Investimet strategjike, Ikonomi: Projektligji shmang boshllëkun ligjor

11/12/2019 2:41 PM 0 komente

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi këtë të mërkurë projektligjin “Për një ndryshim në ligjin Nr.55/2015 “Për investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Ndryshimi konsiston në zgjatjen e afatit të paraqitjes së kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit të investitorit strategjik dhe procedurën e veçantë të të asistuarit. Ky afat parashikohet të zgjatet deri në 31 dhjetor të vitit 2020, nga 31 dhjetor 2019 që parashikohet në ligjin nr. 55/2015.

E pranishme në mbedhjen e komisionit, Zv.Ministrja Belinda Ikonomi shprehu qëndrimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë mbi projektligjin, i cili është nismë e deputetit Ilir Beqaj.

Zv.Ministrja Ikonomi informoi se MFE është duke hartuar një projektligj të ri për investimet dhe duke qenë se ky projekt nuk do të jetë gati brenda datës 31 dhjetor 2019, ndryshimi i propozuar në ligjin aktual synon të shmangë krijimin e një boshllëku ligjor, në mënyrë që investitorët të mos kenë ku të drejtohen dhe aplikojnë për përfitimin e statusit të investitorit strategjik.

“Ndryshimi i këtij neni, ndryshimi i afatit që ky ligj do të jetë në fuqi deri në 31 dhjetor 2020, synon që të mos krijohet një boshllëk ligjor në mënyrë që investitorët të mos kenë mundësi për të aplikuar. Pasi projektligji i ri do trajtohet dhe miratohet nga ana juaj, në mënyrë automatike ky afat bie”, u shpreh Ikonomi.

Sa i përket zbatimit të ligjit të investimeve strategjike, Zv.Ministrja informoi se deri më tani janë 14 investime strategjike të miratuara me vendime të Komitetit të Investimeve Strategjike dhe të gjitha të dhënat janë bërë publike në faqen zyrtare të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of