Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka konstatuar disa dhjetëra shkelje nga subjekte të ndryshme në treg gjatë këtij viti duke vendosur kështu të paktën 31 masa administrative. Subjektet të cilat janë gjendur me mangësi të ndryshme gjatë inspektimeve janë ndëshkuar dhe vlera totale e masave të marra nga janari në korrik është 10.2 milionë lekë. Janari dhe maji janë muajt kur ka pasur edhe më shumë gjoba ndaj subjekteve ndërkohë shkurti është i vetmi që rezulton me vetëm një masë ndaj një subjekti.
Referuar tabelës përmbledhëse të ISHTI rezulton se masat janë marrë ndaj subjekteve që kanë aktivitete të ndryshme nga pika karburanti, tek depozita gazi, kompani që kanë marrëveshje koncesioni me shtetin shqiptar për kërkim zbulim nafte.
Kështu në disa raste nga ana e inspektorëve janë konstatuar mungesë të masave të sigurisë në punë për pajisjet që disponohen, në të tjera nuk është i plotë dokumentacioni tekniko-ligjor që duhet të ketë subjekti për të ushtruar aktivitetin apo kur instalimi i pajisjeve nuk është bërë konform rregullave ligjore. Në të tjera nuk ka pasur reflektim nga ana e subjekteve për paralajmërime të dhëna më herët ashtu sikurse ka pasur edhe raste që subjektet kanë kundërshtuar kontrollet e ushtruara.
Subjektet janë gjendur gjithashtu pa projekte teknike për instalimet e bëra si dhe kanë shfaqur mungesë të vlerësimit të konformitetit. Në listë nuk mungojnë as subjekte që kanë pasur të punësuar staf që nuk ka certifikimin e nevojshëm për të ushtruar detyrën që i është ngarkuar.
Inspektorati përmes disa prej drejtorive të veta ushtron shërbime ndaj subjekteve duke nisur nga Drejtoria e Inspektimit të Naftës dhe Gazit dhe Nënprodukteve të tyre(DINGN) që ushtron veprimtarinë në kontrollin në fushën e përpunimit, transportit dhe tregtimit të naftës dhe gazit dhe nënprodukteve të tyre, për zbatimin e kushteve të parashikuara në lejet apo autorizimet përkatëse që u janë dhënë personave juridik.
Po kështu Drejtoria e Inspektimit të Pajisjeve nën Presion (DIPNP) ushtron aktivitetin inspektues ne subjektet qe kane ne përdorim te gjitha llojet e pajisjeve te cilat konsiderohen pajisje nen presion.
ISHTI ka pjesë përbërëse edhe Drejtorinë e Inspektimit të Pajisjeve dhe Instalimeve Elektrike dhe Makinerive Ngritëse(DIPIEMN) e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial ka në fokus të aktivitetit të saj, garantimin e sigurisë së njerëzve dhe vlerave materiale nga rreziku elektrik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.