Investitorët “dynden” në ankandin e obligacioneve 7-vjeçare

10/03/2021 6:27 PM 0 komente

Investitorët po shfaqin interes të lartë për të blerë letrat me vlerë afatgjatë të qeverisë shqiptare, në kërkim të përfitimeve më të larta.

Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, në ankandin e obligacioneve me maturim 7-vjeçar që u zhvillua të mërkurën kërkesat totale të paraqitura arritën në 8.1 miliardë lekë, nga tre miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave.

Kthimi mesatar apo kuponi i obligacioneve të shitura arriti në nivelin 4.25%, në rënie nga niveli prej 4.38% i ankandit të mëparshëm.

Ankandi i fundit për këto instrumente ishte zhvilluar në Shtator të vitit të kaluar, ndërsa Ministria e Financave pati organizuar edhe një rihapje në muajin Dhjetor. Për shkak të yield-eve të ulëta të ofruar nga investitorët, Ministria e Financave madje ka vendosur ta rrisë shumën e huamarrjes në 3.45 miliardë lekë, nga 3 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur fillimisht.

Rënia e kuponit të obligacioneve 7 vjeçare përfaqëson një tendencë e ndryshme krahasuar me titujt me afat më të shkurtër maturimi të qeverisë shqiptare, për të cilat yield-et kanë regjistruar një rritje të lehtë gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Arsyeja kryesore që shpjegon rënien e mëtejshme të yield-eve për titujt më afatgjatë është pikërisht kërkesa më e lartë që ka tregu për këto instrumente.

Duke qenë se obligacionet afatgjata mundësojnë kthime nga investimi mjaft të kënaqshme krahasuar me instrumentet e tjera financiare, më shumë individë dhe subjekte dëshirojnë të investojnë në to. Veç investitorëve individualë, këto obligacione janë një alternativë shumë e kërkuar nga investitorët insitucionalë, si fondet e pensioneve apo të investimeve.

Këto zhvillime tregojnë se tregu financiar është likuid dhe gjithmonë i ndjeshëm ndaj atyre alternativave që sigurojnë kthime më të larta, qoftë edhe me afate të gjata maturimi.

Vitet e fundit, Ministria e Financave po shton emetimet e titujve të borxhit afatgjatë, si një mënyrë për të ulur rrezikun e rifinancimit, por edhe për të përfituar nga cikli i normave më të ulëta historike të interesit. Në fund të vitit 2020, instrumentet afatgjatë, me maturim mbi një vit, përbënin rreth 68% të stokut të borxhit të brendshëm të qeverisë qendore, nga 42% që zinin në vitin 2010. Maturiteti mesatar i letrave të borxhit të emetuara në tregun e brendshëm në fund të vitit 2020 ka arritur në 783 ditë, ndërsa një dekadë më parë ishte 384 ditë.

Burimi: Ministria e Financave

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of