Më shumë se 34.2 për qind vëllimit të transaksioneve në tregun sekondar të titujve të qeverisë i takoi instrumenteve afatgjatë (obligacione) gjatë 9 mujorit të këtij viti.
Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se në instrumente afatshkurtër (bono thesari) transaksionet zinin një vëllim 65.73 për qind e totalit.
“Parë nga këndvështrimi i numrit të transaksioneve, 88.45% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të titujve të Qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera në bono thesari.
Të dhënat statistikore të tregut të titujve të Qeverisë për periudhën janar-shtator 2020, flasin për një dominim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 44.83% dhe 39.93% kundrejt vëllimit të përgjithshëm. Pjesëmarrja në tregun sekondar të titujve të Qeverisë, për periudhën janar-shtator 2020 dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë 98.58% të të gjitha transaksioneve në këtë treg” vlerëson AMF.
Dy grupet e transaksioneve B dhe C
Të njëjtat shifra të AMF tregojnë se transaksioni i llojit B “Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë periudhës janar-shtator 2020, ka pasur një ulje prej 2,068 milionë lekë ose 45.56% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Numri i transaksioneve i llojit B është ulur në masën 16.34%.
Sa i takon transaksionit të llojit C “Blerje para afatit të maturimit” gjatë periudhës janar-shtator 2020, ka pasur një rritje prej 7 milionë lekë ose 0.33%, ndërkohë pati një ulje në numrin e transaksioneve në masën 32.30%, krahasuar me periudhën janar-shtator 2019.
“Në totalin e transaksioneve të llojit B dhe C të marra së bashku, vihet re një ulje në vlerë absolute me rreth 2,062 milionë lekë, krahasuar me periudhën janar-shtator 2019” vlerëson AMF.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.