Investimet, zgjidhja kalon nga Kryeministria

18/05/2019 10:04 PM 1 koment

Investimet janë të barabarta, qoftë të huaja apo vendase. Në thelb, ky duket të jetë parimi i projektligjit të ri “Për investimet”, i dërguar tashmë në tryezat e palëve të interesit për diskutim. Në brendësi të tij janë përfshirë elemente të tjera shtesë, që unifikojnë gjithë legjislacionin aktual në një të vetëm, ndërkohë që ka elemente të tjera që lidhen me përdorimin e tokës, investimet strategjike dhe mbi të gjitha, ngritjen e një mekanizmi ankimimi dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve jashtë gjykate, ku në hallka përfshihet edhe zyra e Kryeministrit.

Një përpjekje për të unifikuar mbrojtjen që iu jepet investitorëve, e cila aktualisht fokusohet tek ata të huaj, si dhe nevoja për të përmbledhur në një ligj të vetëm çështjen e investimeve, ka sjellë në tryezat e grupeve të interesit draftin e parë që kanë këto objektiva. Një projektligj “Për investimet” ka korrigjuar së pari, pikën e “diskriminimit” për investitorët vendas, duke u ofruar atyre të njëjtën mbrojtje dhe garanci, ashtu si ato të huaja, ndërkohë që paralelisht synon zgjidhjen më të shpejtë të mosmarrëveshjeve për të shmangur arbitrazhet.

Drafti pritet që t’u nënshtrohet diskutimeve të gjata përpara miratimit në qeveri dhe sanksionon në fund të tij se ndoshta, në janar 2020, do të jetë në fuqi. Por cilat janë aspektet që sjell ky projektligj “Për investimet”.

 

Investitorët vendas dhe të huaj janë të barabartë

“Investitorët e huaj dhe investimi i tyre, subjekte të dispozitave të këtij ligji apo të legjislacionit në fuqi, do t’u ofrohet trajtim jo më pak i favorshëm se ai që i ofrohet, në rrethana të njëjta, investitorëve vendas, në lidhje me themelimin, blerjen, zgjerimin, menaxhimin, drejtimin, operimin dhe shitjen apo forma të tjera të disponimit të investimit të tyre”, thuhet në ligj, duke nënvizuar se tashmë mes investimeve nuk do të ketë diferencim. I njëjti dokument thekson, në një nen të veçantë, nenin për lirinë për të menaxhuar ndërmarrjen e vet. Kështu, çdo investitor gëzon lirinë për ta drejtuar ndërmarrjen e tij, sipas legjislacionit në fuqi.

Kjo liri, sipas draft-ligjit, përfshin mundësinë për të marrë dhe për të larguar nga puna punonjësit, sipas parashikimeve të Kodit të Punës, për të përcaktuar proceset e prodhimit, lëndët e para, produktin final dhe çmimet, si dhe lirinë për ta mbyllur dhe për ta shitur shoqërinë brenda ligjit. Një tjetër nen specifikon të drejtat për të transferuar fonde jashtë, pasi të jenë paguar detyrimet tatimore brenda vendit.

Sipas projektligjit, të ardhurat e krijuara nga investimi në Shqipëri dhe që mund të transferohen përfshijnë, por pa u kufizuar, të ardhurat nga investimi të marra në formën e fitimit, dividentit, interesave dhe formave të tjera. Po kështu, fonde të marra nga investitorët pas likuidimit të plotë ose të pjesshëm të investimit të tyre në Republikën e Shqipërisë, ose disponimit të investimit në prona, ose në të drejta pronësore apo kompensimet dhe shpronësimi.

 

Çështja e pronësisë mbi tokën dhe shpronësimi

Çështja e pronësisë, kur bëhet fjalë për investimet, është një nga temat e nxehta që në shumë raste shërben edhe si kufizim për zhvillimin e tyre. Kjo lidhet më së shumti me problematikën e trashëguar që ka një historik të gjatë mbivendosjeje, shpronësimesh dhe ndarja e famshme sipas ligjit 7501. Në projektligjin “Për investimet”, lidhur me të drejtën mbi tokën, qeveria ka sanksionuar në një paragraf të veçantë se investitorët kanë të drejtë ta përdorin, ta gëzojnë apo ta disponojnë tokën për qëllimet e investimit në përputhje me ligjin për shitblerjen e trojeve, apo të ligjit për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave apo qira, enfiteozë.

