Isa Mustafa: Pse të mos punohet të dielën në Kosovë?

21/02/2020 10:12 AM 0 komente

Disa Komuna të Kosovës po e shqyrtojnë mundësinë që të mos punohet të dielave. Për çka Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë dal kundër vendimit të disa komunave që urdhërojnë bizneset të mos punojnë të dielave. Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka komentuar këtë vendim që po e shqyrtojnë komunat. Mustafa si ekonomist ka thënë se pse të mos punohet ditëve të diela?
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kundërshtuar idenë që e diela të jetë ditë pushimi për bizneset në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Mustafa ka thënë se është vështirë të të bashkëjetojë koncepti i ekonomisë së lirë të tregut dhe i promovimit të sektorit privat me ndërhyrje në treg nga disa komuna
“Pse të mos punohet ditëve të diela? Kush ka bërë analiza dhe ka ardhur në përfundim se mbyllja e dyqaneve, shërbimeve, aktiviteteve ekonomike ditën e diel nëpër komuna është në interes të publikut, të punësimit dhe të zhvillimit ekonomik? Se kjo siguron 8 orë punë në ditë dhe 40 orë në javë? Mendoj që askush, sepse vështirë është të bashkëjetojë koncepti i ekonomisë së lirë të tregut dhe i promovimit të sektorit privat si promotor i zhvillimit me ndërhyrje arbitrare në treg nga disa komuna, duke e marrë rolin e rregullatorëve ekonomik”.
Tutje, ish-kryeministri Mustafa ka thënë se është e vështirë të argumentohet ideja për të dielën pushim, dhe ka shtuar se Autoriteti i Konkurrencës duhet të shqyrtojë vendimet e disa komunave që të ndalet puna në këtë ditë të javës.
“Pse ditëve të diela, qytetarët e Kosovës mund të blejnë dhe të shërbehen në Shkup e në Tiranë por jo në qytetin e tyre dhe nga bizneset kosovare. Pse të dielave paratë tona mund ti shpenzojmë në vendet tjera por jo në Kosovë dhe pse në këtë ditë turistët dhe vizitorët nuk mund të gjejnë shërbime në Kosovë? Ku qëndron arsyeja që për një ditë në javë të ulet kërkesa agregate në treg te ne, me efekt negativ në brutoproduktin vendor dhe në punësim, dhe kjo kërkesë të zhvendoset jashtë Kosove? Kjo është vështirë të argumentohet me mendje racionale por arsyetohet shumë lehtë me diletantizëm. Prandaj shoh arsye që Autoriteti i Konkurrencës të shqyrtojë vendimet e disa komunave për të ndaluar punën ditën e diel, në pikëpamje të cenimit të konkurrencës së lirë dhe të ndikimit në sektorin privat”, ka thënë tutje Mustafa.
Sipas tij, “Do të ishte e rrugës që bizneset të vendosin për ditët që punojnë e nuk punojnë duke e respektuar ligjin dhe orët javore të punës. Tendenca për rregullim administrativ të ekonomisë dhe të jetës së qytetarëve është recidiv i kohëve të kaluara, si e tillë shkakton deformim të sistemit ekonomik në vendin tonë”, ka përfunduar ai.
Gjatë ditës së djeshme Oda Amerikane ka reaguar për vendimet e marra nga disa Kuvendeve Komunale lidhur me atë se të dielave duhet të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset.
Ata me anë të një njoftimi për media bëjnë të ditur se janë të shqetësuar lidhur me këto vendime të cilat sipas tyre do të kufizojnë aktivitetet ekonomike, e rrjedhimisht do të ndikojë edhe në ngadalësimin e rritjes ekonomike në përgjithësi.
“Oda Amerikane beson se kufizimi i punës së bizneseve, do të ketë implikime në thellimin e mëtejmë të nivelit të papunësisë në vend, në kundërshtim me përpjekjet e gjithëmbarshme për fuqizim të sektorit privat, krijim të vendeve të reja të punës dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve. Duke u ndërlidhur me arsyetimet e disa autoriteteve lokale, Oda Amerikane rikujton se marrëdhëniet ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve, përfshirë këtu edhe orarin e punës së të punësuarve, pushimin javor, punën pas orarit, gjatë ditëve të fundjavave dhe ditëve të festave zyrtare, janë të rregulluara me Ligjin e Punës, ndërsa autoritetet shtetërore duhet të sigurojnë zbatimin e drejtë të këtyre dispozitave përkatëse nga ana e punëdhënësve”.
Po ashtu për këtë çështje ka reaguar edhe Oda Ekonomike e Kosovës.
Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi ka reaguar pas vendimit që e diela të jetë ditë pushimi në disa prej komunave të vendit.
Rukiqi me anë të një shkrimi në Facebook, ka thënë se mbyllja e bizneseve të dielën, do të sjell dobi vetëm për vendet e rajonit.
“Vendimet në Kosovë, milionat në vendet fqinje. Vendime për bizneset pa asnjë konsultë me biznesin. Mbyllja e bizneseve të dielën, nuk sjell dobi për asnjë subjekt në Kosovë, por është mese e qartë që do të sjell shumë dobi në vendet e rajonit. Krejt ato euro që shpenzohen në vendin tonë, do të shpenzohen në Shkup, Tiranë e vende tjera”, ka shkruar Rukiqi.
Një propozim të tillë, gjatë vitit të kaluar e miratoi komuna e Mitrovicës. Kurse, rregullorja e re sipas të cilës bizneset që veprojnë në Vushtrri nuk do të punojnë të dielave, ka hyrë në fuqi nga data 1 shkurt./Monitor.al/.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of