Situata e krijuar nga përhapja e koronavirusit sa vjen e përkeqësohet në Itali. Numri i atyre që kanë humbur jetën ka shkuar në 366 këtë të dielë, ndërsa numri i personave të prekur nga virusi është 6,387.
Italia është vendi i dytë në botë për numrin e lartë të vdekjeve, e rënditur pas Kinës, e cila regjistron rreth 3 mijë. Më pas vjen Irani me 196 persona që kanë humbur jetën, e ndjekur nga Koreja e Jugut me 50 vdekje. Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, sa i përket numrit të të infektuarve, Italia është në vendin e katërt pas Kinës, Koresë së Jugut dhe Iranit.
Gjatë kësaj të diele edhe kreu i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë italiane Salvatore Farina rezultoi pozitiv ndaj testeve për koronavirus. “Sot bëra testet për koronavirus të cila rezultuan pozitive. Për momentin jam vetëkarantinuar dhe jam në gjendje të mirë shëndetësore. Jam në kujdes të veçantë nga mjekët” tha ai.
‘Alitalia’ ndërpret fluturimet ndërkombëtare nga Milano
Nga e hëna “Alitalia”, kompania ajrore italiane ka njoftuar se do të ndërpresë të gjitha fluturimet ndërkombëtare nga aeroporti i Milanos, Malpensa për shkak të gjendjes alarmante nga koronavirusi. Fluturimet brenda vendit do të vijojnë nga aeroporti Linate. Shqipëria nuk ka fluturime direkte me kompaninë ‘Alitalia’ në aeroportin e Milanos.
Situata në vendet e tjera
Kosova ka marrë masa shtesë nga frika e përhapjes së koronavirusit. Sot ka vendosur të ndërpresë të gjitha fluturimet drejt veriut të Italisë.
Lexo edhe këtë: Rreziku nga koronavirusi, Kosova anulon fluturimet me Italinë
Në Greqi numri i të prekurve nga virusi ka shkuar në 73. Qeveria greke ka marrë një sërë masash, si kufizimin e mbledhjeve publike. Ngjarjet sportive do të mbahen me dyer të mbylllura, ndërsa eskursionet shkollore janë ndaluar për dy javë.
Në Mbretërinë e Bashkuar numri i të prekurve ka shkuar në 211, ndërsa vetëm dy persona kanë humbur jetën.