IPARD në bujqësi, në 2020 u tërhoqën 11 milionë euro nga përfituesit

12/03/2021 1:00 PM 0 komente

Të dhënat zyrtare të vitit 2020 tregojnë se nga fondet e Bashkimit Europian në bashkëfinancim me qeverinë nën programin IPARD u tërhoqën 1.3 miliardë lekë apo rreth 11 milionë euro. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural zbardhi shifrat në raportimin 12 mujor të aktivitetit të saj. “Gjatë vitit 2020 janë kryer gjithsej 27 kërkesa për fonde në shumën totale 1,338,595,556.60 lekë, të cilat janë miratuar nga Fondi Kombëtar pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, brenda afateve. Pas miratimeve për kalimin e fondeve përkatësisht 25% nga thesari i shtetit dhe 75% nga BE në llogarinë e bankës së nivelit të dytë janë ekzekutuar 161 pagesa, nga të cilat 79 janë paradhënie dhe 82 janë pagesa të plota” thuhet në dokument.

Programi zbatohet nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor Rural. Sipas të dhënave të dërguara rezulton që nga të dyja thirrjet e para janë kryer pagesa për 176 persona, nga të cilët 92 pagesa të plota dhe 84 parapagesa.

“Objektivat në zbatimin e Programit IPARD janë zbatimi i politikave të integrimit evropian dhe programeve të zhvillimit bujqësor dhe rural me qëllim arritjen e objektivave strategjikë kombëtare për arritjen e standardeve evropiane në mbështetje të fermerëve dhe ndërmarrjeve agropërpunuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi për bujqësinë dhe zhvillimin rural. AZHBR duhet të ndjeke dhe zbatojë përputhshmërinë e standardeve teknike kombëtare dhe të BE-se në lidhje me ekzekutimin e pagesave IPARD. Gjatë vitit 2020, AZHBR ka lidhur 185 kontrata ( Thirrja 1 janë 61 kontrata dhe Thirrja 2 janë 124 kontrata), te cilat janë regjistruar në përputhje me Manualin e Procedurave” njoftoi ministria.

I njëjti dikaster analizoi edhe ecurinë e programeve të tjera si të Promass, projektet IPA, projekti Food4Health si dhe atë Zhvillimi i Qëndrueshëm i Zonave Rurale në Shqipëri”, GIZ.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of