Përmirësimi i klimës së të bërit biznes në vend si një aspekt kyç në tërheqjen e investimeve të huaja por edhe nxitjen e atyre vendase mbetet një nga sfidat e ekonomisë. Si një nga instiucionet lobuese të këtij përmirësimi Këshilli i Investimeve sipas përshtypjeve që merr nga anketat me biznesin bën edhe rekomandime konkrete që i shërbejnë këtij qëllimi. Por duket se në vitin 2019 një pjesë e mirë e rekomandimeve kanë rënë në vesh të shurdhër. Së pari të paktën 44 për qind e rekomandimeve nuk janë zbatuar, 19 për qind e tyre mbeten në proces kurse 37 për qind janë zbatuar.
“Në terma të përgjithshme, bazuar në rekomandimet e lëshuara, 37% e tyre janë përmbushur dhe 19% janë në proces implementimi përmes hapash konkrete por janë larg përmbushjes së plotë të tyre” vlerëson ky këshill në monitorimin vjetor të aktivitetit të tij.
Por cilët janë në fakt rekomandimet që nuk janë zbatuar dhe sektorët që përfshijnë këta të fundit. Sipas raportit në mbledhjet e vitit 2018 dhe 2019 me rekomandime “Mbi potencialet e investimeve dhe sektorët prioritarë”,”Siguria juridike mbi pronën” dhe” Formalizimi i Turizmit”, ka një nivel realizimi të ulët që justifikohet me faktin që rekomandimet duan një kohë të konsiderueshme për t’u realizuar nga institucionet shtetërore.
Konkretisht mbi potencialin e investimeve mbeten të pazbatuara 28 rekomandime. Mbi sigurinë juridike të pronës mbeten 19 rekomandime të pazbatuara e kështu me radhë për formalizimin e turizmit 12, për cilësinë e fuqisë punëtore 10 për e-lejet 6 dhe më pak për ankimin administativ me 3 inspektimet dhe procedurat doganore me 2 dy incentivat e investimeve, informalitetin dhe derregullimin me 1.
Gjatë vitit të shkuar “Këshilli i Investimeve ka miratuar rekomandime që synojnë ndërhyrje në sektorë të ndryshëm, por pesë sektorët më të rëndësishëm të adresuar jepen në grafikun e më poshtëm. Niveli i informalitetit dhe rekomandimet se si të luftohet, janë trajtuar në dy mbledhje në lidhje me sektorët e turizmit (në 10% të totalit të vlerësimit) dhe bujqësisë (në 9% të totalit), të dy sektorë potencialë për rritje të qëndrueshme dhe investimesh në Shqipëri. 8% e rekomandimeve kanë të bëjnë me sektorin BPO-ve, një temë shumë e diskutuar për potencialin e zhvillimit të punësimit të të rinjve”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.