Isla de los Faisanes, ishulli që qeveriset nga dy shtete

07/10/2019 5:21 PM 0 komente

Ka vende në botë që janë të ndarë, në kuptimin e parë të fjalës, midis disa shteteve. Një ndër to është Isla de los Faisanes, me karakteristika vërtet unike.

Ishullthi ndodhet mes Francës dhe Spanjës, në mes të lumit Bidasoa, disa kilometra larg pikës ku ujërat e tij derdhen në Oqeanin Atlantik. Siç e thamë, ky është një vend i veçantë, pasi lumi shënon kufirin midis dy shteteve. Dhe, siç ndodh gjithnjë në situata të tilla, vija e kufirit vendoset pikërisht në mes të rrjedhës së ujit. Në këtë rast, kufiri ndan në dy pjesë Isla de los Faisanes – në frëngjisht quhet île des Faisans, ndërsa në spanjisht Isla de los Faisanes (Ishulli i Fazanëve – në shqip).

Por ka një detaj që e bën unik në botë – këtu dy shtetet nuk sundojnë njëkohësisht, por në mënyrë alternative. Gjatë 6 muajve në vit, ishulli kalon në pronësi të shtetit francez, ndërsa në 6 muajt e tjerë kalon nën autoritetin spanjoll. Kjo është një zgjidhje e çuditshme, që e ka origjinën shumë vite më parë.

Në këtë ishull, më 7 nëntor të vitit 1659 u nënshkrua Traktati i famshëm i Pirenejve, që i dha fund luftës së përgjakshme (1635–1659) midis francezëve dhe spanjollëve. Traktati u nënshkrua nga gjenerali spanjoll Don Luis de Haro dhe kardinali Mazzarino, kryeministër i Francës. Nga ai moment, ishulli u konsiderua territor neutral dhe u bë vend i shumë ngjarjeve të tjera diplomatike dhe jo vetëm. Për shembull, u festua dasma mbretërore e mbretit të Spanjës, Karli II me Maria Luisa d’Orleans, në vitin 1679. Shumë fejesa, ndër të tjera, u zyrtarizuan pikërisht këtu. Por data më e rëndësishme është 2 Dhjetor 1856, e cila shënoi sovranitetin e përbashkët mes Francës dhe Spanjës, në këtë copë të vogël toke të quajtur Ishulli i Fazanëve.

Me Traktatin e Bayonne, u dekretua që territori i ishullit të ishte nën qeverisjen e autoriteteve të dy shteteve për një periudhë alternative prej 6 muajsh secili – kështu më 31 janar, zhvillohet ceremonia e kalimit të pushtetit të Ishullit të Fazanëve, administratës së qytetit spanjoll Irun, ndërsa më 31 korrik, autoriteteve që qytetit francez Hendaye.

Kjo ceremoni, për shumë vite ka qenë e ndaluar për publikun, por në 2012, të gjithë mund të bëhen pjesë e saj. Ndër të tjera, nuk ka shumë arsye për të vizituar Ishullin e Fazanëve – është një rrip toke prej 3 mijë metra katrorë, ku mund të shkohet veç me varkë, por me një atmosferë natyrisht të veçantë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of