon të pastrojë në funksion të ligjit për turizmin gjithë pasuritë shtetërore, përfshi këtu jo vetëm tokat bujqësore por edhe pyjet, kullotat, livadhet dhe bregun e detit. Zona ranore është si masë e parë, si masë e dytë është ajo që u takon titujve të pronësisë të ligjshëm, që janë brenda kësaj fashe nga bregu i detit. Po flas për toka që kanë qenë objekt i ligjit 7501, ashtu siç mund të kenë qenë dhe objekt i komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronave për pronarët e origjinës.

Nëpërmjet klasifikimit si interes publik kuptohet që, nëse do të bien në zona me përparësi turizmin, do të shpronësohen në favor të shtetit në bazë të ligjit dhe ky i fundit do të bëhet me çmimet që parashikon zëri kadastral i këtyre pronave. Pra, në pjesën më të madhe tokë bujqësore, pyje, kullotë me një çmim që nuk e kalon 300-400 lekë për metër katror. Këto prona investitori do t’i marrë nga shteti shqiptar sipas ligjit për turizmin, për një periudhë 99-vjeçare dhe madje mund t’i jepet në kuadër të nismës ‘Shqipëria 1 euro’” pohon Vorpsi.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of