ISHTI: Debitorët na detyrohen 105 milionë lekë, nga 28 shtatori nuk do marrin asnjë shërbim

21/09/2020 1:00 PM 0 komente

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial bëri me dije se nga data 28 shtator asnjë prej subjekteve që janë debitore ndaj tij nuk do të marrë shërbim pranë tij. Kjo vjen në kushtet kur një pjesë e mirë e subjekteve janë debitore nga viti 2007. ISHTI publikoi një listë të gjatë me subjekte që kanë detyrime të papagura në periudhën 2007-2019 dhe që në total kapin vlerën e mbi 105 milionë lekëve.

“Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), në funksion të misionit të tij dhe zbatimit të ligjit njofton të gjitha subjektet debitore, se duke filluar nga data 28.09.2020, do të pezullojë çdo shërbim ndaj tyre, si dhe nuk do të kryej asnjë analizë mbi plotësimin e standardeve teknike të naftës dhe nënprodukteve të saj (sipas kërkesës së subjekteve), deri në arkëtimin e plotë të detyrimit financiar. Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, inkurajon subjektet debitore sipas listës bashkëlidhur, të kryejnë sa më shpejt pagesat, me qëllim vijimin e punës pa ndërprerje dhe pa pasoja të tjera ligjore” thuhet në reagimin e ISHTI.

Inspektorati përmes disa prej drejtorive të veta ushtron shërbime ndaj subjekteve duke nisur nga Drejtoria e Inspektimit të Naftës dhe Gazit dhe Nënprodukteve të tyre(DINGN) që ushtron veprimtarinë e vetë në kontrollin në fushën e përpunimit, transportit dhe tregtimit të naftës dhe gazit dhe nënprodukteve të tyre, për zbatimin e kushteve të parashikuara në lejet apo autorizimet përkatëse që u janë dhënë personave juridik.

Po kështu Drejtoria e Inspektimit të Pajisjeve nën Presion (DIPNP) ushtron aktivitetin inspektues ne subjektet qe kane ne përdorim te gjitha llojet e pajisjeve te cilat konsiderohen pajisje nen presion.

ISHTI ka pjesë përbërëse edhe Drejtorinë e Inspektimit të Pajisjeve dhe Instalimeve Elektrike dhe Makinerive Ngritëse(DIPIEMN) e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial ka në fokus të aktivitetit të saj, garantimin e sigurisë së njerëzve dhe vlerave materiale nga rreziku elektrik.

Kjo drejtori ka detyrimin të mbikëqyre sigurinë e pajisjeve, impjanteve, instalimeve dhe rrjetave elektrike që janë në përdorim dhe të vlerësojë konformitetin e tyre me ligjet, rregulloret teknike dhe standardet në fuqi. Të mbikëqyre tregun për produktet elektrike, lidhur me sigurinë e tyre referuar kërkesave ligjore, të parandalojë praktikat tregtare të gabuara, mashtruese, të paligjshme me qëllim mbrojtjen e konsumatorit dhe krijimin e mundësive që bizneset të konkurrojnë ne një treg të rregullt dhe të barabartë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of