Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, gjatë takimit në Itali me Guvernatorin e Bankës së Italisë, z. Ignazio Visco, theksuan marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, në ecurinë e sistemit bankar shqiptar, si dhe në zhvillimet më të fundit në Eurozonë.
Guvernatori Sejko e çmoi si mjaft të rëndësishme përfshirjen e opinioneve të vendeve të rajonit në vendimmarrjet e Bankës Qendrore Evropiane, vendime të cilat kanë impakt të lartë në ekonomitë e rajonit dhe sistemet e tyre bankare. Duke falënderuar Guvernatorin Visco për bashkëpunimin e suksesshëm midis dy institucioneve, Sejko theksoi rëndësinë e asistencës së dhënë nga Banka e Italisë në projektet e përbashkëta të zhvilluara deri tani në fushat kryesore të aktivitetit të Bankës së Shqipërisë, si: mbikëqyrja bankare, statistikat, sistemet e pagesave dhe politika monetare.
Pjesë e diskutimit ishte dhe shkëmbimi i eksperiencës si dhe shtrirja e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve edhe në fusha të tjera si: në përafrimin e legjislacionit me standardet evropiane, në adresimin e fenomenit të kredive me probleme dhe në rritjen e transparencës së aktorëve të tregut financiar, sipas kërkesave të Bashkimit Evropian.
Nga ana e tij, Guvernatori Visco vlerësoi kontributin dhe rolin e rëndësishëm të Bankës së Shqipërisë në sigurimin e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit. Ai theksoi se politikat e ndjekura dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë kanë ndikuar në forcimin e kapaciteteve të saj institucionale dhe në rritjen e integritetit të Bankës Qendrore. Ai theksoi se institucionet evropiane dhe sidomos Banka Qendrore Evropiane ndjekin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe në veçanti ato që lidhen me Bankën e Shqipërisë, ku vlerësohet si një faktor mjaft i rëndësishëm ruajtja e pavarësisë institucionale të bankës qendrore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.