Italia bëhet vendi i gjashtë që tejkalon 100 mijë viktima nga Covid-19

09/03/2021 10:34 AM 0 komente

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Itali arriti në 100 mijë të hënën, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, duke e bërë atë vendin e gjashtë që regjistron një numër vdekjesh gjashtë shifror.

Të dhënat e Ministrisë të Shëndetësisë treguan se vendi regjistroi edhe 318 vdekje të tjera në 24 orët e së fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave gjatë pandemisë në 100,103.

Kryeministri Mario Draghi kujtoi se si një vit më parë në 10 mars, Italia ishte vendi i parë perëndimor që deklaroi masa të forta bllokimi.

“Asnjëherë nuk do ta kishim menduar që një vit më vonë do të ishim ende përballë një emergjence të ngjashme dhe se numri zyrtar i të vdekurve do t’i ishte afruar pragut të tmerrshëm të 100 mijë të të vdekurve,” tha ai në një video-mesazh.

“Pandemia nuk është mundur ende, por me përshpejtimin e planit të vaksinimit, rrugëdalja nuk është shumë larg,” tha Draghi, duke falënderuar qytetarët italianë për durimin dhe disiplinën e tyre, veçanërisht ata që vuajnë pasoja ekonomike nga kriza.

Ai tha se vendi po sheh një rritje të rasteve dhe një shtim të pacientëve në spitale. Në 24 orët e kaluara u regjistruan 13.092 raste të reja. Deri më tani në Itali janë administruar 5.5 milionë doza vaksinash.

Më herët, Shtetet e Bashkuara, India, Brazili, Meksika dhe Mbretëria e Bashkuar kanë regjistruar mbi 100 mijë viktima nga virusi./CNN

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of