Në lidhje me rastet e shpronësimit, drafti nënvizon se investitorët nuk duhet t’i nënshtrohen asnjë akti direkt ose indirekt shtetëzimi shpronësimi, apo masave me efekte të barasvlershme me to, me përjashtim të interesit publik, në pajtim me procesin e rregullt ligjor, pa asnjë lloj diskriminimi dhe kundrejt pagesës së kompensimit të duhur. Lidhur me përdorimin e brigjeve, projektligji ndalet vetëm tek investimet e veçanta të njohura si strategjike.

“Lejimi i përdorimit të brigjeve të detit, të liqeneve, të lumenjve dhe të shtretërve të tyre, si dhe e zonave përkatëse në funksion të realizimit të një projekti investimi strategjik, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për Ekonominë, pas diskutimit dhe miratimit në Komitetin e Investimeve Strategjike, pas marrjes së mendimit paraprak nga institucionet, kompetencat e të cilave shtrihen në këto zona” thuhet në draft.

 

Investimet strategjike, sektorët dhe kontratat shtesë në Kuvend

Investimet strategjike aktualisht trajtohen me një ligj të veçantë të miratuar në vitin 2015. Projektligji i ri “Për investimet” ka të përfshirë edhe pjesën e investimeve strategjike, duke përcaktuar edhe një herë sektorët që do të shihen me përparësi për zhvillimin e këtyre investimeve. Duke qenë një ligj relativisht i ri, sektorët kanë mbetur të njëjtë edhe në draft. Kështu sektorët strategjikë janë sektori energjetik dhe minerar, sektori i transportit, i infrastrukturës, i komunikimeve elektronike dhe i mbeturinave urbane, sektori i turizmit (strukturat turistike), sektori i bujqësisë (fermat e mëdha bujqësore) dhe i peshkimit, sektori i zonës ekonomike, zonat me përparësi zhvillimi.

Kësaj kategorie investitorësh që arrijnë të marrin statusin “strategjik”, ashtu si në ligjin aktual, u ofrohen një seri lehtësish të lidhura me përparësinë e përgatitjes së dokumentacionit, konsolidimin dhe përditësimin e tokës, programet mbështetëse, ndihmën shtetërore, mbështetjen me infrastrukturë ndihmëse, si dhe vënien në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore për zhvillimin dhe realizimin e projekteve. Ajo që sjell drafti si risi është ofrimi i një garancie shtesë për investitorët që duan që kontrata e tyre me shtetin të kalojë edhe një hallkë tjetër miratimi, siç është Kuvendi.

“Subjekti që merr statusin e investimit strategjik, procedurë e veçantë, përveç shërbimeve dhe lehtësive të renditura më lart, ka të drejtë të kërkojë miratimin nga ana e Kuvendit, me propozimin e Këshillit të Ministrave, të kontratave përkatëse të investimit strategjik, për të rritur sigurinë e marrëdhënies juridike të lindur mes tij dhe shtetit shqiptar” thuhet në projektligj.

 

Komiteti i Investimeve Strategjike dhe AIDA ruajnë pozicionet e tyre

Komiteti i Investimeve Strategjike, një organ që edhe aktualisht funksionon në bazë të ligjit “Për investimet strategjike”, vijon të mbetet edhe në kuadrin që është në diskutim e sipër. Sipas këtij drafti, katër janë përgjegjësitë kryesore të këtij Komiteti ku, së pari, është miratimi i projekteve që u jepet statusi “Investim strategjik, procedurë e asistuar/ e veçantë”.

Së dyti, miratimi i planit të veprimit për masat, procedurat dhe afatet, për sa u takon shërbimeve dhe lehtësimit të procedurave për hartimin dhe zbatimin e projektit të investimit strategjik, në të cilin përcaktohen angazhimet, detyrat konkrete dhe afatet për institucionet qendrore dhe njësitë e qeverisjes vendore, për të gjitha fazat e realizimit të projektit dhe të zbatimit.

Së treti, monitorimi i funksionimit të sistemit të “sportelit të vetëm”, për shërbimet e ofruara për investitorin strategjik.

Së katërti, monitorimi i performancës së ndikimit të investimeve strategjike dhe të performancës së vetë investimit, si dhe miratimin e programeve konkrete të mbështetjes dhe të incentivave për investimet strategjike. Anëtarët e Komitetit, në mënyrë nominale, caktohen me urdhër të Kryeministrit. Nga ana tjetër, edhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, konsiderohet pjesë e rëndësishme e gjithë arkitekturës së institucioneve të përfshira me investimet, ku përveç detyrave dhe detyrimeve të parashikuara në ligjin e saj organik, ngarkohet edhe të ndjekë procedurën e dhënies së statusit të investimit strategjik.

