Investimet, turizmi dhe bujqësia sektorët me më shumë nevojë për ndërhyrje

18/02/2021 2:00 PM 0 komente

Në pesë vitet e fundit 2015-2020 turizmi dhe bujqësia janë sektorët që kanë marrë më shumë rekomandime për ndërhyrje në funksion të përmirësimit të situatës së investimeve. Këshilli i Investimeve (KI) ka bërë një analizë të situatës në vitet e fundit duke vënë tekstin se 33% e totalit të rekomandimeve të bëra prej tij, adresojnë ndërhyrje në këta dy sektorët kryesorë  të ekonomisë.
Lidhur me aspektet se ku është rekomanduar ndërhyrja analiza veçon të paktën katër ku së pari rritje të nivelit të formalizimit të sektorëve. Së dyti incentiva për forcimin e sektorëve, së treti ndërhyrje ligjore që do të lehtësonin bizneset e këtyre sektorëve dhe së katërti incentiva për të rritur vlerën e shtuar të sektorit agro-përpunues për investime.

Bashkëpunimi institucional duket se është një nga ngërçet kur vjen puna tek mbarëvajtja e punëve dhe kjo duket se është arsyeja se pse në rekomandimet e Këshillit të Investimeve ky rekomandim kryeson.

“Rekomandimet në nivel institucional zënë peshën më të lartë mbi totalin 43%, ku theksi jepet kryesisht në: bashkëpunimin ndërinstitucional, ngritjen e kapaciteteve të strukturave operacionale, qëndrueshmërinë e institucioneve dhe rritjen e standardit dhe cilësisë së shërbimeve” nënvizon KI.

Shumica e rekomandimeve të bëra duket se nuk janë marrë parasysh përgjatë këtyre viteve ku 48 për qind e tyre nuk rezultojnë të zbatuara.

Të zbatuara nga ana tjetër janë 38%  e rekomandimeve të bëra kurse 14 për qind janë në proces. Në grupin e rekomandimeve të zbatuara raporti rendit punësimin dhe ngritjen e kapaciteteve të kapitalit njerëzor ku katër VKM u miratuan gjatë vitit 2020 me synim stimulimin e punësimit përmes subvencionimit të bizneseve për të punësuar e trajnuar punëkërkues të papunë.

E dyta është Konkurrenca e Sektorit të Turizmit ku nënvizohet se përmirësimi i konkurrencës dhe forcimi i formalizmit bëhet përmes identifikimit dhe klasifikimit të strukturave turistike.

Avancimi i Reformës së Deregulimit – Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve online të ofruara përmes platformës elektronike për lejet e ndërtimit duke specifikuar afatet për vendimmarrje për lejet e ndërtimit, duke shmangur pezullimin e funksionalitetit të platformës, duke përcaktuar rolin/përgjegjësitë e institucioneve të ndërlidhura në platformë.

E fundit stimulimi fiskal – Nxitja e investimeve të sektorit agro-prodhues përmes  subvencionimit të naftës./ N.Maho

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of