Individët rritën ndjeshëm investimet në ankandet e Letrave me Vlerë të qeverisë shqiptare gjatë tremujorit të tretë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), blerjet e Bonove dhe Obligacioneve në tregun primar arritën në afërsisht 9 miliardë Lekë ose rreth 74 milionë Euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, investimi në këto instrumente është rritur me 82%.
Rritja ka ardhur sidomos nga një zgjerim i ndjeshëm i investimit në instrumentet aftashkurtra. Sipas shifrave të AMF, për tre muaj individët investuan 6.2 miliardë Lekë në Bono Thesari, me një rritje prej 182% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, investimet në Obligacione arritën në rreth 2.7 miliardë lekë, me një rritje të lehtë prej 0.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pjesërisht, përqendrimi i rritjes te Bonot e Thesarit mund të shpjegohet edhe me vendimin e Bankës së Shqipërisë të mos ofruar më shërbimin e investimit në Bono këtë vit, duke e orientuar tregun ekskluzivisht tek ndërmjetësit financiarë të licencuar nga AMF për këtë qëllim. Në gusht 2020 Banka e Shqipërisë njoftoi ndërprerjen e ofrimit të këtij shërbimi gradualisht. Që 1 janarit 2021 banka qendrore nuk do të pranojë më hapjen e llogarive të reja për këtë qëllim, ndërsa duke filluar nga viti 2022 shërbimi nuk ofrohet më as për ata individë që kishin llogari të hapura. Ky vendim u mor me argumentin se tashmë tregu i subjekteve private që e ofrojnë këtë shërbim ishte i konsoliduar dhe kompetitiv.
Në segmentin e Obligacioneve, ku investimi gjithmonë është kryer vetëm nëpërmjet ndërmjetësve të licencuar, kryesisht banka tregtare, diferencat me vitin e kaluar janë më të vogla. Pjesëmarrja në ankandet e tregut primar bëhet përmes ndërmjetësve të licencuar financiarë, që janë zakonisht bankat tregtare. Aktualisht në Shqipëri ka 12 shoqëri komisionere për investimin në tituj, por pjesa dërrmuese e volumit të transaksioneve nga individët bëhet nga bankat tregtare e licencuara për këtë shërbim.
Individët po vazhdojnë të shfaqen mjaft të interesuar për investimin në letrat e borxhit të qeverisë shqiptare. Epoka e normave të ulëta historike të interesit në vitet e fundit ka luajtur një rol të konsiderueshëm në këtë tendencë. Në dy vitet e fundit, kursimet e individëve dhe bizneseve në Shqipëri kanë shfaqur një tendencë të fortë në rritje, e ilustruar kjo nga ritmet e rritjes së depozitave bankare. Paralelisht, kjo po provohet edhe nga rritja e investimit në Bono dhe Obligacione, prej atyre që nuk janë mjaftuar vetëm me ruajtjen e parave në bankave, por kanë kërkuar edhe kthime më të larta, duke I investuar kursimet e tyre në këto instrumente.
Mbështetur në të dhënat e Ministrisë së Financave, individët, në mënyrë direkte apo nëpërmjet bankave, mbanin rreth 18% të stokut të borxhit të brendshëm publik në fund të vitit të kaluar. Në vlerë, kjo përkthehet në rreth 122 miliardë Lekë apo 1 miliardë Euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.