“Ajo shërben si sportel i vetëm për investimet strategjike, ofron shërbimin e mbështetjes së investitorëve në përgatitjen dhe aplikimin për statusin, si investim strategjik, shërben si agjent asistues i tyre, si dhe ofron mbështetjen më pas, monitorimin dhe mbledhjen e të dhënave”, nënvizohet në projektligj.

 

Mosmarrëveshjet, ngrihet mekanizmi i ankesave, përfshihet Kryeministria

Rastet e mosmarrëveshjeve mes shtetit dhe investitorëve nuk janë diçka që nuk ka precedent. Në funksion të shmangies së kostove dhe arbitrazheve draft-ligji i ri parashikon një mekanizëm të ri për ankesat e investitorëve dhe gjetjen e një zgjidhjeje jashtë gjykatave. Sipas projektligjit, një investitor mund të paraqesë një ankesë me shkrim tek institucioni shtetëror për mekanizmin e ankesave, nëse është dëmtuar nga një sjellje, veprim ose vendim i një institucioni publik, që ka lidhje me investimin”, – thuhet në projektligj.

Pas kësaj, institucioni përgjegjës heton çështjen dhe ndërmerr çdo veprim të nevojshëm për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët, brenda një periudhe kohore të arsyeshme. Institucioni përgjegjës kërkon, brenda 7 ditëve nga autoritetet e përfshira, informacion mbi ankimimin e bërë pranë tij dhe më pas, harton një raport me shkrim për gjetjet për investitorin, krerët e institucioneve të përfshira dhe ministrat e përfshirë, kjo në një afat 7 ditë.

“Me vendim të institucionit shtetëror përgjegjës për mekanizmin e ankesave mosmarrëveshja mund t’i dërgohet në çdo kohë Zyrës së Kryeministrit, për trajtim të mëtejshëm dhe vendim”, thuhet në projektligj. Në nenin 26 nënvizohet se një mosmarrëveshje e lindur mes një investitori dhe një ose më shumë enteve shtetërore në Republikën e Shqipërisë, në lidhje me kapitalin e investuar, ose me interpretimin ose zbatimin e parashikimeve të këtij ligji, duhet të zgjidhet miqësisht.

 

Investitorët ekzistues mund të kërkojnë garancinë që ofron ligji i ri

Projektligji “Për investimet” nënvizon, ndër të tjera, edhe mënyrën sesi do trajtohen investimet ekzistuese në momentin që hyn në fuqi kuadri i ri ligjor. Kështu, një investim që rregullohet nga ky ligj dhe që ekzistonte në momentin, kur ky ligj hyn në fuqi, ka të drejtë të zgjedhë mbrojtjen nën ligjin e mëparshëm ose nga ky ligj, i cili të konsiderohet më i favorshëm për të. Nga ana tjetër, edhe të drejtat që ka fituar një biznes nën këtë ligj ruhen edhe në rast se ligji shfuqizohet.

“Të drejtat që një investim i ka fituar nën këtë ligj, do të vijojnë të ofrohen në rast se ky ligj shfuqizohet. Në atë rast, investitori ka të drejtë të zgjedhë mes të drejtave dhe garancive të parashikuara nga ky ligj dhe atyre që do të parashikohen nga legjislacioni i ri. Subjektet që kanë aplikuar për statusin ‘Investim/ investitor strategjik, procedurë e asistuar/ e veçantë’ me ligjin e mëparshëm, kanë të drejtë të zgjedhin ligjin e mëparshëm apo këtë ligj për rregullimin e marrëdhënieve juridike mes tyre dhe Shtetit’” thuhet në draft.

1
Komente

avatar
1 Comment threads
0 Thread replies
0 Followers
 
Most reacted comment
Hottest comment thread
1 Comment authors
Anonymous Recent comment authors
  Subscribe  
newest oldest most voted
Notify of
Anonymous
Guest
Anonymous

Rasti “Bechetti” tregon se cdo nisme e qeverise qe anashkalon ligjin apo abuzon me ligjin kinse ” gjykuar ne baze te ligjit ” nga gjykata,tregon synimet e qarta te qeverise shqiptare per te kapur krejtesisht ekonomine e shqiperise.
Ekonomia po vuan pikerisht klientelizmin,abuzivizmin dhe korrupsionin e qeverise….