Itali, plazhet u thonë jo plastikës dhe cigareve

24/06/2019 11:44 AM 0 komente

Janë gjithnjë e më të shumta plazhet italiane “plastic free”, nga Romagna në Toscana, e duke shkuar më tej në Puglia e Lazio…

 

WWF (World Wide Fund for Nature) llogarit që çdo vit, në Detin Mesdhe, përfundojnë 570 mijë tonë plastikë, duke kërcënuar 134 specie, nga të cilët 60 lloje peshqish, nëntë shpendë ujore dhe pesë gjitarë ujorë, përveçse dhe gjithë breshkat e ujit. Dëmi total për ekonomitë e vendeve që lagen nga Deti Mesdhe, gjithnjë sipas vlerësimeve të WWF, llogaritet rreth 641 milionë euro në vit.

Nga këtu merr shkas vendimi i Bashkimit Europian për të ndaluar polietilenin, në shishe, lugë, pirunë, thika plastike, pjata, pipëza etj., duke braktisur plastikën në favor të materialeve bio të degradueshme. Por shumë komuna në Itali kanë vendosur të veprojnë menjëherë, duke iu bashkuar sfidës “plastic free challenge”, duke mos pritur vitin 2021 dhe duke e shoqëruar madje edhe me masa antiduhan për të shmangur gjetjen në rërë të bishtave të cigareve, të cilat duan të paktën pesë vjet për t’u dekompozuar.

 

Plazhet më të bukura i thonë jo plastikës dhe cigareve

Ndër zonat turistike më të bukura spikasin Romagna dhe Puglia. Në Rimini, që në datën 15 prill, është ndaluar përdorimi i plastikës përgjatë 15 kilometrave plazh, me gjoba deri në 50 euro. Anna Montini, këshilltarja për mjedisin e Riminit thotë se “do të ndalojmë duhanpirjen përgjatë bregdetit, në zonën ku zakonisht bëhen shëtitje”.

Në Pulia, një tjetër zonë turistike në avangardë në luftën kundër plastikës, duke filluar nga ky sezon veror, do të ndalohet shpërndarja e pijeve dhe ushqimeve në materiale plastike, ndërsa në Bibione, Veneto, falë nismës “Respira il mare”, plazhet janë bërë “smoke free”, duke u rezervuar duhanpirësve zona të posaçme për të pirë cigare. Brigjet e Linosës dhe Lampeduzës janë bërë “plastic free” që në gusht të vitit të kaluar. Në Napoli, kryebashkiaku Luigi de Magitris ka firmosur një urdhër që ndalon shitjen e produkteve njëpërdorimshme, të cilat nuk dekompozohen, ndërsa Capri ka qenë pararendës i kësaj nisme me plazhin Le Ondine.

Duke filluar nga 1 qershori janë bërë “plastic free” edhe plazhet e Tarquinia, në Lazio, dhe Lerici, në Liguria, me ishujt Tremiti që e kishin bërë këtë gjë më parë (duke parashikuar ndër të tjera gjoba deri në 500 euro) .

Në Sardenja, plazhi i famshëm Pelosa është tashmë “smoke free” dhe po mendon ta shtrijë këtë masë edhe në pjesën tjetër të ishullit. Në Sicili, komuna e parë që e ka marrë këtë masë është Capaci. Ndërkohë po rritet vëmendja e italianëve në lidhje me qëndrueshmërinë.

Burimi: Il Sole 24 Ore

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of