Para komisionit hetimor parlamentar për situatën në PTK e Telekom ka raportuar sot Shyqeri Haxha, ish-kryeshefi i Telekomit. Në cilësinë e dëshmitarit, Haxha ka folur për periudhën sa ka qenë krye shef i Telekomit, e që sipas deputeteve është një nga figurat ku kanë ndodhur më së shumti gjëra që janë objekt i hetimit në komision.
Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në Postë Telekomin e Kosovës (PTK) dhe Vala ka intervistuar ish-Kryeshefin e Telekomit të Kosovës, Shyqeri Haxha.
Haxha ka thënë se për të gjitha mashtrimet që janë bërë në PTK është synuar pastaj të sjellë një kryesues nga perëndimi që të mos dijë asgjë për gjendjen.
Ai tha se kur ka ardhur në Kosovë nuk ka ditur për rrethanat dhe nuk ka njohur asnjë njeri në PTK.
Para deputetëve tha se ka qenë i pastër dhe nuk ka marr tenderë, ndërsa pranoi se ka pasur kërcënime me vdekje dhe tregoi se kishte larguar 50 persona për krim të organizuar në PTK-ja.
“Nuk kam bërë kompromis me askënd për asgjë, nuk kam marr tenderë, nuk kam kërkuar para, as nuk kam dhënë para. 3 herë jam kërcënua me vdekje me vrasje kam lajmëruar policinë askush nuk është marr me të kur kam heq antenën serbe, kur largova 50 persona për krim te organizuar në PTK”.
Haxha ka thënë se ka shkarkuar nga puna edhe drejtorë.
“Kam shkarkuar drejtor, nuk kam bërë kompromis me askënd, me çdo lider që jam taku kam thënë nuk lejoj njeri të gjallë ta dëmtoj këtë kompani. Kam kërkuar me ndërpre kontratën më kanë thënë bordi se nuk kam të drejtë se nuk e kam bërë unë, unë kam qenë i vetëm veç me Zotin dhe jam ballafaquar me të edhe me dashtë me u tërheq nuk kam mund. Z mobile i ka ikur pagesave, nuk e ka zbatuar kontratën. Sikur faktet që i kam unë po te ishin përdorur në Arbitrazh do të humbte Zmobile dhe do ta kompensonte PTK-në për humbjet e bëra”.
Deputeti, Visar Ymeri e pyeti Haxhën nëse ka pasur ndonjë formë të shantazhit nga politika apo zyrtarët shtetërorë nga ajo kohë. Ndërsa Haxha e pranoi se kishte presion.
“Kam pas presion nga ministrat e linjës atëkohë”, tha ai.
Haxha tha se ish-prokurorja e EULEX-it, Isabelle Arnal, ka qenë shkatërrim i Kosovës e cila e ka pas vetëm këtë synim të dëmtojë vendin.
“Shefi i policisë në atë kohë Reshat Maliqi, policia në atë kohë kanë ardh me një fazë qe nuk munden me vazhdua më tutje se ka presion, jam kërcënua me vdekje”, tha ai.
Ish-kryeshefi i Telekomit thotë se ditën e parë të punës kishte mbajtur një mbledhje me menaxhmetin derisa kishte udhëzuar menaxherët e atëhershëm që të dorëzojnë një raport për gjendjen.
“Ditën e parë kur kam ardhur kam zhvilluar një takim me menaxhmentin kanë qenë 30 menaxherë jam prezantuar edhe kam kërkuar nga ta që të më përpilojnë nga një raport shumë konfidencial. I kam marrë dhe asnjë s’ka cekë që ka problem në PTK”, thotë ai, duke shtuar se kishte hapur emaila për të gjithë punëtorët që të njëjtën t’i drejtohen me ankesa..
https://www.monitor.al/shkaterrimi-i-ptk-se-intervistohet-ish-kryeshefi-shyqeri-haxha/
Kujtojmë se Telekomi i Kosovës aktualisht gjendet në krizë të thellë financiare ku po rrezikon të falimentojë dhe 2500 punëtorë do të mbesin pa punë. Ky skenar mund të ndodhë nëse Telekomit deri më datën 15 të këtij muaji nuk i paguhet borxhi prej 25 milionë e 900 mijë eurove Z-mobilit.
Borxhi prej mbi 25 milionë euro që Telekomi i Kosovës i ka kompanisë Z-Mobile, ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G.
Kompania Z-Mobile ekzekutimin prej rreth 26 milionë euro po e kërkon nga Telekomi i Kosovës mbi bazën e vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit në Odën Ekonomike Ndërkombëtare të vitit 2016.
Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.
Kjo kompani ka përafërsisht 2400 punonjës, kurse paga mesatare, llogaritet të jetë mbi 730 euro. Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës. /Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.