Kanë dalë së fundmi imazhet e modelit të ri të iPhone 12, të cilat ngjajnë me ato të modelit iPhone 4, por me një kosto më të lartë. Edhe pse modeli iPhone 11 ka vetëm pak ditë që është hedhur në treg, kanë filluar të shpërndahen nëpër rrjete sociale imazhet e pasardhësit iPhone 12, që pritet të dalë në treg në vitin 2020.
Sipas një prej analistëve më profesionistë të Apple, Ming-Chi Kuo, ky model i ri do t’i ngjajë shumë modelit iPhone 4 të hedhur në treg në vitin 2010. Pas modifikimit të fundit të modelit iPhone 11, të cilit iu shtuan 3 kamera në pjesën e pasme, modeli më i fundit do të kthehet pas në kohë, duke i ngjarë iPhone 4, dhe duke u larguar nga iPhone X. Ky model i ri, ashtu siç u tha edhe pak më sipër do të jetë një rikthim në kohë dhe do të ketë një kornizë metalike, e cila do të jetë 100 për qind e riciklueshme.
Ky model, shprehen ekspertët, është një version që do t’i ngjajë më shumë iPad Pro sesa modelit të iPhone 11 të hedhur në treg vetëm disa ditë më parë. Vendosja e një kornize të tillë sigurisht që do të ndikojë edhe në rritjen e çmimit të tij por do të shërbejë mbi të gjitha në përmirësimin e rrjetit e iPhone 12, sidomos sa i takon sinjalit të rrjetit 5G, që pritet të realizohet gjatë 2020.
Një prej defekteve më të rënda të iPhone 4 ishin antenat, sepse mëngjarashët kishin tendencë t’i bllokonin ato , duke krijuar vështirësi në komunikim. Sot, rreth 10 vite më vonë, kjo kompani në sajë të vendosjes së kësaj kornize të sofistikuar, po studion dhe po përpiqet që të parandalojë pikërisht gabime të tilla, si ai i mësipërmi.