Ish Presidenti i Bankës Qendrore Europiane (ECB), Mario Draghi, pranoi një kërkesë nga kreu i shtetit të Italisë për të formuar një qeveri, e cila do të merret me emergjencat e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit dhe një recesioni shkatërrues, shkruan Bloomberg.
Draghi, i cili luajti një rol kryesor në zgjidhjen e krizës së borxhit europian, mori mandatin e kryeministrit me kushte – një procedurë normale në politikën italiane – pas takimit me kreun e shtetit Sergio Mattarella në pallatin presidencial në Romë .
“Kapërcimi i pandemisë, përfundimi i fushatës së vaksinimit, ofrimi i përgjigjeve për problemet e përditshme të qytetarëve, rimëkëmbja e vendit janë sfidat me të cilat do të përballemi”, tha Draghi pas njoftimit.
Draghi, 73 vjeç, do të fillojë bisedimet me liderët e partive politike, ndërsa përpiqet të krijojë një shumicë parlamentare sa më të gjerë të jetë e mundur. Kryeministri në largim Giuseppe Conte dështoi të rikrijojë qeverinë pas largimit të një aleati të vogël dhe Mattarella iu drejtua Draghit pasi paralajmëroi se Italia nuk mund të përballonte të kalonte një fushatë elektorale mes krizës aktuale.
Draghi gjithashtu tha se Italia ka dhe “burimet e jashtëzakonshme” të Bashkimit Evropian dhe se është i bindur se një frymë uniteti do të mbizotërojë në bisedimet me udhëheqësit e partive.
Partitë e vendit janë të ndara lidhur me një qeveri të udhëhequr nga Draghi. Ai mund të llogarisë mbështetjen e Partisë Demokratike të qendrës së majtë, forca e dytë më e madhe në ish-aleancën e Conte, si dhe grupe qendrore, pro-evropiane. Partia e qendrës së djathtë Forza Italia e ish-Kryeministrit Silvio Berlusconi mund të mbështesë gjithashtu Draghi, megjithëse ligjvënësit e saj janë të ndarë.
Matteo Salvini, udhëheqësi i Lidhjes anti-migrantë, partia më e madhe në bllokun e qendrës së djathtë, ka lënë derën hapur për një qeveri Draghi. “Problemi nuk është emri i personit”, tha Salvini për të përditshmen Corriere della Sera. “Çështja është se çfarë ai dëshiron të bëjë dhe me kë.” Salvini tha se përparësia për Italinë duhet të jetë shmangia e rritjes së taksave dhe përsëriti thirrjen e tij për zgjedhje të parakohshme në maj ose qershor.
Por Lëvizja Pesë Yje, forca më e madhe në parlament dhe mbështetësi kryesor i Conte në qeverinë e fundit, ka refuzuar të mbështesë Draghin. Vito Crimi, udhëheqësi politik i grupit i lindur si një forcë ‘anti-establishment’, tha se administratat e kaluara të drejtuara nga teknokratë kishin krijuar “pasoja jashtëzakonisht negative për qytetarët italianë”.
Nëse Draghi konfirmohet si Kryeministër, axhenda e tij do të dominohet nga pandemia – e cila ka shkaktuar pothuajse 90,000 vdekje në Itali – dhe nga fushata e vaksinimit. Ai gjithashtu do të duhet të rimëkëmbë një ekonomi të zhytur në borxhe, që u tkurr me 2% në tremujorin e fundit të vitit 2020, performanca më e keqe midis vendeve të mëdha europiane.
Draghi është vlerësuar për zgjidhjen e krizës së borxhit në 2012 me angazhimin e tij se “Do të bëjmë çfarëdo që të duhet”. Ai filloi programin e lehtësimit sasior të blerjeve të borxhit sovran i cili më pas është zgjeruar për t’u bërë një mjet kryesor në mbështetjen e ekonomisë evropiane gjatë pandemisë.
Draghi përfundoi tetë vitet e tij si drejtuesi i BQE në 2019, dhe që atëhere është aluduar nëse ai do të konsideronte një rol në politikën italiane.