Flet kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Durrës: “Paketa e rimëkëmbjes duhet të nxisë punësimin për të rinjtë dhe gratë nëpërmjet bizneseve të reja”
Turizmi është sektori më i prekur nga kriza e COVID-19, sipas Alban Isterit, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Durrës.
Zoti Isteri thotë se në këtë qytet, strukturat e vogla të akomodimit kanë falimentuar. “Në muajin shtator, situata pritet të jetë më e rënduar për biznesin. Qyteti i Durrësit mbahet nga sektorët e turizmit, prodhimi dhe transporti.
Sektori i turizmit ka falimentuar. Më të prekurat janë strukturat akomoduese, të cilat në shtator do të jenë të parat që në do të mbyllin aktivitetin. Strukturat e vogla akomoduese nëpërmjet platformave online, si Breakfeast and Bed, shtëpitë me qira etj., kanë falimentuar, pasi ato janë goditur dy herë deri tani. Goditjen e parë e dha tërmeti i 26 nëntorit kurse të dytën po e jep pandemia.”
Kreu i Dhomës së Tregtisë të Durrësit shprehet me pesimizëm edhe për strukturat e mëdha akomoduese, të cilat sipas tij do të nisin të falimentojnë në muajin shtator, nga mungesa e punës për muajt e verës. “Humbjet më të mëdha janë te strukturat me kapacitet mbi 20 dhoma deri në 200 apo 300 dhoma, të cilët kanë investuar shuma të mëdha. Aktualisht këto struktura po punojnë me 20% të kapacitetit të tyre, stafi është reduktuar gati 60% dhe nuk janë kthyer në punë të punësuarit sezonalë.
Xhiro ka rënë për shkak të bllokimit të lëvizjeve me Maqedoninë, Malin e Zi, pa përfshirë lëvizjet me Serbinë dhe Greqinë. Ardhja e turistëve nga Kosova, të cilët zënë 10% të xhiros së turizmit janë shpresa e vetme për këtë sektor. Në muajin shtator do të mungojnë gjithë këto të ardhura në buxhetin e familjeve dhe bizneseve. Kostot për ekonominë ishin të jashtëzakonshme edhe nga mbyllja e ekonomisë për gati tre muaj”.
Që biznesi t’i mbijetojë krizës, sipas rekomandimeve të kreut të Dhomës të Tregtisë është e domosdoshme që qeveria të hartojë një paketë të rimëkëmbjes me përparësi nxitjen e punësimit dhe me ndryshime fiskale për biznesin e vogël. “Nga komunikimet e shumta që kam me bizneset, situatën e vlerësojnë të pafavorshme për të marrë kredi për pagat e punonjësve, pavarësisht se ecuria e garancisë sovrane 1 dështoi, deri 40-50% e fondit u konsumua. Edhe garancia e dytë sovrane ishte e pafavorshme për biznesin për shkak të interesave të lartë dhe dhënies së garancisë nga shteti deri 60%, jo në nivelin 100%.
Prandaj është e domosdoshme që qeveria të hartojë një paketë të rimëkëmbjes ekonomike me fokus nxitjen e punësimit, për të rinjtë dhe gratë nëpërmjet krijimit të startup (bizneseve të reja). Në paketën e rimëkëmbjes është i domosdoshëm edhe zbatimi i politikave të reja fiskale. Heqja e tatimfitimit për bizneset me xhiro nga 5 milionë lekë deri në 14 milionë lekë në vit, pasi do të ndihmonte ndërmarrjet.
Po ashtu qeveria duhet të aplikojë nisma fiskale, të cilat do të nxisnin punësimin. Si p.sh., në rast se biznesi i madh shton numrin e punonjësve në këtë periudhë, 3 deri në 6 muaj pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore mund të subvencionohen nga shteti. Kjo nismë do të ndikonte në rritjen e konsumit.”
Zoti Isteri thotë se ekziston rreziku për dëme në strukturën e ekonomisë dhe pasojat do të ishin të parikuperiueshme. “Nëse në strukturën e ekonomisë, sektori i turizmit dhe ai i prodhimit pësojnë dëme, rimëkëmbja ekonomike do të jetë shumë e vështirë, pasi efektet janë zinxhir në të gjitha sektorët e ekonomisë. Nëse deri tani ka mbijetuar tregtia me pakicë dhe shumicë e produkteve ushqimore, nuk mund të themi se edhe ky sektor ka mbetur i paprekur.
Nëse në qytetin e Durrësit, në periudhë normale, konsumi rritej për shkak të shpenzimeve të turistëve dhe banorëve, aktualisht banorët e këtij qyteti po shpenzojnë më pak, për shkak të reduktimit të të ardhurave. Edhe sektori i bujqësisë është i lidhur me turizmin, pasi produktet bujqësore konsumohen më shumë gjatë periudhës të verës, por mungesa e turistëve të huaj ka ulur ndjeshëm konsumin e tyre. Recensioni i ekonomisë për këtë vit parashikohet të jetë mbi 10%, ndërsa buxheti i shtetit është rishikuar tre herë për shkak të rënies të ardhurave.”
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.