Të zgjedhësh se çfarë të shohësh në Galway, Kryeqytetin Europian të Kulturës 2020, së bashku me qytetin kroat Rijeka, nuk është e thjeshtë.
Qyteti më i madh i Irlandës Perëndimore, një qendër elektrizuese kulturore, me një bukuri bohemiane, e re dhe e pasur me atraksione, ka përgatitur një kalendar të ngjeshur me evente, festivale, shfaqje dhe koncerte. Jo rastësisht, Galway zë një vend ndër qytetet që duhet të vizitoni në vitin 2020 sipas Lonely Planet.
Ky është momenti më i mirë për të planifikuar disa ditë pushimesh “në ishullin e gjelbër” dhe të shijoni atmosferën.
Temat e Galway, Kryeqyteti Europian i Kulturës 2020
Gjuha, Peizazhi, Migrimi. Janë tre temat e Galway 2020, ngjarja më e shumëpritur e viteve të fundit, që nga shkurti 2020 deri në janar 2021, do të përfshijë qytetin irlandez. Aktivitetet, që do t’ju çojnë drejt zbulimit të qytetit nëpërmjet veprave të artistëve irlandezë dhe ndërkombëtarë, do të përqendrohen te Gjuha, si një mjet që promovon pranimin dhe mikpritjen (Galway 2020 synon të promovojë larminë e gjuhëve të folura në Europë dhe Irlandë, ndër to gjuha kelte – gjuha tradicionale irlandeze që ende sot studiohet në shkolla);
Peizazhi, në këtë rast ai i Irlandës Perëndimore, një ndërthurje e përsosur mes fshatit dhe detit; dhe Migrimi, për të festuar diversitetin kulturor në Europë, e veçanërisht në Europën Perëndimorë si dhe historinë migratore të banorëve të saj. Ndër të tjera, Galway cilësohet edhe City of Equals (Qyteti i të barabartëve), për shkak të promovimit të respektit dhe të kuptuarit të kulturave të ndryshme që banojnë në të.
Një vit i ngjeshur me evente, programi i Galway 2020
2020 do të jetë një vit i gëzueshëm për Galway, ku parashikohet të zhvillohen më shumë se 1900 aktivitete, qindra projekte dhe bashkëpunime me artistë dhe organizata kulturore nga më shumë se 30 vende. Eventet u çelën më 1 shkurt me Opening Event, që përkoi me Imbolc (është një festival tradicional kelt që shënon fillimin e pranverës). Në maj do të zhvillohet Galway Theatre Festival, me performanca në rrugë, dhe Galway Early Music Festival, koncertet më të mira me muzikë mesjetare, të periudhës së Rilindjes dhe asaj Baroke. Galway International Arts Festival është festivali më i rëndësishëm multidisliplinor në Irlandë, i cili do të zhvillohet në korrik.
Edhe muaji shtator do të jetë i pasur me aktivitete. Do të nisë me Beyond the end of the road, një ‘musical’ kushtuar jetës rurale në qarkun e Galway, dhe Óró, një ngjarje kulturore kushtuar minorancave gjuhësore në Europë. Në qendër të Oireachtas na Samhna do të jetë muzika, arti dhe kultura, i cili pritet të zhvillohet në nëntor. Çdo gjë do të mbyllet më 21 janar 2021, me Lumière Galway, një aktivitet përmbyllës me 12 muajt e Galway, si Kryeqyteti Europian i Kulturës 2020.
Çfarë të vizitoni në Galway, nga pub-et te kështjella
Një atmosferë bohemiane, qyteti më intrigues i Irlandës. Kështu e përshkruan Galway, Lonely Planet dhe… nuk e ka gabim. Ky është destinacioni ideal për ata që duan të zbulojnë një Irlandë ndryshe, me disa aspekte më autentike. Sapo të mbërrini këtu, do të kuptoni shpejt që Galway është një qytet i ri – i njohur për universitetin e tij – në qytet jetojnë rreth 23 mijë studentë. Sigurisht, arti dhe historia nuk mungojnë.
Në mbrëmje, do të kaloni momente të bukura në pub-et e shumta në qytet, ku do të dëgjoni muzikë të mirë dhe do të shijoni midhjet e famshme të Galway, të cilave qyteti i kushton në shtator Galway Oyster Festival (Festivali i Midhjeve, nga data 25 deri më 27 shtator 2020).
Duke ecur në rrugët e qytetit ju do të shihni Lynch’s Castle, një rezidencë luksoze e shekullit XIV, me skulptura dhe stema të familjes Lynch dhe mbretit Henri VII, sot seli e Allied Irish Bank, dhe Spanish Arch, ajo çfarë ka mbetur nga muret mbrojtëse të qytetit.
Më pas është Kisha Shën Nikolla, kisha më e madhe mesjetare e qytetit, e shekullit XIV, pranë së cilës, çdo të shtunë në mëngjes bëhet tregu tradicional i Galway, me produkte karakteristike të fshatrave aty pranë; dhe katedralja moderne “Cathedral of Our Lady Assumed into Heaven”. Ia vlen edhe një vizitë në City Museum, në sallat e të cilit tregohet historia e Galway, nga lashtësia deri në ditët e sotme dhe në memorialin e John Fitzgerald Kennedy në Eyre Square.
Në fund, ju nuk mund të thoni se keni qenë në Galway, nëse nuk merrni pjesë në një nga garat e famshme me kuaj, Gaway Races, që nga viti 1869, çdo fund korriku, argëtojnë banorët gjatë një jave.
Cili është suveniri ideal që duhet të merrni me vete në fund të udhëtimit? Një unazë Claddagh nga Thomas Dillon (në muzeun e tij laborator) – është një unazë tradicionale irlandeze e cila përfaqëson dashurinë, besnikërinë dhe miqësinë (duart përfaqësojnë miqësinë; zemra dashurinë, kurse kurora, ndershmërinë).
Burimi: Corriere della Sera