Investimet në rrjetin e energjisë, OSHEE i parashikon 73 milionë euro

16/01/2020 10:00 AM 0 komente

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka parashikuar që këtë vit të kryejë investime në rrjetin e shpërndarjes me një vlerë rreth 73 milionë euro. Në një dokument zyrtar kompania nënvizon se pjesa më e madhe do të kryhen nga të ardhurat e vetë kompanisë ndërkohë që edhe nga projekti i rimëkëmbjes me mbështetje të Bankës Botërore do të ketë një fond të veçantë.

“Zbatimi i planit të investimeve sipas planit afatgjate të aprovuar ka sjellë rezultate në uljen e humbjeve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj klientëve. Megjithatë ndikimi është pjesor dhe efektet më të mëdha në uljen e humbjeve në rrjet sipas planit të hartuar do të kenë ndikim të plotë në performancën financiare të shoqërisë, pasi investimet të jenë shtrirë në përmirësim të pjesës më të madhe të rrjetit. Investimet janë mbështetur dhe do të vazhdojnë të mbështeten kryesisht në burime të brendshme të shoqërisë (fitimi vjetor i realizuar) si edhe në financimin sipas kredisë së Bankës Botërore. Investimet e parashikuara të kapitalizohen për vitin 2020 janë 8.93 5 miliard Leke nga të cilat rreth 1.6 miliard Leke nga kredia e Bankës Botërore” thuhet në dokument.

Për shkak të kushteve të vështira  financiare në vitin e shkuar si rezultat i importeve të larta OSHEE pezulloi 69 projekte investimesh. Kompania bëri me dije se viti 2019 është i pari  vit që ajo do të dalë me humbje pas 4 viteve me performancë të suksesshme. Këto humbje llogaritën në 7.7 miliardë lekë apo rreth 63 milionë euro.

Vitin e shkuar shpenzimet për blerje dhe transmetim energjie rezultuan 29 % ose 9.7 miliard Lekë me shumë se 2018. “Si rezultat i thatësirës së zgjatur prodhimi dhe furnizimi me energji nga KESH me çmim të rregulluar 1.5 Lekë/Kwh u ul ndjeshëm duke detyruar shoqërinë të blejë energji ne tregun e importit me çmim mesatar prej rreth 9.2 Lekë/Kwh. Kosto e energjisë se blerë për tariforët për shkak të mos furnizimit nga KESH pritet të jete 5 Lekë nga 4.13 Lekë të planifikuar me një efekt prej rreth 5.6 miliard Lekë me shumë” njoftoi OSHEE.

Për vitin 2020 kompania e shpërndarjes parashikon se sasia e energjisë së injektuar në sistem për vitin 2020 parashikohet të jetë 6,495 Gwh. Sasia e energjisë së shitur parashikohet të jetë 5,196 Gwh dhe sasia e energjisë për mbulimin e humbjeve parashikohet të jetë 1,299 Gwh duke parashikuar që niveli i humbjeve të jetë 20%.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of